Mungon energjia elektrike, CEZ persekuton qytetin e Sarandës

494
Sigal

Situatë e vështirë në sektorin e turizmit, dëme të konsiderueshme në biznesin ushqimor, tregtar dhe  prodhues

 Dita e martë vërtet ka provuar tersllëkun e saj në qytetin e Sarandës. Energjia elektrike ka munguar gjatë gjithë ditës (me disa pauza ardhje–ikje të energjisë) në qytetin e Sarandës. Nuk jepen shpjegime se pse ndodh kjo, sepse edhe para disa ditësh me pauza të vogla është dhënë sinjali që po vjen “mungesa” e përvitshme, tanimë e kthyer në ritual (pse jo edhe fitimi) në këtë periudhë. Vërtet qyteti  mbi popullohet, por qytetarët flasin se abuzohet me mungesën e energjisë. Por këto i takojnë prokurorisë që ndoshta do ta kryejë detyrën e saj për të zbardhur të vërtetën. Ndërkohë, mungesa e energjisë që ndikon mes të tjerave direkt në kushtet e akomodimit, ka sjellë pasoja të dukshme në fluksin turistik.

PASOJAT

Çfarë ka ndodhur në Sarandë dje? Përveç asaj që ka munguar energjia elektrike, e cila ka paralizuar aktivitetin tregtar e diku edhe dëm ekonomik tek artikujt ushqimor frigoriferik, ka paralizuar komunikimin internet si me qytetarët vendas edhe me të huajt vizitor dhe turistë në Sarandë. Është paralizuar në mosfunksionim rimbushja celulare me kompjuter. Por edhe shërbimi urban, pasi linja urbane e mesditës Sarandë-Tiranë është nisur me një orë vonesë pasi shoferi i linjës qe në proces gjyqësor dhe ky proces nuk mundet të kryhej nga mungesa e energjisë elektrike. Qytetarët e shumtë janë përballur me temperaturat e larta të këtyre ditëve që shoqërojnë qytetin jugor, me ankthin dhe stresin. Saranda ka qenë e paralizuar nga të gjitha shërbimet publike dhe private. Qytetarët thonë se kjo situatë, rrallë mund të ketë ndodhur në këto 24 vite. Si pasojë e mungesës së energjisë elektrike, gjë e cila ndodh shpesh, pasojat dhe dëmin kryesor e pëson turizmi.

Agron MEMA