Mungesa e investimeve në lumin Osum përmbyti gjysmën e Beratit

675
Sigal

Flet drejtoresha e Shërbimeve Publike, Flutura Brami: “Nuk u vendosën pritat e betonit në zonat problematike”

Ndodhi ajo që pritej prej kohësh. Përmbytja e paralajmëruar u bë realitet. Shirat e rrëmbyeshëm që ranë këto ditë dhe që ende do të vazhdojnë të bien sipas shërbimit meteorologjik kanë bërë që ujërat e shumta të lumit Osum, të dalin nga shtrati dhe të përmbytin qytetin dhe shumë fshatra periferike të Beratit. Nën ‘pushtetin’ e ujërave janë gjendur lagja “30- Vjetori”, “Çlirimi” dhe zona e Pyjores, të cilat në orët e parë të mëngjesit të ditës së djeshme janë gdhirë të përmbytura. Ujërat e Osumit kanë dalë gjithashtu nga shtrati në Komunat Vërtop, Velabisht, Otllak dhe në fshatrat Remanicë, Veterrik, Moravë dhe Arrëz, ku kanë dëmtuar të mbjellat. Drejtoresha e Shërbimit Publikë pranë Bashkisë Berat, Flutura Brami, u shpreh për “Telegraf”, se ndodhi ajo që pritej prej kohësh. “Përmbytja e qytetit dhe periferive të tij u bë nga mungesa e pritave të betonin të disa zona problematike, ku ujërat e shtratit të lumit Osum gjejnë terren për të vërshuar nëpër lagjet e qytetit. Ne si bashki disa herë kemi kërkuar fondet nga Qeveria për të ndërtuar disa prita betoni për të frenuar vërshimin e ujërave nëpër qytet, por pas shumë kërkesash që ne i kemi bërë Qeverisë dhe ministrisë përkatëse nuk është marrë asnjë masë. Në Berat ka ardhur para dy vjetësh një ekip nga Qeveria, i cili ka parë nga afër situatën e shtratit të lumit Osum. Ekipi qeveritarë pasi është njohur me situatën sipas kërkesave që ne si bashki kishim bërë për investime, kanë kërkuar projektin. Ne e hartuam dhe ja kemi përcjell Qeverisë me shpresën që këto projekte të shoqëroheshin me fondet përkatëse. Kanë kaluar dy vjet dhe asnjë përgjigje nga Qeveria. Pritat e betonit janë të domosdoshme për t’u ndërtuar”, tha Brami.

Alarmi

Drejtoresha Brami theksoi se, gjendja është teje e rëndë gjatë stinës së dimrit pasi ujërat e shumtë që vijnë nga zonat e Skraparit dhe të Tomorricës, do të vërshojnë në lagjet e qytetit, ku dhe dëmet do të jenë shumë të mëdha. “Shumë banesa do të përmbyten nga vërshimi i ujit nëse ndërtimi i pritave prej betoni me gjatësi dhe perimetër të konsiderueshëm nuk do të ndërtohen. Tashmë shtrati i lumit Osum është i pa mbrojtur dhe ujërat e tij lëvizin në shumë drejtime. Stina e dimrit sapo ka filluar dhe menjëherë e dha shenjën e tij të parë duke përmbytur qytetin dhe rrethinat e tij”, u shpreh Brami. Në Komunën e Vërtopit ujërat e Osumit kanë shkaktuar dëmtime të mëdha, po këto dëmtime janë konstatura edhe në Komunën e Velabishtit, Otllakut, Poshnjes etj..