Muxhahedinët që Perëndimi i quan “qeder”, Shqipëria i pranoi me përulje duke e quajtur… “nder”!

372
Tashmë është fakt, që në Shqipëri ka nisur e do të vazhdojë “desantimi” i plotë i 3100 muxhahedinëve anëtarë e luftëtarë të “MEK”, kësaj organizate që edhe prej BE dhe krejt shteteve perëndimore demokratike, njihet me profil “terrorist”. Dosja “Muxhahedinët”, tregon në detaje se anëtarët e kësaj organizate të etiketuar “terroriste”, nuk janë “emigrantë” në nevojë që pranohen si “mëshirë sociale për 1 strehë, për 1 “kafshatë bukë e për të shpëtuar kokën” nga terrori në vendet e tyre, por klasifikohen si “ushtri e specializuar terrori” që nuk e pranon asnjë shtet, sidomos në BE. Por i pranoi Shqipëria me përulje, madje edhe duke e quajtur “nder që i bëhet”.
Përse pranimi i muxhahedinëve në Shqipëri, ka shkaktuar reagime e panik?
Pikërisht 3100 prej tyre, ata që SHBA i ka pasur të “tufëzuar” në kampin “Liria”, do të strehohen në Shqipëri. Ky pranim që bëri shteti shqiptar, ka ngjallur reagime të ashpra alarmuese brenda shoqërisë shqiptare, por edhe prej fqinjve, sidomos prej Greqisë, mediet e të cilës e kanë konsideruar futjen dhe mbajtjen e tyre në Shqipëri, si një rrezik potencial për organizim dhe realizim aktesh terroriste edhe në Greqi, mbasi sipas shtetit grek, ky vend ndodhet i rrethuar nga rreziku terrorist, referuar alarmit grek për sulme terroriste, që sipas panikut të tyre të shprehur tashmë, mund të kalojnë edhe nëpërmjet kufirit me Turqinë, për faktin se këto organizata me përbërje kontingjente dhune ekstremiste është vështirë të mbahen nën kontroll edhe në kushte izolimi të plotë e “hermetik”. Një reagim i ashpër është bërë dje edhe nga Irani, i cili pas vendimit për pranimin dhe strehimin e 3100 muxhahedinëve në total, akuzon Shtetin Shqiptar, si “strofull të terroristëve”. Përfshirja e muxhahedinëve për vite të tëra në aktivitete terroriste, mbështetja që ata i kanë dhënë diktaturës së Sadamit, rrezikshmëria për shkak të aftësitë ushtarake të fituara prej shumë nga ta, idetë radikale, organizimi i tyre autokratik bazuar në kultin e personalitetit, dhe, në pergjithësi, perceptimi si një grup i rrezikshëm, i paparashikueshëm dhe i pakontrollueshëm, kanë qenë arsyet që shumë shtete kanë refuzuar të pranojnë muxhahedinë iranianë. Shumë vende perëndimore e konsiderojnë ende MEK-un organizatë terroriste. Për këto arsye, vendimi i Shqipërisë ngjalli habi dhe tërhoqi paralajmërime mbi pasojat e rrezikshme që ai mund të sjellë. “Interlink”, një organizatë e ish-anëtarëve të larguar nga MEK, ka paralajmëruar disa herë publikisht qeverinë shqiptare se moxhahedinët do ta kenë të thjeshë të rekrutojnë dhe të ngrenë baza të tjera në një vend si Shqipëria ku krimi i organizuar dhe varfëria janë në nivele te larta.
Sipas “Radio Iranit”: “Shqipëria do të ndërtoj një kamp strehimi për terroristët”.
