Mungesa e energjisë, rrezik nga helmimet ushqimore

594
Sigal

URRËS/ CEZ, nis ndërprerjet e energjisë, në rrezik konsumatorët. Në alarm bizneset dhe pushuesit!

15 ditëshi i dytë i gushtit ka mbërritur në Durrës me një sërë problemesh serioze, të shkaktuara si pasojë e mungesës së energjisë elektrike, e cila për çdo ditë ndërpritet në lagje të ndryshme të qytetit bregdetar, popullsia, e të cilit në këto ditë ka arritur në 1 milionë banorë, si rezultat i pushuesve të ardhur.

Situata

Për 4 orë energjia elektrike është ndërprerë në lagjen numër 7 të dielën nga mesdita deri në orën 16:00. Në mëngjes energjia mungonte në lagjen numër 4 , e si të mos mjaftonte, kjo ndërprerje shkojnë në zona të tjera, sipas një grafiku, të CEz-it, kompanisë shpërndarëse. Pothuajse të shpeshta janë ndërprerjet edhe në zonën bregdetare, ku zona e Shkëmbit të Kavajës është më e penalizuara, sepse në këtë zonë, energjia mungon edhe 6 orë në ditë, ndërsa pushuesit janë të detyruar, që të marrin rreze dielli, përbri gjeneratorëve që oshëtijnë në të gjithë zonën.

Problemet

Jo vetëm që ndërprerjet e energjisë janë shqetësim për pushuesit, të cilët dëgjojnë pa pushim oshëtimat e gjeneratorëve, por një problem i madh është për të gjithë bizneset, të cilat, tregtojnë produkte ushqimore. Me fikjen e energjisë, të gjitha produktet ushqimore frigoriferike, janë një rrezik serioz për jetën e konsumatorëve, sidomos në këto ditë të nxehta, ku temperaturat shënojnë rreth 40 gradë celcius. Frigoriferët që mbajnë produkte me origjinë shtazore, nëse nuk do të punojnë pa ndërprerje energjie, shkaktojnë probleme të rënda për të gjithë konsumatorin dhe këtu përfshihet, jo vetëm mishi, sallameritë, akullorja, e cila shkrin dhe duhet hedhur, situatë kjo e cila do të përkthehej falimentim për të gjithë biznesin, sepse çdo ndërprerje energjie për disa orë, nxjerr jashtë përdorimi produktet ushqimore që ruhen në kushte frigoriferike. Jo në pak raste bizneset janë të detyruara që produktet e shkrira ushqimore, t’i hedhin në kazanët e plehrave, për të mos rrezikuar konsumatorët nga helmimet ushqimore.

OSSH-ja

Për këtë situatë burime zyrtare brenda ndërmarrjes së OSSH-së bënë me dije se rrjeti është i tej mbingarkuar nga vënia në funksion e të gjitha aparaturave të shtëpive, hoteleve dhe banesave me qira. Në këtë mbingarkesë ka ndikuar edhe rritja e konsumit, e cila për këtë zonë bregdetare është e barabartë me të gjithë konsumin e rajonit në një ditë normale dimri. Aparaturat stakohen automatikisht nga mbingarkesa në rrjet e për pasojë duhen disa orë të vihen serish në funksion.

____________________

Biznesi dhe pushuesit

Problemet me energjinë elektrikë janë kthyer edhe këtë vit në bregdetin më të frekuentuar në Durrës nga pushuesit. Nga zona e Plepave në Durrës, deri në Golem janë bizneset e shumtë, të cilët i bëjnë apel qeverisë të ndërhyjë për të siguruar furnizimin me energji në këto ditë të nxehta, të cilat sjellin dëme të jashtëzakonshme për të gjithë turizmin. Një pronar hoteli ka nxituar të vërë gjeneratorin në punë për të mbajtur në funksion frigoriferët, sepse pasojat do të jenë të rënda jo vetëm për emrin e hotelit, por për shëndetin e klientëve që na kanë bujtur. “Nëse nuk ka drita ushqimet prishen por kjo ka rrezik të shkaktojë helmim ushqimi duke na vënë seriozisht përpara situatave të padëshiruara”, shprehet ai. Ndërkaq pushuesit shprehen se janë terrorizuar nga fakti se nuk punon frigoriferi, por edhe kondicioneri në dhomat e hoteleve apo edhe shtëpive që kanë zënë me qira. Por duke mos patur energji detyrimisht mungon edhe uji i pijshëm, i cili vetëm nëpërmjet pompave ngjitet në katet e sipërm.

 ________________________________________________________

Biblioteka e re

Dako kërkojmë ndihmën e qeverisë për zbatimin e projektit

Durrës- Bashkia e Durrësit i kërkon qeverisë  fonde për ndërtimin e një biblioteke të re për qytetin bregdetar. Në një prononcim për “Telegraf”, kreu i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako ka pohuar se projekti për një bibliotekë të re është gati, por që kostoja e ndërtimit është e lartë dhe e papërballueshme nga qeveria lokale. “Situata është e vështirë, ka vite që është e tillë, madje, deri tani nuk është parashikuar asnjë fond konkret e për më tepër që këtë vit nuk është miratuar akoma buxheti i bashkisë. Ndërtimi një godine multifunksionale kërkon ndihmën e buxhetit të qeverisë, që qytetarët të kenë një bibliotekë të re”, tha Dako.

Projekti 

Projekti, i cili mban emrin “Biblioteka e re e qytetit” është parashikuar të funksionojë si një qendër multifunksionale, me kinema, bibliotekë dhe qendra të formimit profesional. Kjo bibliotekë do të shërbejë si një qendër e rëndësishme kulturore e qytetit. Vlera e këtij projekti shkon 2.8 milionë euro. Kjo godinë është parashikuar të ndërtohet pranë Mazoleumit të Dëshmorëve. Në fund të shkallëve, ku gjendet një sipërfaqe prej disa mijëra metrash katrorë e lirë dhe e pashfrytëzuar. Në bibliotekën e Durrësit nuk ka probleme me fondet e librave, por me infrastrukturën e saj, ku janë shënuar edhe incidente të rënda me plagosje punonjësish dhe lexuesish. Gjatë viteve të shkuara. Dimrin e fundit, nga rreshjet u rëndua  edhe më shumë situata, ndërsa stina e vjeshtës është sërish në prag. Prej vjeshtës e deri në pranverë, uji futet pothuajse nga të gjitha anët, nga tarraca, muret dhe kati nën dhe nuk përmbush kushtet e duhura për ruajtjen e librave.