Nafta, Shqipëria fik makinat për 5 min, Basha: Vetëm hapi i parë!

602
Sigal

TIRANE –  Partia Demokratike ka zhvilluar sot në orën 11:00 protestën kundër çmimit të karburantit, ku në të gjithë vendin, përfaqësuesit e PD, militantët dhe qytetarët që u bënë pjesë, kanë fikur makinat e tyre për 5 minuta.

Militantët e PD në shenjë protestë ndaj çmimit të karburantit kanë fikur makinat e tyre në disa prej qyteteve kryesore të vendit, duke shkaktuar edhe trafik dhe radhë të gjata në disa prej segmenteve kryesore.

Kështu në Durrës militantët e PD kanë bllokuar autostradën Durrës-Tiranë dhe më konkretisht pranë mbikalimit të Shkozetit. Gjithashtu protestës i janë bashkuar edhe qytetarët në në Vlorë, Lushnje Kavajë, Berat, Shkodër etj. Sakaq,  në Berat janë shënuar përplasje mes policisë dhe anëtarëve të PD lidhur me zhvillimin e kësajh proteste dhe trafikun e krijuar.

Në fjalën e tij, Kreu i Partisë Demokratike teksa falënderoi qytetarët e gjithë vendit që iu pranuan kësaj proteste, tha se ky është vetëm fillimi i valës së protestave kundër qeverisë, dhe premtimeve të saj të pambajtura.

Kjo pasi sipas tij kjo qeveri e ka mendjen vetëm të mbushë xhepat e saj, e ndërsa popullit i ka treguar kërbaçin e varfërisë. Në këtë drejtim, Basha paralajmëroi mbajtjen e protestave të radhës, për të kërkuar të drejtat që po u mohohen qytetarëve me rritjen e taksave.


“Protestojmë në mënyrë qytetare në shenjë proteste dhe refuzimi të qeverisë që me taksat e saj e ka kthyer Shqipërinë në vendin lider të ccmimit të karburantit në Evropë, për një popull që të ardhurat janë 3 herë më të vogla se në BE. këto janë taksat të padrejtësisë, që prek bukën e fëmijëve të shqiptarëve, shkatërron perspektivën evropiane ku është futur vendi. Kjo qeveri e ka mendjen të mbushë çantat e saj me lekët në xhepat e shqiptarëve, duke përgëzuar të gjithë qytetarët që morën pjesë në protestë, sot është dita e askujt, por e drejta e qytetarëve për një qeverisje të ndershme. Është hapi i parë, të tjerë do të vazhdojnë. Ky është hapi i parë për taksën e karburantit, dhe nisja e protestave për thyerjet e premtimeve. Është fillimi i protestave popullore masive për kërbaccin që po u tregohen qytetarëve.” theksoi Basha në fjalën e tij