Mullinjtë e Këlcyrës që bluajnë bereqetin e bashkisë dhe të Mitropolisë. Kryebashkiak apo bej i Vjosës dhe Këlcyrës?!

762
Agron Mema 
Vjosa është një nga lumenjtë me basene dhe bukuri natyrore nga më të bukurit në Shqipëri dhe më gjerë në rajonin e Ballkanit. Kjo e ka bërë relievin e shtratit rrjedhës dhe përreth saj, nga më të lakmueshmit, sidomos vitet e fundit nga biznese, shoqata e organizata të ndryshme, duke shfrytëzuar edhe veprimtarinë korruptive të disa shtetarëve dhe pushtetarëve lokalë dhe qendrorë. Por Vjosa, jo vetëm nga babëzia makute e njerëzisë me pushtet dhe para, por qenka e lakmuar edhe nga Perëndia e njerëzit e saj. Po, nëse Perëndia i shton herë pas here vërshim inatçor për t’i rikthyer përsëri qetësinë bukurive të saj, njerëzit që i shërbejnë perëndisë i shtojnë babëzinë e grabitjes së trojeve buzë shtratit rrjedhës së saj. Vetëm pak kohë më parë u fol e bë zhurmë për abuzime e shkelje ligjore në basenin e Vjosës në Këlcyrë, por gjithçka kaloi me heshtje…Nuk është vetëm kjo ndodhi e mbrapshtë në Vjosë. Ka abuzime të tjera si zhdukja e objekteve, grabitja dhe tjetërsimi i pronave dhe pronarëve, falsifikimi i dokumentacioneve, hartave topografike dhe atyre të regjistrimit dhe kjo ka filluar vite më parë në një shtet që bën shurdh-memecin para veprimeve të këtilla korruptive dhe shkeljeve të rënda ligjore. As në kohën e diktaturave më të egra nuk ndërhyri njeri për korrigjime në hipotekë dhe kadastër, sot janë bërë regjistrat e këtyre institucioneve ku ngjyrat e bojërave të lapsave ua kalojnë atyre të ylberit. Ndërkohë që ankesave dhe përplasjeve qytetare nuk ua vë veshin njeri. Banorë të Këlcyrës dhe fshatrave përreth saj, buzë Vjosës dhe më tej, të thonë gjysmë me psherëtimë dëshpëruese e shpresëhumbur, se pas investimeve të përfolura që pritet të fillojnë në ndërtimin e dy HEC-eve në basenin e Vjosës, fshihet Kryepeshkopi Janullatos dhe njerëzit e tij, jo vetëm për qëllime biznesi. Ndërkohë që edhe Mitropolia e Gjirokastrës qëndron pas grabitjes së pronave të shumë pronarëve buzë Vjosës në Këlcyrë, veprime të kryera tashmë me dokumente të falsifikuara, kjo e vërtetuar edhe nga organet e drejtësisë së Përmetit si rasti i ndërtimit të Manastirit të Këlcyrës. Ndërtimi i këtij manastiri, përveç grabitjes së pronave të pronarëve të ligjshëm, ka zhdukur qëllimisht edhe dy objekte të trashëgimisë kulturore tradicionale të popullit tonë dhe të kësaj krahine me vlera të mëdha historike. Dy objekte të rëndësishme për sa i përket trashëgimisë, dy mullinj bloje drithi të lashtë të ngritur mbi shtratin e Vjosës, që dikur u shërbenin banorëve të zonës për bluarjen e drithërave, por edhe sot për njohjen e traditës popullore. Ato sot nuk ekzistojnë më, madje nuk ka asnjë gjurmë të tyre. Po pse? Sepse bashkia e Këlcyrës njërin ia ka shitur Mitropolisë së Gjirokastrës, ndërsa tjetri është gllabëruar nga kjo e fundit pa asnjë dokument zyrtar dhe muret e tyre janë hedhur në ujërat e Vjosës, pa i thënë askush një fjalë kësaj Mitropolie për këto veprime. Për të mbuluar manipulimin dokumentar të zaptimit dhe grabitjes së pronave para drejtësisë së Përmetit, Mitropolia ka ndërruar edhe emrin e Kishës së Ujit të Ftohtë në Këlcyrë, nga Shën-Kolli, emër i trashëguar në shekuj nga besimtarët ortodoks të zonës, në Shën-Kollas, ku rrotull saj hipoteka e Përmetit ka bërë spostime pronash të qëllimshme, duke i hedhur në sistem. Me këtë veprim spostimi të pronave zbulohet edhe qëllimi abuziv duke krijuar hapësira pronash të lira dhe këto prona të lira, në kurriz të pronarëve të vërtetë, i kalojnë në pronësi të Mitropolisë së Gjirokastrës. Vetëm mullinjtë e Këlcyrës, si objekte kulture të trashëgimisë tradicionale popullore, përbëjnë një akt të rëndë antiligjor, një veprim të shëmtuar, gati kriminal ndaj trashëgimisë dhe vlerave të traditës popullore dhe asaj kombëtare. Mullinjtë kanë qenë një gjendje pune duke u shërbyer komunitetit, deri në vitin 1971, ndërsa në vitin 1981 u vunë në gatishmëri të Revoltës së Trepçes. Por një ditë të bukur të vitit 2009, mullinjtë përfunduan në ujërat e Vjosës. Disa ”ustallarë” prishës nga Tepelena, se nuk i merrnin dot vendas punëtorët nga frika, por edhe për të mbuluar këtë maskaradë, të pajtuar nga Mitropolia mokrat dhe pajisjet e tjera të mullinjve i vërvitën pa gjurmë në ujërat e Vjosës. Sot