“Hyrja në kampin “Liberti’”dhe humbja e shpresave për t’u kthyer përsëri në kampin ‘Ashraf’ të Irakut u bë shkak që krerët e këtij grupi terrorist të lakmojnë që ta shndërrojnë kampin “Liberti” si një bazë të përhershme të tyre. Mirëpo vendimi serioz i qeverisë së Irakut për dëbimin e organizatës terrorist Muxhahedine Khalk nga territori irakian, si dhe acarimi i popullit irakian ndaj pranisë së terroristëve të këtij grupi në vendin e tij, i detyroi krerët e këtij grupi terrorist që të kërkojnë një bazë të re për t’i vendosur pjesëtarët e kësaj organizate terroriste. Në këtë mes me ndërmjetësimin e Amerikës, u zgjodh Shqipëria që të jetë vendi i ardhshëm për pranimin e terroristëve të organizatës “Muxhahedine Khalk”. Faktor tjetër që ndikoi në dërgimin e terroristëve të Muxhahedine Khalk, në Shqipëri ishin edhe ligjet shqiptare të cilat dallojnë nga ligjet e vendeve të tjera evropiane dhe u japin mundësi krerëve terroristë të Muxhahedine Khalk që të kontrollojnë në mënyrë të ashpër pjesëtarët e kësaj organizate. Për shembull, transferimi i disa krerëve të lartë dhe të vjetër të grupit terrorist Muxhahedine Khalk në Shqipëri është bërë kryesisht për të ushtruar kontroll dhe vëzhgim të ashpër mbi pjesëtarët e këtij grupi që deri më tani janë vendosur në Shqipëri. Përveç kësaj, burimet informative gjithashtu kanë bërë të ditur edhe veprimet e këtij grupi për zgjerimin e bazës së tyre në Shqipëri duke blerë objekte më të përshtatshme. Po bëhen përpjekje të mëdha, që në Shqipëri të transferohen edhe disa pjesëtarë të grupit terrorist Muxhahedine Khalk që janë të përndjekur nga “Interpoli” dhe disa prej tyre janë persona shumë të afërt me Masud Raxhafi, kreun e grupit terrorist Muxhahedine Khalk, si shefja e Gardës së Sigurisë së Raxhavi, Fatemeh Vatankhah Rahmani e njohur me nofkën “Sima Vatankhah, “Zhaleh Mahram Nia, anëtare e zyrës së Masud Raxhavi dhe “Roqaieh Abbasi” e njohur me nofkën “Raana”. Kjo dëshmon qartë se edhe kreu i organizatës terroriste Muxhahedine Khalk po përgatitet të transferohet në kampin e Shqipërisë”.
Greqia në alarm: “Shqipëria na ka sjell tek dera rrezikun terrorist”
Gjithë mediet greke, kanë pasqyruar vizitën e Sekretarit Amerikan, Jon Kerry, por me një këndvështrim të njëjtë: Të gjithë mediet kishin tituj të tipit: “Shqipëria do të presë 2000 muxhahedinë nga Irani. Rreth 2 mijë anëtarë të organizatës së opozitës iraniane “Mojahedin-e-Khalq”, pritet që të mbërrijnë në Shqipëri pasi qeveria shqiptare ka arritur një marrëveshje me amerikanët. Në maj të vitit 2013, qeveria “Berisha” strehoi 210 muxhahedinë, ndërsa kryeministri Edi Rama, ka rënë dakord për të mirëpritur edhe 2000 të tjerë, nga 2800 që ndodhen në kampin “Liria” në Irak, është shprehur portali “Pro News”, “Iefimerida”, “Inewsgr” etj. Një pjesë e madhe e medieve e kanë pasur ndër shkrimet kryesore në faqet e tyre në internet lajmin për pritjen e muxhahedinëve, që sipas tyre ata mund të jenë një rrezik, pasi flitet për “ushtri” muxhahedinësh. Edhe pse shumë të tjera kanë theksuar se çdo vit ka vijuar të rritet numri i muxhahedinëve që vijnë nga Irani, kjo shifër mund të jetë kërcënim për rajonin sipas tyre. Nga ana tjetër, në mediat ndërkombëtare flitet se kjo organizatë ka arritur të organizojë sulme dhe nga jashtë Iranit, madje dhe që nga Parisi, ku aktualisht dyshohet se ndodhen krerët e saj.

Historia dhe detaje nga “desantimi” i muxhahedinëve, në Shqipëri
1. Në vitin 2012, ish Kryeministri Sali Berisha pranoi kërkesën e SHBA-ve për të strehuar në Shqipëri rreth 210 muxhahedinë. Të njejtin qëndrim mbajti më pas edhe Kryeministri Rama, pas ardhjes në pushtet.
2. Në korrik të 2013, mbërritën në Aeroportin e Rinasit muxhahedinët e parë. Që atëhere, mendohet se në Shqipëri kanë ardhur të paktën 750 muxhahedinë, ose rreth 70 përqind e gjithë muxhahedinëve të shpërngulur nga Iraku deri, nga 3100 muxhahedinë gjithsej, deri tani janë shpërngulur rreth 1100.
