Naço: Zgjidhje brenda 90-të ditëve për çështjet

606
Sigal

Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço dhe n/kryetari i KLD-së, Elvis Cefa, vizitojnë ambientet e Gjykatës Administrative të sapoçelur

Gjykatat Administrative në të gjithë vendin, kanë çelur ditën e hënë dyert për të gjithë qytetarët, subjektet apo vartësit në institucionet shtetërore të cilët dyshojnë se akti administrativ i marrë ndaj tyre nga ana e institucioneve shtetërore është i paligjshëm. Me rastin e nisjes së aktivitetit të kësaj gjykate, Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço dhe nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Elvis Cefa, vizituan ambientet e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë. Ministri Naço gjatë ceremonisë siguroi se janë marrë të gjitha masat për nisjen normale të Gjykatës Administrative në Tiranë dhe në të gjitha gjykatat në vend, ndërsa shtoi se në këtë gjykatë çështjet do gjejnë zgjidhje brenda 90-të ditëve.  “Kushtet janë optimale për të nisur punën. Me këtë gjykatë do të procedohet më shpejt për ankesat e qytetarëve”, tha ministri i Drejtësisë. Në këtë gjykatë, shtoi Kreu i Drejtësisë, do të procedohet më shpejt për të zgjidhur çështjet nga se është bërë më parë. “Pra, nëse në Gjykatën e Lartë sot janë 10 000 çështje të pazgjidhura prej disa vitesh, në këtë gjykatë çështjet do të gjejnë zgjidhje brenda 90-të ditëve”, tha Naço.  Ministri i Drejtësisë theksoi se kjo është një gjykatë e mirëpritur nga të gjithë qytetarët, e cila i ka munguar vendit tonë ndër vite. Sipas tij, ky është një revolucion, që do të shoqërohet nga reforma të tjera në fushën e drejtësisë. Naço bëri të ditur se, në Kuvend shumë shpejt do dorëzohen ndryshimet në Kodin e Procedurës Civile dhe të gjitha ndryshimet që do të bëhen në Kode dhe ligje e tjera. Në fjalën e tij, Nënkryetari i KLD-së, Elvis Cefa tha se kjo gjykatë do jetë gardian e veprimtarisë së administratës.  “Këtu jemi për të siguruar qytetarët se KLD-ja dhe sistemi i drejtësisë do ta kenë në qendër të tyre veprimtarinë e kësaj gjykate”, tha Cefa. Sipas tij, “kjo gjykatë, ka 7 salla që do të krijojë një lehtësi në punën e saj. KLD do jetë dhe do konsiderojë të rëndësishme marrëdhënien me publikun”. Sipas nënkryetarit të KLD-së, “vendet vakante në gjyqësor momentalisht nuk përbëjnë një emergjencë për punën e këtyre gjykatave”. “KLD që në mbledhjen e ardhshme do të nisë punën për plotësimin e vendeve bosh”, përfundoi fjalën e tij, nënkryetari i KLD-së, Elvis Cefa.

Gjykata Administrative, ka për qëllim garantimin e mbrojtjes efektive të të drejtave subjektive dhe interesave të ligjshme të personave, nëpërmjet një procesi të rregullt gjyqësor dhe brenda afateve të shpejta e të arsyeshme, duke rritur transparencën e vendimeve administrative nis sot aktivitetin e saj. Çelja e kësaj Gjykate ishte një nga kushtet e kërkuara nga Bashkimi Europian për marrjen e statusit të vendit kandidat për t’u bërë pjesë e familjes së madhe europiane. Krijimi i kësaj gjykate sjell një risi në kuadër të gjykimit të mosmarrëveshjeve administrative, lidhur me detyrimin e organeve publike për të paraqitur provat, që kanë mundësuar nxjerrjen e akteve apo kryerjen e veprimeve administrative, që më pas kanë sjellë cenimin e të drejtave të ligjshme të personave. Gjykata Administrative gjykon mbi aktet shkresore dhe mosparaqitja e palëve nuk përbën shkak për pushimin e gjykimit.

Odiseja e projektligji për ngritjen e Gjykatës Administrative e ka zanafillën që në vitin 2008. Ndërsa që prej vitit 2009, drafti qëndroi në Kuvend për shkak të ngërçit politik, ndërsa u votua me konsensus të plotë para zgjedhjeve të qershorit 2013 dhe tashmë pas propozimit të Ministrit të Drejtësisë pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë, u vendos çelja e saj më datën 4-nëntor.

Gjykata e Lartë, krijohet Kolegji Administrativ

Në kuadër të riorganizimit të Gjykatës së Lartë, është  krijuar kolegji administrativ, në përbërje të të cilit do të jenë 6 gjyqtarë. Burime zyrtare nga Gjykata e Lartë bënë të ditur për “Telegraf” se, në bazë të Urdhrit Nr. 241 datë 01.11.2013 të Kryetarit të Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori, u morën masat administrative të nevojshme, të cilat bëjnë të mundur riorganizimin e kolegjeve të Gjykatës së Lartë. Kryetari i Gjykatës së Lartë, pas konsultimeve me Trupën Gjyqësore, vendosi riorganizimin e përbërjes së kolegjeve të Gjykatës së Lartë, në përputhje me parashikimet e Ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë” dhe Ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, të cilët mundësojnë krijimin dhe funksionimin e Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë, në përbërje të të cilit do të jenë 6 gjyqtarë. Duke filluar nga data 4 Nëntor 2013, riorganizimi dhe caktimi i gjyqtarëve në Kolegjin  Administrativ të Gjykatës së Lartë është si vijon:

Kolegji Administrativ

Xhezair Zaganjori

Ardian Dvorani

Evelina Qirjako

Arjana Fullani

Andi Çeliku

Medi Bici