Motra e Fildez Hafizit i shkruan letër Erion Veliajt: Në momentin e kobshëm për familjen tonë…

1038
Një muaj nga vrasja e gjyqtares Fildez Hafizi nga ish-bashkëshorti i saj Fadil Kasemi, motra e së ndjerës Amela Hafizi i ka dërguar një letër falënderimi kreut të Bashkisë së Tiranës. Në letër ajo shpreh mirënjohjen për ndihmën e dhënë nga bashkia dhe Veliaj në momentet e vështira për prindërit e saj dhe fëmijët e Fildezit në mënyrë që e ardhmja e tyre të mos ndërpritej.
Familja e gjyqtares u zhvendos në një banesë, qiranë e së cilës e paguan Bashkia e Tiranës dhe me ndihmën e donatorëve u bë dhe mobilimi i shtëpisë. Gjithashtu përmes drejtorisë së Mbrojtjes dhe Përfshirjes Sociale bashkia është angazhuar që të plotësojë dokumentacionin për heqjen e kujdestarisë së fëmijëve babait të burgosur dhe dhënien me vendim gjykate tezes së fëmijëve. Nga dhënia e kujdestarisë secili prej fëmijëve përfiton 9 mijë lekë ne muaj. Ndërkohë në bashkëpunim me donatorë privat fëmijëve iu është siguruar dhe transporti falas për në shkollë.
LETRA E PLOTË E MOTRËS SË GJYQTARES

“Shumë i nderuar Z.Veliaj,
Unë që po ju shkruaj, quhem Amela Hafizi (Asllanaj) motra e së ndjerës Fildeze Hafizi gjyqtares së vrarë.
Më lejoni që, nëpërmjet kësaj letre, në emrin e prindërve të mi, të fëmijëve të së ndjerës dhe timin t’ju shpreh vlerësimin, mirënjohjen dhe konsideratën time më të lartë për mbështetjen e çmuar dhe të vyer që na keni ofruar në një moment kaq të kobshëm për familjen tonë dhe mbi të gjitha për fëmijët e Fildezit.
Ju jemi mirënjohës pasi në ditët tona më të vështira ju dhe stafi juaj na i ndodhët pranë duke na suportuar jo vetëm si institucion por edhe si individë, si njerëz të thjeshtë dhe humanë të prekur nga situata dhe tragjedia jonë.
Duam t’ju falënderojmë juve personalisht Z. Veliaj që bëtë të mundur që e ardhmja e fëmijëve të mos ndërpritej nga tragjedia, duke na ardhur në ndihmë në një moment kur menduam se e gjithë bota u përmbys. Ju falënderojmë për disponibilitetin dhe kohën rekord në të cilën na keni ardhur në ndihmë. Juve na bëtë të kuptojmë se në këtë botë ka ende njerëz shumë të mirë me zemër të madhe dhe dëshirë për të ndihmuar.
Një falënderim të veçantë kanë stafi juaj i mrekullueshëm të cilët punuan me profesionalizëm dhe shumë humanizëm ku në veçanti dua t’ju shpreh vlerësimin tim më të lartë për Znj. Anisa Ruseti dhe Z. Fatjon Dhuli gjithashtu mirënjohje për Anilën, Aurorën, Arjetën e shumë të tjerë që mbase nuk jua dimë emrat por na suportuan pa hezituar duke bërë të mundur që prindërit e mi dhe mbi të gjitha fëmijët të kenë një strehë.
Ju lutem Z. Veliaj t’i transmetoni falënderimet e mia stafit tuaj të vartësisë për vlerësimin dhe gatishmërinë maksimale të treguar nga ana e tyre. Zoti ju bekoftë ju dhe të gjithë personat që na qëndruan pranë në një moment kaq të vështirë. Duke ju uruar punë të mbarë, suksese të mëtejshme dhe çdo të mirë”, shkruhet në letrën dërguar Veliajt.


Sigal