Moti i nxehtë, këshilla për të shmangur rreziqet

1138
Instituti i Shëndetit Publik bën thirrje për të pasur kujdes me fëmijët dhe të moshuarit. Si duhet vepruar në banesa
Instituti i Shëndetit Publik po vijon një fushatë ndërgjegjësimi për rreziqet e motit të nxehtë, sidomos për sa i përket kategorive të njerëzve në nevojë, si të moshuarit dhe fëmijët. ISHP kërkon që të mbështeten rregullat e fushatës me këshilla parandaluese për të gjithë popullatën, sidomos për fëmijët, adoleshentët dhe të moshuarit. Në këtë kuadër, për të moshuarit këshillohet që: Mjediset e brendshme të banesës të mbahen në një temperaturë konstante rreth 26° C; të moshuarit të mos dalin nga shtëpia nga ora 11-18; gjatë gjithë kohës të konsumojnë lëngje jo shumë të ftohta; të vishen me veshje me ngjyra të hapura prej lini ose pambuku. Përveç të moshuarve, grupe të rrezikuara janë fëmijët, foshnjat, të sëmurët kronikë, personat të cilët duhet të jenë të shoqëruar me kujdestarë, dhe ata që kryejnë aktivitete fizike jashtë. Në rast se dikush ndihet keq nga i nxehti dhe është në pritje të ndihmës së kualifikuar është mirë që: personi të vendoset në një vend të freskët; t’i ftohet trupi duke e mbështjellë me një çarçaf të lagur ose duke e spërkatur me ujë; t’i jepet të pijë lëngje; të mos i jepet asnjë ilaç për uljen e temperaturës. Sipas ISHP-së, mjekët e familjes duhet të kenë parasysh se simptomat e të nxehtit të tepërt janë ngërçet, edema, skuqja e lëkurës, goditja nga i nxehti dhe dehidratimi. I nxehti mund ta komplikojë situatën e pacientëve që vuajnë nga hipertensioni, nga problemet e zemrës dhe insuficienca renale, ose që përdorin ilaçe që përkeqësojnë efektet e goditjes së të nxehtit. Instituti i Shëndetit Publik vlerëson se në stinën e verës rriten temperaturat, rritet dëshira dhe mundësia për të përfituar nga të mirat e kësaj stine, por njëkohësisht rritet edhe rreziku për disa situata që ndikojnë në shëndetin tonë dhe të fëmijëve. “Nëse përdoret me zgjuarsi, pra ashtu siç duhet dhe aq sa duhet, apo nëse ekspozimi në diell është i ekuilibruar, dielli nuk është armik i shëndetit”, vlerëson ISHP. Të gjithë njerëzit mund të përfitojnë nga dielli dhe duhet t’i dinë të mirat e tij. “Dielli bën të ndihesh mirë, me humor, ndihmon në prodhimin e vitaminës D, etj. Ekspozimi në diell në masën e duhur është i domosdoshëm për shëndetin. Vitamina D, e cila prodhohet në lëkurë nëpërmjet ekspozimit ndaj rrezeve ultravjollcë B (UVB), rregullon nivelin e kalciumit në gjak dhe është e nevojshme për shëndetin e kockave dhe muskujve. Gjithashtu, për shëndetin e fëmijës dhe për të parandaluar rakitin, janë të mjaftueshme sasi të vogla të rrezeve UV”, sqaron ISHP. Ndërkohë, rrezet ultravjollcë mund të përdoren edhe si mjekim. Ekspozimi ndaj rrezeve ultravjollcë këshillohet për disa sëmundjeve të lëkurës si dermatitis atopik, psoriaza, puçrrat e adoleshencës, etj.; kërkohet gjithnjë këshillimi me mjekun, sepse ai përcakton kohën e ekspozimit në diell. 

Rreziqet e rrezeve ultravjollcë për fëmijët
Dielli përveç kënaqësisë që u jep fëmijëve të luajnë përjashta, të shkojnë në plazh etj., ka dhe rreziqet e tij për të cilat fëmijët nuk janë të mirinformuar. Është e nevojshme të përfitojmë nga dielli por edhe të mbrohemi prej tij. Ekspozimi i tepruar ndaj rrezeve ultravjollcë të diellit jep dëmtime të menjëhershme në lëkurë si djegie, skuqje, dhe dëmtime të mëvonshme siç është zhvillimi i kancerit të lëkurës në moshë të rritur. Fëmijët janë më të ndjeshëm dhe më të ekspozuar se të rriturit. Ka shumë të dhëna dhe evidenca të forta që tregojnë se, ekspozimi ndaj rrezeve UV 

gjatë fëmijërisë dhe adoleshencës është një faktor rreziku për zhvillimin e kancerit të lëkurës në moshë më të rritur. Gjithashtu, është vlerësuar se ekspozimi më i madh ndaj rrezeve UV, për gjatë gjithë jetës, ndodh në fëmijëri deri në moshën 18 vjeç. Prandaj mbrojtja në fëmijëri dhe adoleshencë e lëkurës nga rrezet UV do të ulë në të ardhmen incidencën e kancerit të lëkurës. Sot shumica e njerëzve mund të kenë njohuri për rreziqet e diellit për lëkurën dhe përdorin një krem mbrojtës. Por ata nuk janë të vetëdijshëm për rreziqet dhe dëmtimet që shkakton dielli në sy. Kur flasim për rrezet UV, kryesisht flasim për rrezet UVA dhe UVB. Këto rreze penetrojnë në sy në nivele të ndryshme dhe japin dëmtime të menjëhershme dhe të mëvonshme siç janë: Konjuktiviti që shoqërohet me djegie ose skuqje të lehtë të syve, ndjenjën e hyrjes së diçkaje në sy, frikën nga drita, etj; keratito-konjuktiviti që shoqërohet me dhimbje të syve, sy që hapen me vështirësi, sikur janë plot me rërë, turbullim të shikimit, etj; katarakti (perdja e syrit ). Sipas OBSH-së, rreth 20 % e tyre shkaktohen nga ekspozimi ndaj rrezeve ultravjollcë, dhe janë shkaktari i parë i verbimit në botë. Edhe pse katarakti shtohet me moshën, ekspozimi në diell është faktori i zhvillimit dhe shpejtimit të tij. Prandaj, mbrojtja që në fëmijëri dhe adoleshencë e syve nga rrezet ultravjollcë mund të ulë problemet shëndetësore që mund të kenë me sytë në moshë më të rritur.
Sigal