Naftëtarët: Kërkojmë që qeveria e re t’i japë prioritet naftës dhe naftëtarëve!

517
Sigal

KUÇOVË/ Specialistët: Këtu, parulla ‘Nafta çan bllokadën’ është kthyer ‘të vjedhim sa mundet dhe të pasurohemi me arin e zi’

Në një udhëtim të gazetës tonë në zonën naftëmbajtëse, në Kuçovë, ke sa nostalgji për kohën e kaluar, po aq edhe dhimbje për braktisjen në mëshirë të fatit të kësaj industrie të rëndë aq fitimprurëse në çdo kohë.  Rreth e rrotull shikon grupe naftëtarësh, të cilët diskutojnë për të ardhmen e sektorit të naftës. Ne ndodheshim në moment kur po bëhej ndërrimi i turneve, ku një pjesë e naftëtarëve dorëzonte turnin e iknin e ndërsa një pjesë tjetër e punëtorëve merrte turnin tjetër. Kështu që sot po shkruaj disa rreshta për qytetin e naftëtarëve, Kuçovën dhe naftëtarët e saj, i cili është ndërtuar mbi një zonë naftëmbajtëse. Është kënaqësi të shkruash për këta njerëz që ngrysen dhe gdhihen në erën e gazit dhe të naftës. Ja aty në Kozare, Arrëz, Distileri, Gegë, në takimet me naftëtarët të moshave të ndryshme, pamë në sytë e tyre, vetëm shpresë për një jetë më të mirë. Ata shprehen se, këtu e kanë lidhur jetën brez pas brezi. Servet Kurti shprehet: “Këtu ka punuar babai im, këtu po punoj edhe unë dhe këtu po punojnë edhe djemtë e mi. Kjo është jeta jonë që e kemi lidhur me arin e zi”. Naftëtarët shprehen se, naftën e kanë masakruar gjatë këtyre viteve të tranzicionit. Shumë familje kanë ardhur nga zonat rurale dhe kanë zaptuar një sipërfaqe të madhe toke, ku ndodhen puset e naftës, të cilët sot ne nuk i shfrytëzojmë dot. Artan Buzi, 65 vjeç një nga naftëtarët e vjetër është shprehur se, “nafta çanë bllokadën”, këtë parullë ne e kemi të ngulitur në kokën tonë prej vitesh. Por sot kjo parullë nuk po përdoret më, pasi pushtetarët që janë në ikje zbatuan parullën tjetër “të vjedhim sa mundemi dhe të pasurohemi me arin e zi”. Kuçova është një zonë naftëmbajtëse, e cila vitet e mëparshme të monizmit ka prodhuar mijëra fuçi me naftë dhe më pas i eksportonin jashtë duke fituar mijëra dollarë. Ndërsa sot fitimet e naftës i përfitojnë një grusht njerëzish. Kjo është absurde u shprehën një grup naftëtarësh, të cilët sapo kishin bërë ndërrimin e turnit. Ata u shprehën se, “fëmija lind dhe rritet në këtë qytet me erën e gazit dhe erën e naftës, por dhe më zhurmën e reaktivëve të avionëve. Nafta dhe njerëzit e qytetit janë bashkëjetesa e këtij qyteti me 34 mijë banorë”, u shprehën ata.

Kërkesa

Kuçova njihet si zonë naftëmbajtëse. Por do të jetë shqetësimi i qeverisë së re dhe premtimet e dhëna gjatë fushatave elektorale, që kjo zonë të zgjerohet dhe të kthehet në gjendjen e mëparshme, u shprehën punëtorët. Jemi ne shqiptarët ata që do të vëmë në eficencë të plotë sektorin e naftës. Ne kemi specialistë shumë të zotë, të cilët për bindje politike janë flakur në rrugë dhe janë zëvendësuar me të paaftë. Kjo ka bërë që nafta të pësojë një disfatë të madhe jo vetëm në Kuçovë, por në shkallë vendi. “Ka shumë zona që kanë naftë, por janë braktisur nga qeveritarët, të cilët nuk kanë patur asnjë lloj preokupimi. Ky qytet është i destinuar të prodhojë vetëm naftë dhe pjesë këmbimi në shkallë vendi. Ne nuk po flasim për ish-ndërmarrjet e mëparshme si ajo e përpunimit të naftës, ku përpunohej nafta dhe nxirrte nën produktet e saj si vajguri, benzinë speciale që përdorej për avionët, grason speciale me një cilësi të lartë dhe shumë produkte të tjerë, të cilat sot nuk u gjenden as themelet, por ne kërkojmë që qeveria e re t’i japi prioritet naftës dhe naftëtarëve, të cilët nuk janë parë me syrin e realitetit nga ish-qeveritarët e mëparshme. Ata shprehen se, janë në pritje të zbatimit të premtimeve që dhanë deputetët dhe vetë Kryeministri i sapozgjedhur Rama, i cili u shpreh se, do të vendos në eficencë të plotë në sektorin e naftës si dhe do t’i japin statusin e naftëtarit. Është për të theksuar se, qyteti i Kuçovës është një qytet industrial si në prodhimin e naftës, por dhe në prodhimin e pjesëve të këmbimit nga Uzina Mekanike e Naftës, një nga uzinat më të vjetra, që gjatë viteve të tranzicionit u ruajt nga punëtorët dhe nuk u shkatërrua. Ajo ka dhe një titull të lartë nga Kuvendi Popullor “Heroina e Punës Socialiste”. Kjo uzinë prodhonte pjesë këmbimi si për sektorin e naftës, por dhe për firmat e huaja kanadeze e më gjerë, për minierat etj.. Një uzinë tepër moderne që shërbente për riparimin e avionëve sot hesht. Ajo është në një gjendje mjerane, sepse pasi u vodh, të gjitha makineritë e saj u shitën.

Sot qyteti s’ka më aktivitete, ish-Pallatin e Kulturës e ka mbërthyer heshtja

Pamja e bukur…me pisha dhe palma…kultura e këtij qyteti, në një farë mënyre të largon çdo lodhje.  Këtu harron për një çast hallet e politikës dhe problemet e papunësisë. Ajo që është më e rëndësishmja, është fakti se, këtë Pallat Kulture që është në Kuçovë e duan shumë naftëtarët. Naftëtarët janë shprehur: “Gëzonim kur dëgjonim zërin e këngëtarëve në Pallatin e Kulturës, të Raqë Diamantit, muzikantit Nito Lala, e shumë e shumë të tjerëve që pasditeve në vitet e monizmit na argëtonin në Pallatin e Kulturës, sigurisht, me aktivitetet kulturore që zhvilloheshin. Por sot qyteti nuk ka më aktivitete, ish-Pallatin e Kulturës e ka mbërthyer heshtja. Ai është kthyer në një gërmadhë të vërtetë. Ka ardhur koha që këto ndërtesa kulturore t’i kalojnë bashkisë, e cila më pas t’i kthejë në shërbim të qytetarëve. Godinën e kanë ndërtuar italianët. I gjithë qyteti i Kuçovës është i pyllëzuar me pisha, palma, i asfaltuar pothuaj qind për qind dhe i ndriçuar në të gjitha lagjet. Banorët kanë nevojë të shijon jetën me aktivitetet e mëparshme. Kuçova njihet si një nga qytetet me kulturë dhe si e tillë ajo e kërkon këtë kulturë edhe pse institucionet kulturore janë të zaptuara sot. Kjo është panoramë e një qyteti naftëtarësh, ku shpresa për një jetë më të mirë pritet tek këta njerëz të mrekullueshëm që gdhihen dhe ngrysen me erën e naftës dhe të gazit.