Naftëtarët e Kompanisë ARMO nuk duhet të presin zgjidhje nga qeveria

808
Dr. Vladimir MICI

Naftëtarët e Kompanisë ARMO nuk duhet të presin zgjidhje nga qeveria. Ajo është 100% përgjegjëse për dështimin me dashje të ARMO-s
Për shumë kënd që nuk e kupton, duhet shpjeguar se pse shteti nuk vepron kur shikon punëtorë, që kërkojnë të hidhen nga kullat e oxhakëve, se s’kanë bukë, për arsyen e thjeshtë se s’kanë marrë pagat, se kompania nuk i ka paguar prej vitesh paratë për sigurimin e tyre në punë dhe pension, kur punonjësit e Uzinave të Përpunimit të Naftës demonstrojnë në sheshe në Tiranë, në Fier dhe Mallakastër, për të drejtat themelore atë të bukës dhe jetës të garantuara këto nga ligji themelor i një shteti si kushtetuta, ndërkohë që merret me parë me prishjet e qetësisë publike të kryebashkiakut të Tiranës apo prishjen e bunkerit relikte. Po pse anon peshorja nga politika dhe jo nga njerëzit e punës? Qeveria socialiste që erdhi në pushtet në vitin 2013, gjeti përballë tavolinës së saj një transaksion miratimi shitje të aksioneve të kuotave të shoqërisë së ARMO një grupi Azer për vlerën e rreth 35 milionë eurove në masën e 85% të aksioneve. Në këmbim ata merrnin pronat, menaxhimin dhe administrimin e ARMO sha. Ky lajm u publikua dhe u mbështet nga ministri në largim i PD dhe zëvendësministri i atëhershëm e ekonomisë i PD. Ata qetësuan kreditorët, punonjësit dhe huadhënësit se blerësit e rinj do të ripaguanin të gjitha detyrimet. Kjo shënonte datën 6 gusht 2013. Pra kishin kaluar 1.5 muaj nga fitorja e Partisë Socialiste dhe kjo ishte kryevepra e fundit e pazareve të pista të nisura nga viti 2008 i privatizimit nga ana e qeverisë në largim. Ministri i atëhershëm u kujdes, që kompania të blinte edhe borxhet, pra detyrimet, që kompania e kishte të tretëve, bankave dhe punonjësve. Me këtë veprim akti i miratimit qeveritar justifikonte ndërrimin e pronësisë dhe mbulonte të gjitha poshtërsitë, krimin ndaj shtetit dhe punonjësve. Me këtë veprim ajo synonte të mbyllte kalvarin e saj të pisllëqeve duke ia kaluar atë qeverisë në ardhje. Por ajo nuk shpjegoi se si do të shlyheshin dhe ku ishin paratë për shlyerjen e borxheve. Qeveria e re e 2013 që erdhi në pushtet u përball me problemin real të ngritur nga punonjësit e ARMO-s dhe kontaktoi me pronarët e rinj për pagesat e prapambetura ndaj punonjësve dhe zgjidhjen e tyre, me borxhet e mëdha që kishin ndaj shtetit në formën e tatimeve dhe taksave doganore dhe borxheve ndaj kompanive publike, OSHEE dhe Albpetrol. Pra ajo kishte përballë një pronar të ri pa para, që s’ishte në gjendje të shlyente pagat e jo më detyrimet tatimore, bankat, furnitorët dhe kreditorët. Takimet që u bënë publike ishin se si kjo kompani duhet të shlyente punonjësit dhe jo si një kompani blerëse e re, që kishte detyrimin për të vijuar aktivitetin, pasi të garantonte borxhet dhe ti shlyente ato. Në të kundërt shitja ishte një akt formal, i cili legjitimonte vjedhjen, nëse lejohej. Dhe pikërisht këtë bënë Ministria e Ekonomisë dhe ajo Energjetikës (e cila luante rolin e mashës, sepse ajo s’kishte asgjë në dorë juridikisht). Futja në lojë e saj nënkuptonte anashkalimin dhe moszgjidhjen e problemit me themel. Ndërkohë ajo Ministria e Ekonomisë, që ishte zotëruese 15% aksioneve të ARMO-s, vijonte të ishte indiferente. Ministria e Drejtësisë që duhet të verifikonte aktet e shitjes nuk e bëri këtë. Dhe për pasojë qeveria socialiste mori barrën e përgjegjësisë për kapitullimin e mëtejshëm të kompanisë, ligjërimin e veprimeve të qeverisë së mëparshme, duke njohur shitjen dhe duke i hapur bllokimet e tatimeve (shkresa nr 732/1 datë 08.11.2013 Urdhër zhbllokimi) dhe duke e lejuar kompaninë që pa shlyer detyrimet të vijonte hollimin e mëtejshëm të kapitalit. Në fakt duhej që kompania, që sapo e bleu ARMO-n, duhet të