Mungon Unaza dhe sinjalistika në akse e rrugë, kaos në qytet

602
Sigal

BERAT/Policia Rrugore: Nuk ka sinjalistikë e semaforë në kryqëzime, është e nevojshme funksionimi i unazës së qytetit

Mungesa e një unaze për të ‘thithur’ numrin e automjeteve të shumtë si dhe mungesa e sinjalistikës rrugore pothuaj në të gjitha akset e kryqëzimet, ka krijuar një situatë kaotike në qarkullimin rrugor në territorin e qytetit të Beratit, duke sjellë premisa të shumta për aksidente me pasojë. Me gjithë shqetësimin e qytetarëve, punën e inspektorëve të qarkullimit rrugor, si pasojë e shtimit të automjeteve, situata po rëndohet për ditë. “Infrastruktura e qytetit të Beratit është ajo e 40 viteve të shkuara. Pothuaj nuk është bërë asnjë investim i qëndrueshëm në këtë drejtim. Ndërsa numri i makinave që janë regjistruar në Berat, veçanërisht pas vitit 1990, është dhjetëfishuar. Është një situatë e rëndë dhe me pasoja, e cila kërkon përkujdesje e investime sa më parë”,- pohojnë banorë të qytetit muze për gazetën “Telegraf”.

MUNGESA E INFRASTRUKTURËS

Edhe pse është premtuar për ndërtimin e infrastrukturës të qytetit, vendosjen e semaforëve dhe sinjalistikës në tërësi, prej vitesh e dekadash pothuaj nuk është bërë asgjë. Sinjalistika në qytetin e Beratit është ajo e 40 viteve më parë, kohë në të cilën, në qytet qarkullonin një numër i vogël makinash. Sinjalistika rrugore në Berat, dhe pse kanë kaluar shumë vite, ka mbetur ajo e dikurshmja, kur qyteti nuk numëronte më shumë se 40 mijë banorë. Por kanë kaluar 23 vjet dhe popullsia ka ardhur në rritje. Së bashku me popullsinë, është rritur dhe numri i automjeteve, ndërsa rrugët brenda qytetit, janë ato që kanë qenë më parë. Burimet për “Telegraf” bëjnë të ditur se në Berat janë rreth 12 mijë makina ,të cilat qarkullojnë në rrugët e këtij qyteti. Gjithashtu, në rrugët e qytetit mungon sinjalistika, semaforët dhe unazat e qytetit. Berati ka vetëm një të tillë për qarkullim.

SPECIALISTËT

Specialistët e Qarkullimit Rrugor shprehen se situata është e vështirë. Qendra e qytetit, i cili numëron mbi 70 mijë banorë, po thuaj se është e bllokuar plotësisht nga makinat. Burime nga Policia Qarkullimit Rrugor, bëjnë të ditur edhe pse rrugorët përpiqen për të normalizuar gjendjen, situate është shumë e vështirë. “Ka ardhur koha që dhe rrugët e qytetit të Beratit të jenë të pajisura më semaforë në të gjithë kryqëzimet. Për fat të keq, në këto rrugë nuk ekziston as një semafor. Edhe një semafor që u vendosë tek Ura e Goricës, me bllokimin e kalimit të kësaj urë ai u zhdukë fare. Është urgjente të merren masa, pasi fluksi në rritje i automjeteve, rrezikon aksidente me pasoja”,- shtojnë burimet e mësipërme.