Naço: Shërbim këshillimor juridik falas për PAK

560
Sigal

Personat me aftësi të kufizuar, BE organizon një tryezë me disa aktorë

Bashkimi Europian organizoi dje një tryezë mbi aksesin në drejtësi të personave me aftësi të kufizuar. Të pranishëm në këtë tryezë kanë qenë edhe zv/kryeministri Niko Peleshi, ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, nënkryetari i KLD-së Elviz Çefa, Sinan Tafaj kreu i Shoqatës për PAK dhe Avokati i Popullit, Igli Totozani,

Kreu i Prezencës së Bashkimit Europian në vendin tonë, Ettore Sequi tha se, nëse Shqipëria dëshiron të bëhet pjesë e BE-së duhet të ofrojë akses në drejtësi për të gjithë, përfshirë këtu edhe për PAK. “BE e konsideron mjaft të rëndësishme këtë pjesë dhe prandaj ka dhënë një shumë të konsiderueshme parash për të nxitur rritjen e aksesin në drejtësi të PAK, duke ngritur në këmbë një projekt konkret prej 15 milionë eurosh, që edhe Shqipëria të ecë përpara drejt integrimit të plotë në BE”, theksoi Sequi. Ndërkohë nga ana e tij Sinan Tafaj, kreu i Shoqatës së Personave me aftësi të kufizuar, tha se, “aksesi në drejtësi është hapi i parë për respektimin e të drejtave të njeriut. Përmes këtij aksesi ne kemi zotësinë për të vendosur vetë. Për PAK, e drejta e përfaqësimit, është një nga shqetësimet kryesore”, tha Tafaj.

 

Peleshi: Garantimi i të drejtave të PAK, detyrim ligjor

“Garantimi i të drejtave të personave me aftësi të kufizuar nuk duhet të shihet më si një bamirësi, por detyrim për të garantuar një barazi të drejtë ligjore”. Kështu deklaroi zëvendëskryeministri Niko Peleshi ndërsa foli në konferencën me temë “Drejtësia dhe personat me aftësi të kufizuar”. Sipas tij, të gjitha qeveritë që kanë kaluar janë borxhlinj ndaj kësaj kategorie, pasi i kanë trajtuar gjithmonë si çështje e dorës së tretë. “Në këto vite kemi arritur shumë pak, aq sa nuk mund të krenohemi. Nëse ka ca arritje në drejtim të përmirësimit të të drejtave të PAK, merita është e vetë atyre, po ashtu edhe e partnerëve tanë ndërkombëtarë që kanë ndjeshmëri më të madhe ndaj kësaj kategorie. Ka ardhur koha të heqim dorë që çështjen e PAK ta konsiderojmë si çështje të dorës së tretë. E di që jeni lodhur nga premtimet pa fund gjatë këtyre viteve të politikanëve, edhe unë jam në atë pozicion sot ku më duhet të flas për sensibilitetin dhe planet tona. Nëse ne nuk ndërtojmë një mentalitet qeverisës të ndryshëm dhe të ri, nëse nuk ndërtojmë një marrëdhënie me përfaqësuesit e personave me aftësi të kufizuar nuk mund të arrijmë shumë. Duhen vendosur tre ura, ligjore fizike dhe në atë të mentalitetit. Ajo ligjore ka nevojë për përmirësim, por s’i kemi shumë të këqija ligjet ne, çështja është zbatimi i tyre. Në urën fizike jemi shumë larg, ka vetëm disa ndërhyrje pilot. Aksesi në institucionet publike, aksesi në institucionet e drejtësisë është një nga sfidat, nuk kërkon buxhet të madh, por vullnet politik. Kemi edhe urën e mentalitetit për të kapërcyer, ndaj them që nuk është çështje vetëm e qeverisë, por nis që nga familjarët e tyre. Të kesh një fëmijë me aftësi të kufizuara, nuk është turp. Trajtimi i personave me aftësi të kufizuar nuk duhet të shihet më si bamirësi, por si barazi ligjore”, tha Peleshi. Numri dy i qeverisë garantoi se maxhoranca qeverisëse do të punojë çdo ditë që të jetë më e ndjeshme ndaj kësaj kategorie për të vendosur një kulturë të re të trajtimit të personave me aftësi të kufizuar.