deklaronte paratë për mbylljen e borxheve, së pari ndaj gjithë kreditorëve të mundshëm dhe planin e zhvillimit të saj, por asnjë nga këto nuk ngjau, çka e ngarkonte me përgjegjësi ligjore ministrin në largim dhe ministrin e sapo emëruar për këtë situatë pa kuptim. Kalimi i shitjes në këtë rast duhej të bëhej me një sistem ku garantoheshin paratë e bankave, punonjësve, të shtetit të përfaqësuar nga tatimet, doganat, KESH dhe Albpetrol dhe furnitorëve dhe kreditorëve, që ishin banka dhe punonjës. Kompania tashmë me pronarë të rinj se bëri, sepse nuk kishte plane dhe afate për shlyerjen e detyrimeve sipas një skede të miratuar. Kjo s’duhet të lejohej të vepronte, pro ajo ndodhi. Pse ? Realisht tjetër kund fshihet skema. Ky kalim pronësie shitjeje u përshpejtua për vetë faktin, se palët e përfshira në proces Ministria e Ekonomisë, Bankat dhe Organet tatim mbledhëse ishin, ok. Por jo vetëm kaq një faktor madhor, që nuk përmendet në këto skema lidhet me Bankers, kompania që kishte furnizuar me Naftë bruto ARMO-n dhe për çudi vijon t’i furnizonte sërish Azerët. Kompania ARMO kishte krijuar borxhe nga Bankers për naftën e blerë bruto në shuma të mëdha që arrinin 25 milionë dollarë amerikan dhe shqetësimi i Bankers ishte mjaft i madh deri në fund të vitit 2013. Në raportet e saj financiare ajo është shprehur mjaft e shqetësuar për këtë pasiguri, nëse mund t’i rikuperonte ato para. Por në fund të vitit 2015 Bankers, merr paratë e veta duke përdorur pronarët azere për kompaninë e vet. Ata që u fundosen janë prapë pronari shtet, nëpërmjet tatimeve, Albpetroli, OSHEE, UKT Fier dhe punonjësit. Kjo ka nënkuptuar se vënia në punë e kompanisë ishte një detyrim që Bankers i vinte shtetit shqiptar dhe për pasojë kemi që në vitin 2014, ARMO dorëzohet përfundimisht dhe Azerët zhduken në horizont pa ju hyrë gjemb në këmbë. Po pse qeveria ishte e interesuar për detyrimet Bankers, kjo vërehet edhe se organet tatimore edhe pse kanë përparësi ndaj të tjerëve për të marrë detyrimet, ato kanë hequr sekuestrot me dëshirë dhe kanë lejuar kompaninë të vepronte për të punuar dhe shlyer detyrimet e Bankers. Duke iu referuar të dhënave që kompania ARMO ka dorëzuar pranë QKB (Qendrës Kombëtare të Biznesit) rezulton se blerësit e rinj nuk kanë paguar asnjë shumë për blerjen e kompanisë e lëvruar në banka, pra kemi thjesht kalim pronësie për borxhet e prapambetura. Kjo shifër duhet të ishte pasqyruar në pasqyrat financiare të vitit 2013, sipas pasqyrës së pozicionit financiar. Pra transaksioni është mjaft i dyshimtë, çka ka lënë të hapur faktin, nëse kjo ka qenë një shitje me kalim borxhesh personale. Sipas këtij Bilanci të vitit 2013, rezulton totali i pasurisë( aktivi prej 57.281 miliardë lekë do të shlyente borxhet prej 47,517 miliardë lekësh duke e lenë aksionerëve një shumë prej 9.77 miliardë lekësh. Ajo që është e çuditshme në këto pasqyra financiare janë në dijeni të plotë nga përfaqësuesi i shtetit, Ministri i Ekonomisë gjatë vitit 2013 dhe 2014 e në vijim. Duke u rikthyer në vitin 2011 shoqëria ka bërë edhe një një punë tjetër për të fshehur paaftësinë e saj për të likuiduar detyrimet duke rritur vlerën e aseteve të saj nëpërmjet një procesi rivlerësimi të dyshimtë i pa miratuar nga aksioneri shtet, i cili abstenoi. KY rivlerësim kthente pasqyrën e pozicionit financiar sikur kompani kishte ende kapital. Një gjë e tillë në vlerësim faktik nuk ekziston. Sidoqoftë shoqëria në vitin 2014 ka dëshmuar sipas bilancit të dorëzuar edhe nga aksionerit shtet se ajo mund të shlyente bankat me asetet e saj. Pra qeveria ishte dhe mbetet përgjegjëse për humbjen e pasurisë së kreditorëve dhe punonjësve të kompanisë. Kjo mbetet edhe arsyeja themelore se përse Ministri ish i Energjetikës nuk pranon rishtetëzimin por thjesht shkatërrimin e saj. Por le t’u referohemi fakteve.
