Mynyr Koni zgjidhet Rektor i Universitetit të Tiranës

628
Mynyr Koni ka fituar garën për Rektor në Universitetin e Tiranës duke lënë pas kandidaten tjetër, Klodeta Dibra. Koni ka arritur të marrë pjesën më të madhe të votave duke zëvendësuar në postin e Rektorit Dhori Kulen. Numërimi i votave të pedagogëve që përbëjnë 90% të votave të llogaritura në total ka nxjerrë fitues si rektor të UT-së, me 460 vota, kandidatin Mynyr Koni, aktualisht Dekan i Fakultetit të Shkencave të Natyrës. Ai është një profesor i njohur në vend dhe me një karrierë të spikatur prej 24 vitesh. Kandidatja Klodeta Dibra ka marrë 243 vota gjë që e bën të vështirë një ndryshim të rezultatit duke llogaritur edhe votat e studentëve që përbëjnë 10%. Mynyr Koni ka fituar në të gjitha fakultetet, përjashtuar atë të Gjuhëve të Huaja, ku Klodeta ka fituar me 100 vota ndaj 36 në favor të tij.
Pas përfundimit të numërimit të votave të pedagogëve, ka nisur procesi i numërimit të votave të studentëve. Më herët, pedagogia Majlinda Keta, kryetare e Komisionit Institucional Zgjedhor në Universitetin e Tiranës, ka konfirmuar se kanë votuar 98% e stafit pedagogjik. Gjithashtu, zyrtarisht është mësuar se në zgjedhjet për Rektorin e ri të Universitetit të Tiranës, kanë votuar 50% e studentëve të fakulteteve, të cilët kanë luajtur një rol të rëndësishëm në përcaktimin e fituesit të kësaj gare. Menjëherë pas përfundimit të procesit të votimit, të dy kandidatët, Mynyr Koni dhe Klodeta Dibra kanë përshëndetur procesin duke nënvizuar se në këto zgjedhje nuk ka asnjë të humbur dhe duke e vënë theksin në faktin që fituesi i vërtetë do të jetë Universitetit i Tiranës. Mynyr Koni mbante postin e Dekanit të Shkencave të Natyrës dhe tashmë do të zëvendësojë Dhori Kulen në postin e Rektorit të Universitetit të Tiranës.
Sigal