N/prefekti i Sarandës, anulon vendimet e këshillave vendore për shkelje të standardeve gjuhësore

582
Sigal

Flet për “Telegraf”, n/prefekti (me kompetenca të zgjeruara), Meto Nelaj: Sekretaret duhet të mësojnë të shkruajnë shqip

I sapoemëruari në detyrën e nënprefektit të Sarandës, z.Meto Nelaj, (nënprefekt me kompetenca të zgjeruara, ku me këtë status janë katër nënprefektura në Shqipëri) është përballur me një fenomen që e ka detyruar jo vetëm të anulojë 6 vendime të pushtetit vendor nën juridiksionin e tij, por edhe të nxjerrë një urdhëresë që të gjitha institucionet të kenë para tryezës së punës Fjalorin e Gjuhës Shqipe dhe shumë fjalorë të tjerë si pastërtia nga fjalët e huaja, ai i sinonimeve, i drejtshkrimit etj.. Por ai shkon më tej, duke deklaruar se, sekretarët e pushtetit vendor, brenda juridiksionit të tij do t’i nënshtrohen një seminari trajnues për të mësuar se si formatohet një vendim para se të vejë në firmën e nënprefektit dhe më tej në arkivë, pra kjo rrugë e dokumentit ligjor nuk njihet nga sekretarët. Lidhur me këtë vendim të nënprefektit të Sarandës për zbatimin e standardeve të shqipes së shkruar në formulimin e informacionit dhe çdo dokumenti zyrtar, (sepse përbën lajm) ne kontaktuam me nënprefektin e sapoemëruar pas largimit të LSI-së nga koalicioni.

Reagimi

N/prefekti Nelaj deklaroi për “Telegraf” se, ky vendim është marrë në një kohë që janë anuluar 6 vendime të këshillave vendore për moszbatim të rregullave gramatikore, të drejtshkrimit dhe juridike në formulim të formatit prezantues tek autoriteti konfirmues, që në këtë rast është n/prefektura. Kjo sjell pasoja në interpretim dhe vendim juridik, pasi dihet se si shpëtoi Lenini për një presje të vendosur në vendin e gabuar. Përpilimi zyrtar qoftë i informacionit, qoftë i dokumentacionit, është për të ardhur keq. Duke parë këtë situatë dhe me qëllimin e përmirësimit të saj, n/prefektura e Sarandës ka vendosur të bëjë një seminar trajtues, por nuk janë shumë shpresues tek rezultati, ndaj n/prefekti Nelaj bën thirrje që, pavarësisht se, ligji lejon që sekretaret të jenë propozim dhe miratim i autoritetit vendor, duhet të respektojnë edhe kriterin gjuhësor (ka edhe komuna, ku sekretaret nuk dinë shqip-konstatimi im-AM). Seminari që do të mbahet gjatë javës së parë të muajit Maj, kryesisht do të ketë Drejtshkrimin e Shqipes dhe gjithë zbatueshmërinë ligjore të dokumentacionit shtetëror. Formulimi i dokumentacionit nga n/prefektura, do të pranohet vetëm kur të respektohen standardet e drejtshkrimit dhe pastërtisë së gjuhës shqipe, pasi është dokument zyrtar dhe kjo është kriteri i parë për t’u miratuar dhe arkivuar, pa fjalët dhe termat që nuk janë pjesë e fjalorit të shqipes, por të huazuara në rrugë të ndryshme.

Çdo tavolinë të ketë Fjalorin e Gjuhës Shqipe

N/prefekti Nelaj ka deklaruar se, fillimisht e ka nisur nga institucioni i tij që ka urdhëruar çdo tavolinë me fjalorë të standardeve të Shqipes dhe bën apel edhe për njësitë vendore të juridiksionit të tij për t’u pajisur me fjalorët drejtshkrimorë, pasi do të përballen me mosmiratim të vendimeve dhe kërkesave të tyre. Kjo iniciativë e nënprefektit Nelaj, besoj se, duhet përkrahur nga të gjitha njësitë vendore dhe institucionet shtetërore.