MPJ, Belortaja: Javët e ardhshme pritet fluks refugjatësh nga Lindja në Shqipëri

492
TIRANË – Ministria e Jashtme parashikon që javët e ardhshme të rritet fluksi i refugjatëve nga Lindja që mund të përdorin vendin tonë si tranzit. Zëvendësministri i Jashtëm Selim Belortaja njoftoi masat e marra deri tani dhe kërkoi më shumë vëmendje për suportin financiar të situatës.
“Edhe ne po hyjmë në situatën e menaxhimit të krizës së refugjatëve. Vendi ynë ende nuk është goditur nga kjo valë refugjatësh, ndryshe nga Serbia e Maqedonia. Shumë shpejt, me ardhjen e dimrit dhe me shtrëngimin e masave të kufijve fqinjë, Shqipëria mund të preket nga fluksi i shtuar i emigrantëve. Jemi të detyruar të marrim masa për javët e ardhshme. Mund të përdorin Shqipërinë për të kaluar drejt Italisë. Masa kryesore është plani i emergjencës që përmban elementët potencialë nga logjistike tek ato financiare e njerëzore. Kemi organizuar disa takime organizime edhe me prefekturat për qendrat më të përshtatshme ku mund të vendosen refugjatët kryesisht në jug dhe në lindje. Është forcuar kufiri i gjelbër. Kemi shkurtuar procedurën e riatdhesimit të atyre që s kanë arsye azili. Kemi marrë masa për pajisjen me dokumente të azilkërkuesve me drejtorinë e emigracionit. E rëndësishme është adresimi financiar”, tha Belortaja.
Deklarata e tij u bë këtë të mërkurë në komisionin e Jashtëm në një seancë dëgjimore për azilkërkuesit shqiptarë. 
“Çështja e azilkërkuesve është mjaft delikate edhe pse nuk është vetëm një fenomen shqiptar. Statistikat flasin për një rritje me 9 herë krahasuar me vitin 2014. Vendet pritëse e kanë shprehur shqetësimin. Për ne shqetësimi është se kemi të bëjmë me një terren ligjor të cenuar”, tha zëvendësministri i Jashtëm.
Belortaja tha se shkaqet për rritjen e azilkërkuesve është kriza ekonomike globale, së dyti liberalizimi i vizave si dhe informacioni i gabuar nga bashkëkombësit që janë tashmë në vendet pritëse. 
“Edhe reformat e forta prodhojnë patjetër kosto, megjithatë ky nuk del si faktor në analizën zyrtare”, – tha Belortaja, duke fajësuar gjithashtu edhe veprimtarinë mashtruese të disa strukturave ndërmjetësuese. 
Sigal