ekzistojnë vetëm hambarët dhe pjesa e nëndheshme e mullinjve të izoluara me porta hekuri që nuk dihet se çfarë ka brenda tyre. Kështu u zhduk kjo histori e lashtë e kësaj zone dhe e vet banorëve të krahinës së Këlcyrës buzë Vjosës. Edhe sot mulliri figuron në hartën kadastrale si prona e Syrja Zaqellarit. Atëherë pse i gjithë ky mashtrim dhe nxitim në zhdukjen e këtyre vlerave dhe në tjetërsim të pronave me dokumente të falsifikuara dhe veprime të fshehta?! Pse këto veprime dhe këto përvetësime kalojnë kaq në heshtje?! Një nga pronarët që përballet me vite të tëra në një maratonë GINES në orvatje dhe sorollatje institucionale, është edhe Sali Harka, viktimë e lojërave të bashkisë së Këlcyrës dhe Mitropolisë së Gjirokastrës. Truallin e të cilit e ka okupuar kjo Mitropoli me ndihmën e bashkisë, por me dokumente të falsifikuara. Natyrisht, e gjithë kjo histori nuk bie vetëm mbi kryebashkiakun e sotëm, Ndoni, por edhe tek të mëparshmit, pasi ka vite që ekziston si problem, por Ndoni ka pjesën e tij të viteve të fundit. (Megjithëse problemi i i zotit Sali Harka, në detaje ka gjetur vend në faqet e gazetës “Telegraf” edhe më parë, po përqendrohemi tek ndodhitë e fundit për t’i marrë si fakte ilustruese të shkrimit mbi akrobacitë që ndodhin në basenin e Vjosës) Sot kryebashkiaku i përgjigjet qytetarit që nuk rresht së kërkuari pronën e tij ligjore, si bajraktar, si Beu i Këlcyrës dhe Vjosës. Sali Harka është përballur me Mitropolinë në gjykatën e Përmetit vite më parë, e cila me Vendim NR: 181, datë 18-06-2001, ka rrëzuar dokumentacionin e Mitropolisë së Gjirokastrës pranë kësaj gjykate si të pa saktë e të pa plotë. Por qysh atëherë asgjë nuk ka ndryshuar, vetëm peripecitë dhe sorollatjet e Saliut janë shtuar. Janë shtuar aq shumë, sa deri në maj të 2017-ës, Saliu u fut në grevë urie dyditore së bashku me bashkëshorten para portës së bashkisë së Këlcyrës në kërkim të së drejtës së nëpërkëmbur nga kjo bashki. Kryebashkiaku Klement Ndoni, duke e parë situatën mjaft kritike, vendos të bëjë një pakt paqeje me Saliun. I premton zgjidhje të problemit dhe Saliu del nga greva, megjithëse me probleme shëndetësore si pasojë e grevës, i detyruar t’i kurojë në spitalin civil të Përmetit. Por premtimet u harruan shpejt dhe situata u rikthye si më parë, madje më e ashpërsuar. Kryebashkiaku Ndoni i kthen përgjigje se nuk mund të rikonfirmohet prona e tij, edhe pas disa vendimeve të institucioneve të tjera, pa marrë përgjigje nga Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave. Paksa i çuditur nga kjo përgjigje zyrtare e bashkisë, Saliu merr rrugëtimin për në Vlorë në Agjencinë e Basenit Ujor të Vjosës në Vlorë. Bashkia e shfaq këtë pretendim, pasi në pronën e tij që kërkon të rikonfirmohet ndodhet një burim që përshkon pronën e tij mes për mes dhe derdhet në Vjosë. Sipas kësaj Agjencie, bashkia e Këlcyrës nuk ka dërguar asnjë shkresë për këtë problem, ndërkohë që pretendimi i saj tek pronari është se duhet leje nga kjo Agjenci që Sali Harka të pajiset me leje përdorimi të ujit të burimit, kur ky person nuk kërkon lejen e këtillë, por vetëm rikonfirmimin e kufijve të pronës sipas origjinës së saj. Kështu që nuk ka një kërkesë për shfrytëzim burimi nga personi dhe bashkia, nuk kuptohet çfarë kërkon bashkia? Apo sorollatje…Ndërkohë që për Menaxhimin e Integritetit të Burimeve Ujore, janë vet organet vendore si Këshillat e Baseneve Ujore dhe Agjencitë e Baseneve Ujore. Ndërkohë, në përgjigjen zyrtare që i vjen zotit Sali Harka nga kjo Agjenci nënvizohet se: “Në momentin që ju nuk shfrytëzoni burimin ujor nuk keni pse të pajiseni me leje për shfrytëzimin e ujërave të këtij burimi”,thuhet në përgjigjen zyrtare të Agjencisë së Basenit Ujor të Vjosës –Vlorë, më datë 06-06-2017. Pas demaskimit të këtij falsiteti dhe sorollatjeje të qëllimshme, kryebashkiaku Ndoni i kthen përgjigje qytetarit Harka se duhet të ndjek procesin gjyqësor, duke harruar se gjykata e ka dhënë një vendim për këtë çështje, vendim i sipërcituar. -Kur shkoj ta takoj kryebashkiakun, -na thotë Saliu,-ndalon dy minuta tek shkallët se në zyrë nuk më ka pritur kurrë. Vë duart në mes dhe më thotë serbes, se nuk merrem me një Sali unë. Turfullon dhe ngjit shkallët. Kaq e ka përgjigjen. Ky është beu i sotëm i Këlcyrës dhe i Vjosës që fshihet pas veladonëve të zinj të Mitropolisë. 


Sigal