Mushkonjat e Butrintit sfidojnë ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqja

589
Pa u mbushur ende muaji nga dezinfektimi i Parkut Kombëtar të Butrintit, proces ku mori pjesë edhe vet ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja, mushkonjat janë rikthyer në qytetin antik, madje më të fuqishme, si ushtarët në kundërsulm. Ky shqetësim është shprehur nga drejtuesit e festivalit të teatrit ”Butrinti 200” i cili çel siparin e edicionit të 14 të tij mbrëmjen e 19 korrikut. Mushkonjat duket se do të jenë spektatoret më të shumta e të bezdisshme gjatë shfaqjes së trupave teatrore që marrin pjesë në këtë festival, tanimë tradicional me pjesëmarrjen e teatrit shqiptar, ballkanik dhe europian. Drejtuesit e këtij festivali, ose më saktë përgatitësit e dekorit të shfaqjeve dhe punëtorët e skenës, sot u janë drejtuar dyqaneve për të blerë qirinj aromatikë, që do të përdoren për largimin e mushkonjave nga shkallët e amfiteatrit, ku do të ulen spektatorët e shumtë që ndjekin shfaqjen e teatrove performues. Ata janë të shqetësuar se a do t’ia dalin dot edhe me këtë mënyrë, duke vënë në përdorim qirinjtë aromatikë, për të penguar mësymjen e mushkonjave në mjediset e skenës së gurtë të qytetit antik. Mund të mos bëhej objekt shkrimi ky fakt, apo fenomen i përvitshëm, sepse kemi të bëjmë me një ekzistencë të natyrës, por fakti që vetëm para pak kohësh, pa u mbushur as muaji, vetë ministri i Shëndetësisë inspektoi dezinfektimin e këtij parku me pesticide kundër mushkonjave dhe insekteve të tjera bezdisëse dhe dëmtuese e rrezikuese të shëndetit të vizitorëve dhe turistëve të shumtë që vitet e fundit fluksi i tyre vjen në shtim, sidomos gjatë sezonit veror. 

Pasi ka inspektuar këtë proces dezinfektimi, ministri Beqja ka dhënë këtë deklaratë për median: “Tashmë procesi i dezinfektimit është një procedurë standarde dhe kryhet nga M. SH. , ose nën drejtimin e autoriteteve të kësaj ministrie. Praktikisht sot po ndjekim zbatimin e procedurave në Butrint dhe ky është viti i tretë që në Butrint zbatohen këto procedura. Po përdorim të gjitha teknikat dhe teknologjitë që janë dashamirëse ndaj mjedisit e që nuk dëmtojnë as bimësinë e as gjallesat. Dhe sigurisht përmirësojmë edhe kujdesin shëndetësor dhe reduktojmë ndjeshëm rrezikun që vjen nga pickimi i mushkonjave, pasi besoj se krijojmë edhe një mjedis të përshtatshëm për sezonin turistik duke ulur ndjeshëm bezdisjen që këto insekte krijojnë. Kemi bashkëpunim të mirë edhe me drejtuesit e parkut ku mund të zgjedhim oraret e përshtatshme për të bërë procedurën. Shërbimi kryhet nëpërmjet kompanive private të ofruara, por që ndiqet nga M. SH. Dhe janë dy kompani private që kryejnë këtë shërbim nga Velipoja në Butrint të ndara në pesë zona, për llogari të M. SH. ”. 

Ndërsa drejtori i Parkut Kombëtar të Butrintit, Gjergji Mano, deklaroi atë ditë të kryerjes së procesit “E kemi pritur këtë proces dezinfektimi sepse bezdisja e këtyre insekteve fillon që nga muaji maj dhe bëhet i bezdisshëm deri në padurim prezenca e tyre, sidomos gjatë orëve të mbrëmjes, ndaj dhe këtë proces e kemi pritur”. Por nga mesqershori, koha u krye dezinfektimi e deri në meskorrik, mushkonjat kanë shfaqur prezencën e tyre në mjediset e Parkut Kombëtar të Butrintit, madje në zemër të tij, në skenën antike të gurtë. Ditën e parë, kur qe edhe prezentë vet ministri Beqja u dezinfektua 20 ha të sipërfaqes së këtij parku dhe u premtua se do të dezinfektohej e gjithë sipërfaqja që përfshin ky park nëpër lagunë, kodrina, pyjet e shkurret mjediset e sheshta e të gurta e gjithçka. Nuk dihet se a zgjati ky proces pas largimit të ministrit, por dihet që mushkonjat kanë mësyrë drejt parkut. 
Sigal