Muharrem Kamani: Përmeti i dha atdheut 185 dëshmorë

1250
Sigal

Rrethi ynë i dha Luftës 185 dëshmorë dhe “Heronjtë e Popullit”; Musa Fratari, Skënder Çaçi dhe Meleq Gosnishti

Festohet me madhështi 76-vjetori i Çlirimit të Përmetit

Në Përmet u festua më 13 Shtator 2019, 76- vjetori i Çlirimit të qytetit nga pushtuesit nazifashistë. Bashkia Përmet, Qendra Kulturore dhe shkolla 9- vjeçare “Nonda Bulka” organizuan këtë aktivitet në vitin e 75 – vjetorit të çlirimit te Atdheut. Sheshi kryesor i qytetit “Abdyl Frashëri” dhe fasada e “Përmendores së Partizanit” ishin zbukuruar me flamuj, banderola, kurora dhe tufa me lule. Festës i dha gjallëri këngët dhe marshet partizane,

“Dalëngadalë po vjen behari”, “O i vogël- o partizan”, “Një zë po vjen nga Gryka e Mezhgoranit”, kënga himn: “Për ty atdhe” etj. Tërhoqën vëmendjen ekspozita fotografike me aspekte nga luftimet për çlirimin e Përmetit, vendosur te sheshi përpara përmendores, ngjallën interes jo vetëm për qytetarët por dhe për turistët, shumë prej të cilëve e filmuan.

Kohë më parë një turist gjerman e restauroi përmendoren me varak

Ishin të pranishëm veteranët shekullorë Visho Jemini e Veiz Dervishi, pasardhës të veteranëve dhe të familjeve të dëshmorëve dhe qytetar, shumica e qytetarëve e ndoqën këtë festë nga kafenetë. Nderuan me pjesëmarrjen e tyre Prefekti i Qarkut Gjirokastër Astrit Aliaj dhe N\ prefekti i Përmetit Edvin Tuci, deputetja Mirela Kumbaro, Kryetarja e Bashkisë Përmet Alma Hoxha, Kryetarja e N\ kryetari i Këshillit të Qarkut Gjirojastër Lindita Rova dhe Hodajn Selmani, Kryetarja e Këshillit të Bashkisë Anila Mihali, Sek e Përgjithshme e Bashkisë Denisa Duro, N\ kryetarët e Bashkisë Florand Hasani e Aulona Meshini, Sek.i Këshillit Bashkiak Veli Mehmeti, Kryetari i Komitetit Veteranëve, Përmet Shpëtim Sadiku, Sek i FD Argjir Koto, drejtuesit kryesor të këtyre organizatave e të institucioneve dhe partive politike të rrethit Përmet dhe të SHAK-ve. Personalitetet e pranishme pranë përmendores vendosën kurora dhe tufa me lule, nën tingujt e Himnit Kombëtar qëndruan 1 minutë heshtje për të nderuar sakrificat dhe gjakun e të rënëve në luftën për çlirimin e qytetit.

Moderatorja e kësaj veprimtarie, Aleksandra Doni ia dha fjalën përshëndetëse Prefektit të Gjirokastrës z. Astrit Aliaj, i cili midis të tjerash tha: “Ndihem i lumtur dhe i nderuar që marr pjesë në këtë ceremoni festive. Kjo date do kujtohet brez pas brezi si dita e revoltës së bashkuar të përmetarëve ndaj pushtuesve nazi-fashistë, i dha shpresë dhe besim që të çlirohej nga pushtuesit. E vërteta e kësaj lufte nuk mund të mohohet, as mund të errësohet. Të vlerësosh e të nderosh ngjarjet madhore të LANÇ-it do të thotë të nderosh e lartësosh Shqipërinë. Prefektura e qarkut Gjirokastër u ka dhënë dhe u jep gjithnjë e më shumë rëndësi të veçantë nderimit dhe përkujtimit të ngjarjeve madhore të LANÇ-it, një nga të cilat është dhe dita e çlirimit të Përmetit.