Pasqyrat e pozicionit financiar (Miliona lekë) 
NR Artikujt Vitet
2007 2008 2009 2010 2011 2012 2012 i ndryshuar 2013
1 Aktive afat shkurtra 8,203 8,828 23,190 16,950 7,500 4,891 
2 Aktive Afatgjata 7,310 7,113 87,930 88,316 87,192 52,391 
3=1+2 Totali Aktive (pasuri fizike dhe të drejtat 15,513 15,941 – – 111,120 105,266 94,692 57,282 
4 Detyrime afatshkurtra 3,356 5,427 23,064 21,674 22,428 28,755 
5 Detyrime afatgjata 85 85 2,603 3,896 11,206 18,762 
6=4+5 Totali Detyrimeve 3,441 5,512 25,667 25,570 33,634 47,517 
7 Kapitali dhe rezervat 12,072 10,429 85,453 79,696 61,058 9,764 
8=6+7 Totali i burimeve (Pasivi) 15,513 15,941 – – 111,120 105,266 94,692 57,281 
9 Fitimet( + )ose Humbjet (-) e shoqërisë 1,359 (353) (2,081) (5,757) (12,066) (24,085)
10=1-4 Kapitali i punës 4,847 3,401 126 (4,724) (14,928) (23,864)
11=6/8 Raporti i borxhit 22.18% 34.58% 23.10% 24.29% 35.52% 82.95%
12=5/12 Raporti i borxhit afatgjatë 0.55% 0.53% 2.34% 3.70% 11.83% 32.75%
13=1/4 Raporti korrent 2.44 1.63 1.01 0.78 0.33 0.17 
Duke u mbështetur në pasqyrat e saj të deklaruara në QKB ajo rezulton se asnjë vit nga këta të raportuar nuk ka pasur fitim.( reshti i 9-të). 
Duke gjykuar nga tabela, rezulton se në vitin 2007 ARMO( periudha kur kompania ishte publike) jo vetëm që ka qenë me fitim, por të gjithë indikatorët kryesore si kapitali i punës, raporti i borxhit dhe likuiditetit kanë qenë shumë të mirë, duke dëshmuar një kompani të shëndetshme financiare. Që nga momenti privatizimit të saj, kompania çdo vit është deklaruar me humbje. Në vitin 2013 humbjet arrijnë 24 miliard lekë, një shifër e pakonceptueshme, dhe me një mungesë totale kontrolli nga qeveria, ku kompania ishte totalisht e asfiksuar, pavarësisht dënglave të dy ministrave socialist atij të ekonomisë dhe atij të energjetikës. Raporti korrent dëshmon se kompania ishte tejet e asfiksuar, ndërkohë që raporti i borxhit ishte 82.95%, pra rritur 4 herë në raport me vitin 2007. Pra e thënë troç aksioneri shtet kishte dijeni të plotë që kjo shoqëri po shkatërrohej.( shkelje Neni 99 i ligjit mbi Tregtarët dhe shoqëritë Tregtare). Që nga vitin 2008 deri në fund të vitit 2013. Humbjet e shoqërisë arrijnë jo pak por 39 miliard lekë ose 390 milion dollarë. Kaq nuk janë pagat e punonjësve së bashku me detyrimet. Kjo do të thotë se kompania po rrëshqiste me shpejtësi në një kaos dhe s’mund t’i lihej asgjë spontanitetit. Pra e shprehur thjesht kostot direkt materiale ishin më të mëdha se çmimi i shitjes. Me humbje të tilla dhe me marrje kredish afat shkurtra dhe afatgjata Administratorët e shoqërive po sipas ligjit duhet të përgjigjen me pasuritë e tyre personale dhe kjo duhej bërë edhe nga pronari shtet, që kishte dijeni. Kjo është absurd, se pse shteti nuk vepron për të mbrojtur interesat e kreditorëve. Çfarë mbron ky shtet? Nga ana tjetër dhe që është më e rëndësishme, Ministria e Ekonomisë në atë kohë ishte dakord që kapitali i saj në ARMO ishte zeruar, pra shteti i përfaqësuar nga Ministri i Ekonomisë ka firmosur dhe pranuar se kapitali i shoqërisë më 31.12.2013 ishte vetëm 9.75 milardë lekë ose rreth 100 milionë dollarë nga të cilat shteti kishte vetëm 15 milionë dollarë. Vetëm një vit më parë duke marrë për bazë pasqyrën financiare të pozicionit financiar