“Ne do bëjmë punën tonë që të jemi një qeveri e ndjeshme, një qeveri që reagon ndaj presionit tuaj pozitiv për tu garantuar të drejtat tuaja. Janë hedhur disa hapa, është caktuar një zëvendësministre, sapo kemi ngritur komitetin ndërministror, kemi marrë angazhime të paktën për projektet që do zhvillohen me buxhetin e shtetit të ndërtojnë dhe infrastrukturën për PAK. Sfida është shumë më e madhe se kaq. Duhet të kujdesemi për aksesin sidomos për institucionet e drejtësisë. Ne do luftojmë çdo ditë për të marrë projekte në përshtatje me këtë kulturë të re të trajtimit të personave me aftësi të kufizuar”, përfundoi ai.

Naço: Aksesi i PAK në qeveri, prioritet i qeverisë

Shërbim këshillimor juridik falas për Personat me Aftësi të Kufizuar (PAK), garantoi ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, ditën e djeshme në tryezën e organizuar nga Bashkimi Europian mbi aksesin në drejtësi të PAK. Gjatë fjalës së tij, ministri i Drejtësisë theksoi se dikasteri që ai drejton është mjaft i ndjeshëm ndaj çështjeve që lidhen me të drejtat e njeriut dhe në veçanti sa i takon të drejtave, që prekin personat me aftësi të kufizuar ose personat që kanë pamundësi ekonomike e sociale për të pasur aksesin e nevojshëm në drejtësi. “Ndërmarrja e iniciativave ligjore për t’i dhënë garanci personave PAK, që të kenë akses të plotë në drejtësi është prioritet i qeverisë shqiptare”, siguroi Naço. Në muajin dhjetor të 2013, kujtoi ai, qeveria shqiptare duke u nisur nga raporti i BE-së vendosi reduktimin e tarifave për ngritjen e një kallëzimi penal deri në 50%, duke ulur një nga barrierat që ndikonin në aksesin në drejtësi. Për të rritur edhe më tej këtë akses, Naço bëri të ditur se, në reformën që do bëhet në drejtësi, personat me aftësi të kufizuar, si dhe personat të cilët për shkak të problemeve sociale dhe ekonomike nuk kanë mundësi të kenë akses në drejtësi, qoftë edhe për shkak të distancave, do t’i ofrohet shërbim këshillimor juridik falas në zonën, ku ata ndodhen. “Për të shpejtuar këtë proces, me urdhër të Ministrisë të Drejtësisë të datës 22 janar 2014, do të ngrihet dhe do të funksionojë zyra e këshillimit ligjor. Kjo zyrë, veç Tiranës do të ketë segmente të saj edhe rrethe të tjera të mëdha, Shkodër, Korçë, Durrës etj, dhe do i japë mundësi kësaj kategorie personash të informohen mbi procedurat ligjore dhe të marrin vendim nëse problematika e tyre ka nevojë për shqyrtim gjyqësor ose jo”, -tha Naço. Ministri i Drejtësisë vuri në dukje se dikasteri që ai drejton ka ngritur portalin antikorrupsion, si një dritare në të cilën të gjithë qytetarët mund të denoncojmë problemet e hasura në sistemin e drejtësisë. “Kjo, dritare theksoi Naço, na mundëson të njihemi me problemet që hasin qytetarët shqiptar nëpër gjykata dhe të ndërmarrim iniciativat e nevojshme për të reduktuar këto problematika, çka besojmë se do të sjelli rritje të transparencës dhe besimit të shqiptarëve karshi drejtësisë”. Këto hapa, shtuar këtu dhe digjitalizimin e sistemit të drejtësisë, sipas ministrit janë rruga më e mirë për të kuruar drejtësinë shqiptare, duke rritur besimin dhe aksesin në të. “Ministria e Drejtësisë, garantoi Naço do të punojë për t’i dhënë shqiptarëve një sistem drejtësie sipas standardeve europiane duke e përsosur atë”.