Motosharrat presin qindra drurë dekorativë, policia bën sehir

79
Prej dy ditësh persona (pa maska) në dritën e diellit, të pajisur me motosharra dhe automjetet e tyre, kanë nisur prerjen e drurëve dekorative, të cilat bashkia i ka blerë dhe mbjellë prej disa vitesh në pothuajse të gjitha lagjet e qytetit. Banorët e lagjeve të Elbasanit janë shokuar kur kanë parë me sytë e tyre, se si persona të pajisur me motosharra duke deklaruar se “jemi të Gjelbërimit” duke mashtruar, nisën prerjen e rrapeve dhe drurëve të tjerë dekorativë të rritur me kujdes edhe nga banorët e lagjeve të qytetit. Ata nuk kanë pyetur shumë për indinjatën e banorëve, edhe kur këta të fundit janë grumbulluar dhe kanë debatuar dhe janë përleshur me piratët pa maska që thyenin ligjin dhe shkatërronin gjelbërimin e qytetit. Sipas banorëve të disa lagjeve “aksioni i motosharrave ishte i organizuar në mënyrë perfekte, pasi ne edhe kur telefonuam tek 129, policia ka ardhur me vonesë, por dhe kur erdhi nuk veproi fare, madje duke nisur me shkelësit e ligjit muhabetin sikur ishin ulur në kafene”. Mungesa e veprimeve nga policia për të ndaluar dorën shkatërrimtare të personave që guxojnë në mes të ditës të presin pemët e blera me para taksapaguesish, tregon se uniformat blu janë sa neglizhente aq edhe palë me shkelësit e ligjit në Elbasan. Banorët i thanë “Telegraf” që “pavarësisht se telefonuam mbi 20 herë dhe kërkuam të vinte patrulla e policisë, ata erdhën 2 herë dhe nuk u afruan fare tek vendi i krimit mjedisor, por qëndruan 250 metra larg dhe telefonuan dikë, i cili ndoshta u premtoi ndalimin e masakrës mjedisore dhe ata u larguan duke na lënë në baltë, ne, të cilët u kacafytëm me shkelësit e ligjit”. 
129-a e policisë, nuk u përgjigjet banorëve
Shpesh banorët e Elbasanit ankohen se 129 edhe kur ata e telefonojnë ose nuk u përgjigjet, ose patrulla e policisë u vjen me vonesë, kurse në rastin më të keq ajo shikohet se bëhet palë me shkelësit e ligjit, me dhunuesit, me elementët e denoncuar. Kjo situatë ka sjellë degradimin e punës nga disa elementë të sektorëve të policisë në Elbasan, aq sa qytetarët shprehen se “më mirë t’i zgjidhim privatisht problemet me shkelësit e ligjit, pasi policia edhe kur njoftohet rezulton se i ka miq, shokë ose blihet me kanoçe birre, dhe gjithçka degradon për keq”. Ngjarja me motosharrat në disa lagje të Elbasanit, mungesa e policisë dhe ndëshkimit nga ajo e elementëve të denoncuar nga banorët, tregoi sa të paaftë janë uniformat blu në atë qytet. Faktikisht ngjarja ishte një krim mjedisor, që duhej ndëshkuar sipas ligjit, ishte një sfidë e hapur që anti-ligji i bën shtetit ligjor dhe tregoi se policia është sa e paaftë, aq edhe e kompromentuar. 

Banorët të terrorizuar nga krimi
Banorët e Elbasanit të terrorizuar edhe nga ngjarjet e fundit kriminale, kërkojnë nga policia përgjegjshmëri dhe zbatimin e ligjit, kërkojnë angazhimin e saj në çdo njoftim të bërë tek 129 apo tek celularët e drejtuesve të saj, në të kundërtën situata mund të degradojë dhe kjo për fajin e shtetit. Faktet kanë treguar se, kur shteti (në rastin konkret) apo policia ka neglizhuar, dhe nuk ka ardhur në kohë, kur ajo nuk ka marrë masat e duhura për të ndëshkuar keqbërësit, atëherë kanë qenë qytetarët, ata që sipas mënyrës së tyre kanë vendosur drejtësinë e munguar. Është koha që në polici të vijnë ata që nuk shkelin mbi moralin e uniformës dhe ligjit kushtetues, ata që nuk kanë nevoja dhe tendenca të bëhen palë me shkelësit e ligjit, dhe ka ardhur koha të largohen urgjentisht ata që i kanë bërë “fresk” shefave prej 25 vitesh dhe që vegjetojnë qetë-qetë pa i hyrë gjembi në këmbë, sa herë ndërrohen drejtorët dhe shefat e komisariateve. Në mungesë të një zgjidhje të drejtë, zgjidhja e duhur ligjore do të ishte që faturën e dëmeve financiare të shkaktuara nga motosharrat, banorët e lagjeve të Elbasanit, t’ia dërgonin që ta paguante policia. 
Alma Jonuzi