të ndryshuar kapitali i shoqërisë ka rënë jo pak por 51,294 milionë lekë apo 513 milionë dollarë ku pjesa e shtetit është reduktuar, jo pak, por 77 milionë dollarë, nga 92 milionë dollarë që ajo ishte një vit më parë. Sigurisht kjo përbën shpërdorim dhe abuzim me detyrën në përmasa të frikshme. Në bazë të ligjit “Mbi shoqëritë aksionere” neni 16 është e ndaluar, që shoqëritë të operojnë në kushtet e mospasjes së kapitalit ose kur vlera e aseteve neto nuk mbulon dot detyrimet afatshkurtra dhe afatgjata që shoqëria krijon apo ka krijuar për një sërë vitesh. E vetmja portë shpëtimi në këtë rast është rivlerësimi i aktiveve të shoqërisë, ku më e dukshme ajo paraqitet tek aktivet afatgjata, të cilat kanë kërcyer pothuaj 10 herë mbi vlerën e tyre. Sigurisht analiza jonë mbështetet mbi faktet e dorëzuara në qendrën kombëtare të biznesit dhe që janë të hapura për të gjithë, investitorët dhe kreditorët e mundshëm. Ne duhet të theksojmë se shoqëria nuk ka të dorëzuar në këtë institucion pasqyrat financiare të viteve 2010, 2011, 2014, 2015 dhe 2016. Por mjafton edhe kjo pamje e përgjysmuar për të kuptuar se shoqëria, ka dështuar me dashje dhe me dijeni të pushtetarëve. Ata që kanë përfituar nga kjo situate, janë ata që janë hequr si pronarë dhe bankat që kanë dhënë kredi të pakontrolluara si she vemjet që përfitojnë nga kjo pasuri edhe sot. Për të mos u ndalur tek bankat, për të sqaruar si dhe pse ato janë përfituese, po vijojmë tek arsyet se përse shteti është përgjegjës direkt në këtë katrahurë, ku krimi ka përfshirë nga themelet këtë kompani dhe hedhur dhe ofenduar këtë shtresë punonjësish të ndershëm, të respektuar, të përkushtuar, kontributorë të shquar, patriotë, të pagojë dhe të sakrifikuar për kombin, veten dhe familjarët e tyre. Këta punonjës dergjen pa bukë, të helmuar dhe sëmurë nga kimikatet dhe kushtet e punës, nga shfrytëzimi pa kriter dhe pa kontroll i shtetit dhe lënë në mëshirë të fatit për ca aspra në duar pushtetarësh dhe të buxhetit të shtetit. Sot po i vuan buxheti dhe punonjësit, por jo ata që firmosën marrëveshjet, ata që i lanë rrugë të lirë vjedhjes dhe shpërdorimit, ata që vodhën dhe shpërdoruan dhe po shpërdorojnë pasurinë publike. Dhe sot i shohim duke kërcënuar veten me largim nga jeta duke u tentuar hedhjet nga kullat apo duke protestuar. Kur përmendet ARMO dhe dikush kërkon llogari për të, të gjithë kërkojnë t’i largohen përgjegjësisë, duke filluar nga Ekzekutivi, Parlamenti dhe Banka qendrore. Të gjithë e dinë dhe të gjithë nuk flasin majtas apo djathtas për mega vjedhjen dhe megashpërdorimin e pasurisë publike. Nuk është e rastit që mungojnë bilancet që duhet të ishin publike të kompanisë për vitet 2009, 2010, 2014 dhe 2015. Po kjo është e qartë dhe ka arsye. Të gjitha kampet politike kanë shfrytëzuar dhe shfrytëzojnë këtë pasuri kombëtare dhe janë majmur me të duke e falimentuar dhe duke mos u kujdesur për ata punonjës, për ruajtjen e vendeve të punës, për të ardhmen e prodhimit kombëtar. Të gjithë e dinë se me këtë pronë është vjedhur punonjësi, furnitorët dhe pasuria publike. Vlera e aksioneve publike në këtë shoqëri është nën zero dhe askujt, një apo disa ministrave ministrave, qeverisë, përgjegjësve direkt apo i ndirekt nuk i ka hyrë gjemb në këmbë. Gjembat