Mungesa e fondeve lë pa shkollë 13 fëmijë në Himarë

560
Sigal

Megjithëse viti i ri shkollor2012-2013 për arsimin parauniversitar po u afron të 15 ditëve nga çelja e tij, ky fat nuk u ka buzëqeshur 13 nxënësve nga fshati Kudhës dhe Qeparo Fshat. Është mungesa e mjetit të transportit që duhet t’i sjellë këta nxënës pranë shkollës së Qeparo Fushë dhe Himarë. Ky shqetësim, shprehen prindërit, bie në vesh të shurdhër dhe ende fëmijët nuk kanë filluar procesin mësimor, i cili është dhe arsim i detyrueshëm. Një nga prindërit shprehet se po të mos dërgoj fëmijën në shkollë shteti më dënon dhe mirë të ma bëjë, po ata që e pengojnë fëmijën tim të arsimohet pse nuk ndëshkohen? Odiseja e ankesave dhe sorollatjeve vijon me revan dhe fëmijët riskohen me mos arsimim. Mbyllja e shkollave nëpër shumë fshatra ka ardhur për mungesë të numrit të nxënësve sipas të një udhëzimi të MASH-it mbi ngarkesën e mësimdhënies, por edhe një nxënës të vetëm shteti merr përsipër mundësimin e arsimimit të tij nëpërmjet pushtetit vendor duke i grumbulluar nëpër shkolla të bashkuara me përballimin e transportit të nxënësve nga vet zyra arsimore dhe pushteti vendor, por kjo nuk ndodh në Bashkinë e Himarës dhe Drejtoria Arsimore e Vlorës ende nuk shqetësohet për arsimimin e 13 vogëlushëve. Prindërit nuk kanë mundësinë ekonomike për të përballuar transportin e fëmijës për në shkollë, por kanë edhe frikën se, pavarësisht se aksidenti i ndodhur vetëm katër ditë më parë në Dërmysh të Sarandës, ku shoferi mbeti i vrarë dhe dy nxënës shkolle janë ende në koma, nuk u mor në analizë, tregoi se transporti i nxënësve në mënyrë private shënon pasoja të rënda, siç edhe ndodhi, por u mbulua në heshtje.