Nafta rrit çmimin e miellit në, treg, buka shkon në 100 lekë

508
Sigal

DURRËS/Tregtarët: Miellin e marrim më shtrenjtë, rritja diktohet nga çmimi i karburantit

Duket se rritja e çmimit të miellit për linjat e prodhimit të bukës, ka bërë që prej disa ditësh buka të shitet më shtrenjtë në tregun e Durrësit. Një gjë e tillë në fakt ka qenë e detyruar për këtë lloj biznesi, pasi së bashku me rritjen e çmimit të miellit, i cili është rritur më shumë se 10 për qind, janë rritur edhe çmimi i karburantit si dhe niveli i tatimeve që paguhen në një vit nga subjektet në fjalë.

BUKA, TANI 100 LEKË

Të gjitha linjat e prodhimit të brumit e të gatimit të bukës janë ndeshur në mesin e javës me rritje të çmimit të miellit. Pronarët e furrave u shprehën se “ kjo do të ndikojë në mënyrë direkt në rritjen së paku deri në 10 deri 20 lekë të çmimit për bukë”. Linjat e bukës janë furnizuar me miell me çmim më të lartë se deri tani dhe kjo do të ndikojë në mënyrë të drejtpërdrejtë në ndëshkimin e blerësit. Prodhuesit  thanë se, rritja e çmimit të bukës po kushtëzohet jo vetëm nga rritja e çmimit të miellit por edhe përdorimi i naftës në vend të energjisë së munguar dhe konkurrenca nga furrat e palicencuara. Disa nga furrat e prodhimit të bukëve në Durrës e kanë rritur tashmë çmimin e shitjeve të bukëve me shumicë dhe pakicë. Kështu buka që shitej 80 lekë, tashmë është bërë 100 lekë pa ndryshuar pesha e saj.

ARGUMENTET

Rritja e çmimit është bërë e diktuar nga rritja e çmimit të miellit, i cili në fillimin e javës  së kaluar u bë nga 65 lekë për kg, në 85 lekë për kg. Nga ana tjetër mjaft linja të tjera të prodhimit të brumërave dhe bukës, kanë frikë të rrisin çmimin, pasi tremben se mos u ikën klientela. Disa ditë më parë në Durrës janë mbledhur rreth 40 përfaqësues të furrave të bukës, ku kanë tentuar ngritjen e një shoqate në mënyrë që vendimet për rritjen e çmimit të merren njëzëri dhe të mos ketë ndikim në penalizimin e furrave që e rrisin çmimin të parat. Bëhet e ditur se në fundjavë do të bëhet një takim tjetër me më shumë përfaqësues për të krijuar shoqatën e furrtarëve në Durrës, pasi gjatë javës së kaluar  është bërë përgatitja e punës për hartimin e statutit të ri të shoqatës.