kanë zënë ata që s’kanë para dhe që vjedhin 5 kilovatë energjie, (sepse e ka lënë ky shtet pa punë, pa kualifikim, në mes të askundit dhe xhunglës së krimit) sepse ka vjedhur ujë pa kontratë, (se s’ka para për të lidhur dhe paguar kontratën dhe ujin) sepse s’ka marrë leje të paguajë taksën bashkiake duhet të fusë në burg ata që rregullojnë çatinë që e pikon apo shtresat e pllakave në shtëpi. Por, po këta qeveritarë nuk shikojnë paratë e munguara në buxhet, në formën e detyrimeve tatimore, të detyrimeve për pagesën e kontributeve të naftëtarëve, për pagat e pa marra të këtyre punonjësve dhe për të cilat janë akoma më shumë përgjegjës se sa hajduti i vogël i energjisë, ujit apo taksës së Bashkisë. Kush do t’i mbrojë kreditorët dhe furnitorët e vegjël që presin radhën duke bllokuar ndërhyrjen në kapital të shoqërisë? Në një vend tjetër, në një shtet tjetër, kjo s’kishte për të ndodhur. Në asnjë vend nuk ndodh, që një kompani ku shteti 15% aksioner pranon akrobacione të tilla ku të mbivlerësohet prona dhe të shfryhet e zhvlerësohet brenda ditës. Në 2011 ajo rivlerësohet si kapital fizik 89 miliardë më shumë, ndërkohë që po këta ekspertë e vlerësojnë në 2016 total asetet 31.2 miliardë lekë dhe e blen pa paguar Banka Credins, sa shuma e detyrimeve që ARMO i ka bankës prej 25 miliardë lekë. Sa qesharak ky shtet. Por nga një anë kanë të drejtë se ka gjetur punonjës, të cilët besojnë se ende se ka ligj dhe se qeveria ende mund t’i gënjejë ata. Ata ende shpresojnë në happy end. Një iluzion.
Por a mund të thuhet se qeveria po punon për ta, kur:
1- Kanë lejuar me qëllim rivlerësimin e pasurisë duke fryrë vlerën e aseteve në mënyrë fiktive, disa herë më të larta se sa vlera reale. Për pasojë raporti borxh/kapital nështë ulur artificialisht duke lejuar kështu rrugë për thithjen e borxheve të reja. Por ajo që tremb çdo njëri është se, si është e mundur që dy lloj ekspertësh të pavarur kontabël vlerësojnë të njëjtën pasuri, kur i duhet pronarëve të shumicës disa herë më të lartë dhe kur u duhet bankave disa herë më të ulët? Dhe kjo bëhet në sy të shtetit pasi marrja e borxheve nuk merret pa miratimin e aksionerëve, edhe kur minoranca shtet voton kundër, sepse instrumentet e saj të kontrollit kalojnë mbi bankat që japin kredi. Pse dhanë bankat kredi kur kompania ishte me humbje. A ishte në politikën dhe objektivat e bankës blerja e aseteve fizike të ARMO-s,. Përse lejoi bankat të dilnin nga qëllimi i aktivitetit të saj financiar?
2- Në fund të vitit 2008 kjo pasuri ishte vetëm 15 miliardë lekë në total si aktiv. Kjo do të thotë që AQT e vlerësuar ishin, jo pak, por 5 herë më të larta. Kjo ka tjetër kuptimi sipas ligjit mbi Shoqëritë tregtare, i cili ndalon funksionimin e shoqërisë kur vlera e borxheve të shoqërisë është më e madhe se sa aktivet. Kush do t’i shlyejë kreditorët tashmë? Qeveria ka dhënë përgjigje se ajo kompani s’ka gjë me ne. Ajo është një subjekt i pavarur dhe kreditorët duhet t’i marrin paratë në llogaritë e kësaj kompanie. Por pyetja shtrohet, kush e lejoi që kjo kompani të mashtronte dhe të përfitonte paratë e kreditorëve, punonjësve dhe shtetit? Po ky shtet përse nuk vuri menaxherët e kompanisë, përfshi edhe drejtuesit e bordit përpara përgjegjësisë ligjore? Pse e ktheu në piramidë?
