Naço: Gjykim të shpejtë dhe transparent

516
Sigal

Zhvillohet analiza vjetore e Gjykatës së Tiranës

Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço ishte i pranishëm dje në analizën vjetore të punës së Gjykatës së Rrethit Tiranë. Në fjalën e tij ministri Naço ka sjellë edhe njëherë në vëmendje evidentimet që ka bërë Progres Raporti i Komisionit Evropian të vitit 2013, mbi sistemin gjyqësor, ku citohet ndër të tjera, se: “Lufta kundër korrupsionit në gjyqësor ka bërë progres të kufizuar dhe se Shqipëria duhet të përditësojë strategjinë e reformës së saj gjyqësore, të promovojë më tej pavarësinë, eficencën dhe përgjegjshmërinë e institucioneve të saj gjyqësore”.

Gjatë fjalës së tij Ministri Naço theksoi se në kuadër të reformave për rritjen e eficencës në gjykime, luftën kundër korrupsionit me qëllim rritjen e efektivitetit në sistemit e drejtësisë, është dërguar për mendim “Kodi i Procedurës Penale”, i ndryshuar, ku janë prezantuar risitë dhe është bërë ftesë e hapur për të gjithë aktorët e sistemit për të dhënë kontributin e tyre.

Gjykata e Shkallës së Parë, mbi 50 % të çështjeve

Ndërsa e konsideroi këtë gjykatë si Gjykatën e Shkallës së Parë më të rëndësishme, jo vetëm për nga volumi i çështjeve, por edhe problematikat që trajton, Ministri Naço vlerësoi se kjo gjykatë, ndër vite ka dhënë me mijëra vendime gjyqësore, duke qenë kështu një kontribuuese e madhe e drejtësisë në shkallë vendi. “Është fakt i pamohueshëm, që kjo gjykatë gjykon mbi 50% të çështjeve në rang vendi. Po kështu nga radhët e trupës gjyqësore, të kësaj gjykate, janë përzgjedhur në sistemin e karrierës gjyqtarë për gjykatën e apelit, gjykatën e lartë, si dhe gjykatën kushtetuese. Është po kaq i vërtetë edhe fakti që përpos ngarkesës së madhe të çështjeve që përballon kjo gjykatë, ndër vite, ka patur vazhdimisht shtim të numrit të gjyqtarëve. Volumi i madh i çështjeve në gjykim në këtë gjykatë, problematika dhe dinamika në vijimësi, ka treguar qartë se ka patur një vëmendje të shtuar ndaj Gjykatës së Tiranës, qoftë në planin mediatik, politik, apo dhe të perceptimit të publikut te drejtësia në përgjithësi dhe te gjyqësori në veçanti”, u shpreh z. Naço

Kujdesi për procesin gjyqësor

Kreu i drejtësisë shqiptare thekoi se duhet një punë e madhe dhe e vazhdueshme, jo vetëm nga drejtuesi i gjykatës, dhe trupa gjyqësore, por dhe nga administrata gjyqësore, për trajtimin me kujdesin e duhur etik dhe ligjor, të çdo çështje, apo kërkese që vjen nga çdo subjekt. “Në kuadër të efiçencës në gjykim, kërkohet nga ana juaj, të bëni kujdesin e duhur që procesi gjyqësor të përfundojë brenda një kohe të arsyeshme, seancat gjyqësore të jenë publike e transparente, vendimet gjyqësore të shpallen brenda afateve të arsyeshme të përcaktuara në dispozitat procedurale penale dhe civile, duke rritur kështu cilësinë në arsyetimin dhe argumentin e vendimeve gjyqësore. Është gjithashtu me mjaft rëndësi respektimi i dispozitave ligjore për mbajtjen, ruajtjen dhe arkivimin e procesverbalit të seancës gjyqësore me mjete audio, në respektimin e rregullave të etikës gjyqësore, të transparencës së gjykimit tek publiku, të cilat për fat të keq mendoj se kanë mbërthyer sot një pjesë të pushtetit gjyqësor dhe kanë dobësuar besimin e qytetarëve tek drejtësia e gjykatës”, tha Ministri Naço. Gjithashtu, ministri Naço theksoi se është e rëndësishme për të gjithë sistemin inkurajimi i gjyqtarëve të ndershëm, të cilët nuk tundohen nga fenomene korruptive, forcimi i pavarësisë së tyre në marrjen e vendimeve, duke rritur padyshim llogaridhënien dhe integritetin si faktorë kyç të reformës në drejtësi.

