Naço urdhëron nisjen e procesit për testimin e punonjësve të ZVRPP

462
Sigal

TIRANE– Ministri i Drejtësisë Nasip Naço ka urdhëruar ditën e sotme nisjen e procesit të testimit të regjistruesve të pasurive të paluajtshme. Duke filluar nga sot, Kryeregjistruesi duhet të përcaktojë kriteret dhe procedurat për certifikimin e aftësive profesionale të regjistruesve të ZVRPP, si dhe të testimit të aftësive profesionale të personelit të këtyre zyrave.
 
Sipas urdhrit të ministrit Naço, këto kritere dhe procedura duhet të hartohen brenda datës 31.12.2014, dhe kryeregjistruesi po brenda kësaj date duhet t’ia duhet propozojë për miratim Bordit Drejtues të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.
 
Më tej, brenda 60-ditëve nga miratimi i kritereve dhe procedurave, Kryeregjistruesi duhet që të marrë masat e nevojshme për realizimin e testimit / certifikimit të aftësive profesionale të të gjithë drejtuesve dhe punonjësve, sipas procedurës të miratuar.

Në urdhrin e Ministrit të Drejtësisë është parashikuar edhe afati i daljes së rezultateve përfundimtare, të cilat duhet të bëhen me dije nga Kryeregjistruesi brenda 30-ditëve nga kryerja e testimit.
 
Urdhri i Ministri Naço konfirmon deklaratën e tij të pak ditëve më parë, gjatë ceremonisë së finalizimit të projektit ALBSReP, ku ndër të tjera ministri Naço njoftoi se përpos investimit në teknologji, do të investohet po kaq edhe në përmirësimin e aftësive profesionale të punonjësve të zyrave të regjistrimit.
 
Sipas ministrit Naço asnjë teknologji e re moderne nuk mund të japë rezultatet e dëshiruara në rast se përdoret nga punonjës të pakualifikuar apo nga të tjerë nëpunës të cilët e keqpërdorin besimin e dhënë për kryerjen e detyrës.
 
Kreu i Drejtësisë shqiptare pak ditë më parë, vuri në dukje se në programin qeverisës, përpos përmirësimit të shërbimeve publike dhe verifikimit të cilësisë së tyre nëpërmjet teknologjisë së informacionit, është me rëndësi edhe rikthimi i nëpunësve të administratës në shërbyes të qytetarëve.