3- Këta specialistë, drejtorë, zv/ministra apo ministra që kanë lejuar shkeljen e ligjit në mënyrë të vazhdueshme duke anashkaluar mbrojtjen e punës dhe pasurisë së individit, përderisa kanë lejuar hollimin e kapitalit, mashtrimin e vazhdueshëm dhe emërimet kukull të anëtarëve të bordit drejtues, të cilët nuk kanë qenë profesionistë, por militantë partie apo nëpunës të zakonshëm në ministritë e linjës apo të ekonomisë dhe e kanë përdorur këtë post për plotësim page, përse nuk janë penalizuar ende?
4- Nëse do t’i referohesh faqes së WEB-it të qendrës kombëtare të biznesit (me gjithë problematikën e saj si faqe) numri i kreditorëve që kanë bllokuar aksionet është mjaft i lartë, ndërkohë nga ana tjetër në këtë faqe vijojnë të ngelen të njëjtët persona zotërues dhe drejtues të kompanisë, ndërkohë që afati ligjor i ushtrimit të detyrave u ka përfunduar ligjërisht. Ministria e ekonomisë, sot ajo e Financës dhe Ekonomisë nuk i ka dhënë ende drejtim kush do ta drejtoj këtë kompani, sepse titullari aktual në faqe nuk jeton prej kohësh në Shqipëri (ai ka marrë arratinë), dhe për këto detyrime që kjo kompani, mbart, kush do të përgjigjet. Ministria që administron pronat e shtetit dhe që ka 15% të kapitalit nuk sqaron, se përse nuk ka ndryshuar drejtimin e kompanisë të cilës i ka mbaruar afati. Cilët janë ata që japin e marrin me pronat e ARMO-s duke përdorur dy Uzinat e saj, ujësjellësin e Poçemit dhe TEC-in e Ballshit pa iu hyrë gjemb në këmbë, përkundrazi duke shfrytëzuar punonjësit , teknikën dhe gjithçka tjetër në këtë kompani. Ku janë raportet e mbledhjeve të aksionerit dhe të bordit drejtues? Sa kohë kanë që nuk mblidhen? Çfarë vendimi kanë marrë për borxhet që rriten? Si do ti shlyejnë?. Ato para janë pasuri kombëtare dhe janë po aq të vlefshëm sa kundërpartia në lekë e energjisë së vjedhur nga ai që s’ka punë, por që bën burg, nga ai që vjedh ujë, por që është në burg. Përse nuk bën publike vendimet e aksionerit edhe në rastin e tjetërsimit të pasurisë apo mënyrën se si borxhet do të shlyhen. Kujt duhet t’i kërkohet kjo llogari?.
Të analizuara në këtë prizëm, këta pushtetarë totalisht përgjegjës kërkojnë shkatërrimin dhe jo lulëzimin e ARMO-s, si edhe zhdukjen pa nam e nishan të çdo pasurie, letre dhe të asgjësojnë tërë dokumentacionet që ata i fajësojnë dhe që lidhen me ARMO-n. Shpresoj në një zot t’i ndihmojë ata punonjës dhe ish punonjës, ata kreditorë privat dhe ish punonjës që kanë fituar gjyqet. Ngelem pesimist në të ardhmen e përpunimit të naftës Made in Albania. Ky tranzicion ka prodhuar urrejtjen e produkteve industriale shqiptare dhe në mënyrë të veçantë të industrisë së përpunimit të mineraleve dhe naftës. Pra të parë në këtë prizëm naftëtarët, nëse duan të punojnë, nëse duan të ruajnë vendet e punës, nëse duan të garantohen kushtet e punës, pensioni dhe jeta , nëse duan të marrin paratë e prapambetura dhe duke parë se rruga e ekzekutimit të vendimeve gjyqësore është e akaparuar nga një sistem ligjor në favor të më të fortit, të ndryshojnë taktikat dhe të shikojnë rrugë të reja të zgjidhjes, të cilat të detyrojnë qeveritë dhe parlamentin të flasë , të marrë vendime dhe aksione në favor të tyre. Koha po mbaron dhe pushteti luan me kohën.
Sigal