Ky vit përkon me 75-vjetorin e Çlirimit të Atdheut, ku në rang prefekture janë përgatitur dhe planifikuar aktivitete me karakter historik e kulturor në kujtim të datave historike, të cilat do kulmojnë me një konferencë shkencore: “Prefektura e Gjirokastrës gjate Luftës së Dytë Botërore”.

Në emër të institucionit të bashkisë znj. Alma Hoxha, duke u ndalur tek rëndësia e kësaj date theksoi: “ Mirë se keni ardhur në Festën e Çlirimit të cilën do e përkujtojmë për çdo vit. Përmasat e Luftës për liri ishin në shkallën më të lart në çdo shtëpi, rrugicë, lagje të qytetit. Përmeti u bë një qendër e rëndësishme e Lëvizjes Antifashiste dhe nuk e ndali luftën në asnjë moment. Edhe pse u dogj 4 herë ky qytet martir u rimëkëmb falë gjakut dhe sakrificave të djemve dhe vajzave. Rrethi ynë i dha Luftës 185 dëshmorë dhe heronjtë e popullit; Musa Fratari, Skënder Çaçi dhe Meleq Gosnishti. Sot pas 76 vjetësh, në përkujtim të kësaj dite historike ndihemi krenarë dhe shprehim respektin dhe mirënjohjen për të gjithë ata që u angazhuan në këtë Luftë për liri. I përjetshëm qoftë kujtimi i të rënëve dhe kjo ditë e shënuar e çlirimit të qytetit tonë!”.

Iu dha fjala Kryetares së Këshillit të Qarkut znj. Lindita Rova, e cila shprehu kënaqësinë e veçantë që u bë pjesë e festës së çlirimit të Përmetit. Sot përkujtojmë sakrificën sublime të gjithë atyre grave dhe burrave, të rinjve e të rejave përmetare që atdhedashuria dhe dashuria për lirinë i shtyu të rrëmbejnë armët e të luftojnë pushtuesin për të pare Shqipërinë të lire. Pas 76 vitesh Përmeti feston i lumtur dhe i qetë me zemrat mbushur me gëzim për këtë ditë. Institucioni i Qarkut Gjirokastër ka pasur në vëmendje të veçantë monumentet, lapidarët, simbolet dhe vendprehjet e dëshmorëve. Sigurisht që me të njëjtën përgjegjësi ne do të vazhdojmë të mirëmbajmë, restaurojmë apo edhe ndërtojmë aty ku do të jetë e nevojshme gjithë pasuritë që e kaluara e lavdishme e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare na ka lënë ne, e që ne do tua lëmë trashëgim brezave të ardhshëm. Përjetësisht u kujtoftë sakrifica e dëshmorëve tanë, qofshin përjetë të nderuar në panteonin e dëshmorëve dhe martirëve të kombit tone! Me emocione e përshëndeti këtë ditë të shënuar deputetja Mirela Kumbaro, e cila uroi veteranët për Festën. Kryetari i Komitetit të veteranëve të rrethit Shpëtim Sadiku foli për Ditën e Çlirimit.

Përshëndeti sekretari i FD Argjir Koto, i cili u ndal tek mirëmbajtja e simboleve të LANÇ dhe pasqyrimin e veprimtarive në media. Qendra Kulturore dhe nxënësit e shkollës “Nonda Bulka” përshëndetën të pranishmit me një koncert muziko- letrar. Grupi i shkollës me mësuesen Mimoza Topoviti interpretoi këngët partizane, “Malet me blerim mbuluar”, “O i vogël o partizan”, interpretim me fyell, kolazh me këngë partizane, recitime dhe valle të jugut. Mbylli veprimtarinë grupi i sazeve të Qendrës Kulturore me kolazh këngësh partizane, të cilat i dhanë një atmosferë festive kësaj veprimtarie kushtuar 76 – vjetorit të Çlirimit të Përmetit.

Për të ftuarit bashkia organizoi një koktej në lokalin familjar. Tv publik Gjirokastra e pasqyroi gjerësisht këtë manifestim.

Përmet më, 13.09.2019

Muharem Kamani