3. Kampi është i vendosur në Tiranë, diku afër autostradës Tiranë-Durrës dhe quhet “Kampi 49”. Kampi ruhet nga policia shqiptare dhe në të nuk lejohet hyrja e askujt, përveç personave të autorizuar nga shefat e kampit.
4. Në prill të vitit 2014, Ministria e Brendshme Shqiptare, bëri të ditur se do të niste procedurat për dhënien e azilit shqiptar muxhahedinëve të ardhur në Shqipëri, duke proceduar kalendarikisht, sipas datës se mbërritjes së tyre. 
5. Në shtator të 2013 një grup ish-anëtarësh muxhahedinësh i dërgoi Ministrit Tahiri një lëtër ku i kërkohej ndihmë duke e paralajmëruar atë për çka po ndodh në kampin e muxhahedinëve në Shqipëri. Në letër pretendohej se MEK, përveç anëtarëve të thjeshtë, ka dërguar në Shqipëri edhe udhëheqës të rëndësishëm të grupit me qëllim kontollin e anëtarëve dhe mos lejimin e largimit nga grupi të askujt që mund të dëshirojë të fillojë një jetë të pavarur.
6. Në shtator të 2014, një grup ish anëtarësh të MEK të organizuar në Shoqatën Setaregan në Zvicër, i dërguan një letër deputetit Pandeli Majko, në të cilën shpjegonin se grupi funksionon si një sekt i organizuar rreth kultit të individit të liderëve të tij. Ata pretendonin se liderët e grupit, bashkëshortët Massoud dhe Maryam Rajavi, janë diktatorë brutalë që u kanë hequr anëtërave liritë më bazike, përfshi kontaktin dhe marrëdhënien me familjet e tyre. 
7. Në Ashraf, MEK iu përkushtua përgatitjes ushtarake të anëtarëve të saj duke u shndërruar në grupin më të madh dhe më të fuqishëm militant kundër regjimit iranian, i cili zhvilloi, për më shumë se dy dekada, një veprimtari intensive terroriste për rrëzimin e qeverisë iraniane. MEK, njëkohësisht, bashkëpunoi ngushtësisht me regjimin e Sadam Huseinit, si gjatë luftës Irak-Iran edhe pas saj.
8. Në shkurt 2015 Mohammad Razaghi, një ish anëtar i grupit MEK i ka dërguar një letër ambasadorit shqiptar në Paris Dritan Tola. Ai është shprehur se disa nga torturuesit më të njohur të ushtrisë private të Saddam Huseinit, përfshi Hassan Ezatin (i njohur si Nariman), Mokhtar Janat Sadeghi (i njohur si Mokhtar) dhe Hooshang Doodkani janë strehuar në Shqipëri
9. Në Qershor të 2015, disa media irakiane raportuan se MEK po blinte ose kishte blerë prona në Shqipëri për të krijuar një kamp të ngjashëm me atë që kishin dikur në Irak. Sipas tyre, një kamp i tillë mund të shndërrohet në bazë për stërvitjen e organizatave të ndryshme terroriste.
Në “CV” e muhaxhedinëve iranianë, shënohet mikpritja dhe mbrojtja e tyre prej Sadamit dhe SHBA
1. Organizata e Muxhahedinëve Popullore të Iranit, u krijua në fillim të viteve 1960-të si lëvizje proteste kundër regjimit të Shahut të Iranit. Pas revolucionit, në Iran u vendos një sistem teokratik islamik nën udhëheqjen e Ajatullah Khoeminit, që hasi kundërshtinë e ashpër të MEK-ut që ishte kundër autokracisë islamike. Si pasojë, regjimi Iranian filloi persekutimin e anëtarëve të organizatës që detyroi drejtuesit e saj dhe mijëra anëtarë të emigronin. 
2. Shumica e tyre u mirëpritën në Irak nga Sadam Huseini, i cili i ofroi organizatës një territor të pazhvilluar pranë kufirit me Iranin. MEK-u e shndërroi territorin në një qendër me infrastukturë moderne dhe ekonomi të zhvilluar që u njoh si Qyteti Ashraf. 
3. Në Ashraf, MEK iu përkushtua përgatitjes ushtarake të anëtarëve të saj duke u shndërruar në grupin më të madh dhe më të fuqishëm militant kundër regjimit iranian, i cili zhvilloi, për më shumë se dy dekada, një veprimtari intensive terroriste për rrëzimin e qeverisë iraniane. 