  Ndryshimet në kod, dënime më të forta për tritolin

 Qeveria propozon ndryshime në Kodin Penal për të ashpërsuar masat e dënimit për dy vepra penale qe parashikojnë krimet e prodhimit dhe shpërndarjes së eksplozivëve, si dhe shkeljes se rregullave për ruajtjen e tyre. “Duke marrë shkas nga veprimtaria kriminale e përdorimit te lendeve plasëse, prej të cilave siguria e rendit është e cenuar, nga strukturat përkatëse të Policisë së Shtetit është bërë një analizë e hollësishme dhe është arritur në konkluzionin se, veç shkaqeve të tjera, kjo situatë favorizohet edhe nga masa e ulët e dënimit të parashikuar në dispozitat përkatëse të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë”, vëren Ministria e Brendshme në relacionin shoqërues të projektligjit për rishikimin e Kodit.

Sipas MPB krahas veprave penale me lëndë plasëse, gjatë kësaj periudhe janë konstatuar edhe shkelje në rregullat e ruajtjes se tyre nga subjektet e licencuara për përdorim civil, ato të import-eksportit, apo kompanitë që e përdorin atë në gurore apo shfrytëzime të tjera nëntokësore. Shkelja e këtyre rregullave ka bërë që sasi eksplozivash të përfundojnë në duart e kriminelëve. Ministria bën të ditur se si pasojë e hetimeve janë arrestuar persona që kanë shkelur ligjin për ruajtjen e lëndëve eksplozive, por ata janë liruar, pasi ligji e parashikon si kundravajtje penale. Për këtë arsye qeveria i konsideron të pamjaftueshme sanksionet e parashikuara në rastet e konsumimit të veprës penale të “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe të municioneve” si dhe “shkeljes të rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”.

Ndryshimet

Për këtë arsye propozohet që paragrafi 3 të nenit 278 të Kodit Penal, ku është parashikuar masa e dënimit me burgim nga një deri në pesë vjet, të propozohet ndryshimi i dënimit nga 5 deri në 8 vjet burg. Gjithashtu, në Nenin 282 të Kodit Penal, ku përcaktohet vepra penale: “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”, ku masa e dënimit është me gjobë, ose me burgim gjer në dy vjet, të parashikohet në dënimin me burgim nga dy deri në pesë vjet. Ndërsa në paragrafin e dytë, masa e dënimit nga ajo me gjobë ose me burgim gjer në dhjetë vjet, parashikohet me dënimin vetëm me burgim nga dy deri në dhjetë vjet. Duke hequr mundësinë e dënimit me gjobë dhe caktimin e një kufiri të dënimit minimal më të lartë se ai ekzistues.

 Projektligji/E drejta e informimit, AP: Të ulet koha për marrjen e përgjigjeve nga institucionet

 Avokati i Popullit ka hartuar një projekt të veçantë për disa ndryshime në ligjin për të drejtën e informimit mbi dokumentet zyrtare ku parashikohet dhe ulja e kohës në marrjen e përgjigjeve nga institucionet. “Kemi vite qe theksojmë nevojën për ndryshim të dispozitave të ligjit për të drejtat e informimit të dokumenteve zyrtare. Ka pasur disa tentativa, janë paraqitur disa projektligje në kuvend. Por nuk kanë qenë në fokus ato projektligje që duhen të jenë për përmirësimin e këtij ligji, por qëndrojmë besnik sugjerimeve që ne i riprezantojmë edhe njëherë që do jetë në dorën tuaj”, tha Alket Jaupi.