Naftëtarët janë lënë jashtë përfitimit të Statusit të Naftëtarëve

Myfit Memaj 

Letër, drejtuar Z. Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë

Zoti Rama: Unë që po ju drejtohem me këtë letër jam një pensionist ish-naftëtar që prej 1 shtatorit 1958 me profesion elektricist. Deri në vitin 1998 unë kam punuar rreth 32 vjet në ndërmarrjen e Elektrik-Telefonave me shërbim tre turne në zonën e Marinzës, në Kuqar, Patos, Visokë, Drenovë dhe Ballsh. U gëzova shumë që Z. Omer Mamo mori iniciativën për t’i bërë naftëtarët me Statusin e Naftëtarëve dhe që mazhoranca Socialiste e Legjislaturës së parë e aprovoi ligjin në Parlament dhe ka që nga Marsi i 2017 që kemi filluar të aplikojmë për të përfituar këtë Status. Unë dhe shumë si unë për të mos thënë gati gjysma e ish- naftëtarëve me ligjin që aprovuat ju jemi të përjashtuar. -Ju aprovuat një ligj me emrin e Statusit të Naftëtarëve që është i njëjtë e po njësoj me ligjin e dekriminalizimit. Veçse ai ndëshkon të këqijtë ndërsa ky ndëshkon shumë Naftëtar dhe shumë Naftëtare. Dhe sipas meje e shumë si unë me ligjin e aprovuar jemi të përjashtuar që nga punëtorët e Rrugë Bazamentit, Ndërtimit, Elektrik –Telefonave, Parkut të Transportit e tjera. Dhe se kuptojmë pse në vitin 2017 gati mbi 70 vjet ju (ata që përgatitën ligjin )morët për bazë ligjin e vitit 1958. -Zoti Kryeministër unë desha t’ju them se sistemi i naftës në tërë dinamikën e tij ka vepruar tamam si ingranazhet e një ore. Të lutem hiqi orës një ingranazh dhe ajo s’punon dhe të gjitha ndërmarrjet që kanë vepruar në të kaluarën në Patos e pale në tërë Shqipërinë të sistemit të Naftës janë mbi 30 ndërvarje. -Dhe të lutem desha t’u kujtoj atyre që bën ligjin se në vitin 1958 Ndërmarrjet që më vonë morën emrin e Prodhimit të Naftës, Shpim-Shfrytëzimit, Shpim-Kërkimit ishin vetëm 1 Ndërvarje. Dhe sektori i Ndërtimi Montimit kishte një kantier që drejtorin e kishte në Q.Stalin (sot Kuçovë) e po kështu Transporti i Naftës varej nga Kuçova. -Të marrësh ligjin e vitit 1958 e të fusësh jo në një thes por në një trastë maj shkopit gjithë naftëtarët e mbi 70 viteve kjo s’është e drejtë dhe se kuptoj që të marr Statusin e Naftëtarit një inxhinier i Institutit e tjerë dhe të mos e marrë unë e shumë si unë që kemi ndenjur natë e ditë atje pranë puseve të Prodhimit e të Shpimit, jo vetëm me shërbim 8 orësh, por sa të kishte nevojë puna. Unë këto gjëra që po i shkruaj Zoti Kryeministër po të më ishte dhënë mundësia do i kisha thënë në mbledhjen që u zhvillua në Pallatin e Kulturës Patos nga Deputetja e zonës me motivin për të marr vërejtjet tona e për t’i çuar në Komisionin e Ekonomisë që mblidhej pas dy ditësh. Kjo mbledhje që më shumë u bë për “Show”e jo për hall dhe pse kështu. 

-Në Podiumin e Drejtimit të Mbledhjes doli Deputetja vet i shtat me përfaqësues të AlbPetrolit, Prefektin që u bë Deputet, Drejtor i Sigurimeve Shoqërore, Përfaqësues të Bashkisë dhe mbasi Deputetja na shpjegoi në monitor projekt -vendimin e Qeveris kërkoi të fillojnë diskutimet. 

-Unë dhe Shoqata e Naftëtarëve Dega Patos që qe iniciatorë me Deputetin Omer Mamo nuk ishim përfaqësues por atje dolën shtat vetë që asnjë s’kishte denjuar të na mbështeste në këtë problem që kishim. 

-Dhe Zoti Rama, në sallë foli vetëm një Bashkim Velçani shofer i Parkut Patos, pastaj foli një grua që s’ia mbaj mend emrin dhe pastaj e mori mikrofonin një Naftëtar çam që u qas te podiumi dhe ne nga salla dhe unë që po të shkruaj kërkonim fjalën por mbledhja u mbyll me kaq. Dhe se cilat ishin vërejtjet që u shpunë në Komisionin e Ekonomisë hajde merre vesh mbasi në vend që ta bënit një ligj që Naftëtarët përfitonin Statusin e Naftëtarëve ju na na bëtë një ligj që Dekriminalizon Naftëtarët. 

-Mbasi për sa që Statusin nuk e përfitojmë të gjithë Naftëtarët që kanë punuar me nder e përkushtim por diferencime. Se kuptoj, si në kohën time me shokët e mi dhe tani si mund te punojnë puset e prodhimit dhe tërë sektori i Naftës kur ka defekt ose mungon energjia elektrike. 

-Zoti Edi Rama mua dhe shokët e mi të punës që kemi ndenjur tërë kohës në ambiente gazi, po të na bësh analizat dalim me karbon në gjak. Problemi i dytë që dua t’ju shtroj është problemi i taksës së shtëpisë. Qeveria juaj është dhe i bie të jetë Qeveri Sociale. Si kuptoj ata të Ministrisë së Financave dhe Komisioni i Ekonomisë me Z. Braçe si ka mundësi që të fusin taksën e shtëpisë në atë të faturës së energjisë. 

-Në buxhetin e vitit 2018 ju kini parashikuar një rritje 2% të pensioneve. Por kjo vlerë sipas parashikimit mbulon inflacionin pra realisht s’është rritje, ndërsa nga ana tjetër me faturën e dritave ku jo të gjithë e paguajnë në kohë me kalimin e afatit mujor fillon kamata. Dhe duke vendosur taksën e shtëpisë në faturën e dritave Qeveria automatikisht ne na rrit edhe taksën e mos pagesës në kohë pra ajo 2% s’hyn fare në xhepat e pensionistëve por del me 2-fishin ose 3-fishin. Unë dhe pjesa dërrmuese e popullit i paguajnë taksat në Bashki dhe ju duke dashur të ndëshkoni të parregulltit, realisht ju rëndoni të gjithë ata që janë të ndërgjegjshëm ndaj shtetit 

-Zoti Edi ajo rritja juaj 2 % nuk mbulon dot as pagesën e daktilografistes që më shtypi këtë letër drejtuar juve 

-Populli dhe veçanërisht pensionistët duan rritje reale por deri tani kemi marr vetëm letra.