4. MEK, njëkohësisht, bashkëpunoi ngushtësisht me regjimin e Sadam Huseinit, si gjatë luftës Irak-Iran edhe pas saj. Për shkak të aktivitetit të saj, MEK ka qenë njohur zyrtarisht si organizatë terroriste nga shumë qeveri perëndimore, përfshi atë të SHBA-ve. 
5. Gjatë operacionit ushtarak për rrëzimin e Sadam Huseinit, forcat e koalicionit bombarduan edhe Qytetin Ashraf të cilin e konsideronin bazë terroriste. Mbas pushtimit të Irakut, forcat amerikane dhe muxhahedinët negociuan një pakt paqeje, në bazë të të cilit muxhahedinët dorëzuan armët dhe premtuan t’i ktheheshin jetesës paqësore civile. 
6. Si rezultat, rreth 3 mijë muxhahedinëve të Ashrafit iu dha statusi i civilëve të mbrojtur nën Konventën e Gjenevës dhe ushtria amerikane, mori përsipër sigurinë e Qytetit të Ashrafit.
7. Në vitin 2009, ushtria amerikane ia kaloi kontrollin e Ashrafit qeverisë irakiane, e cila premtoi trajtimin njerëzor të tyre. Pavarësisht premtimit, forcat irakiane ndërhynë brutalisht në Ashraf me qëllim vendosjen e kontrollit të tyre policor në zonë, veprime që hasën rezistencë nga muxhahedinët. 
8. Qeveria irakiane filloi persekutimin sistematik të tyre dhe dhunë sistematike për t’i detyruar muxhahedinët të largoheshin nga Iraku.
9. Këto veprime ngallën reagimin e organizatave ndërkombëtare humanitare, nën presionin e të cilave qeveria amerikane i mori në mbrojtje muxhahedinët duke i strehuar në Kampin Liberty të ushtrisë amerikanë në Baghdad.
10. Në vitin 2012, qeveria amerikane e hoqi organizatën e Muxhahedinëve Popullore të Iranit nga lista e organizatave terroriste, dhe filloi të kërkonte mundësi për sistemimin e tyre në vende të ndryshme të botës.
——————————————
Shqipëria që nuk po bën dot “zap 100 xhepistët e autobusëve, jo të mbajë nën kontroll 3000 muxhahedinë 
Redaksia e “Telegraf”, u telefonua dje nga një specialist policor shqiptar i Ministrisë së brendshme, që drejton një sektor të krimit ekonomik në terren, i cili kërkoi të publikojmë këtë reagim: “Jam specialist i anti-krimit ekonomik-financiar. Kam punuar në strukturat e anti-terrorit për veprime parandaluese, ndërhyrëse e asgjësuese ndaj grupit dhe individit terrorist. Më duket tepër problematik fakti, që shteti shqiptar sidomos policia e shtetit si organ i specializuar, pranoi futjen në territorin shqiptar të afro 3000 muxhahedinëve, këtij kontingjenti të konfirmuar tashmë botërisht, si organizatë aktive dhe e rrezikshme terroriste, plotësisht e aftë, e gatshme dhe e interesuar për të kryer misioni sulmesh terroriste edhe për shkak të detyrave sekrete që kanë marrë përsipër. Mjafton të lexosh listat emërore të atyre që do të futen në Shqipëri dhe konstaton se 90 e tyre përputhen me emrat “subjekt terrorist” që disponon dhe ka në ndjekje shërbimi i “Interpol” dhe “Interpol Tirana”. Një gjë më shqetëson, përballë kësaj aventure shtetërore shqiptare: Muxhahedinët nuk mund të mbahen dot nën kontroll, as sikur t’i mbyllësh në kasafortë”. Po bëj një krahasim: Sektori i krimit ekonomik shqiptar në terren, ka në ndjekje afro 100 xhepistë që ushtrojnë vjedhje nëpër autobusët urbanë të Tiranës dhe nuk i kontrollojmë dot, ndërsa guxojmë e marrim përsipër të kontrollojmë, parandalojmë e të godasim veprimtarinë e mundshme e të pritshme kriminale terroriste, të 3000 muxhahedinëve që janë “ekspertë” të këtij lloj krimi, për më tepër që ata, siç thuhet, pas procedurave “integruese” do të hidhen në jetën e lirë me të drejta të pa kufizuara brenda shoqërisë shqiptare?!!!!