Moti i keq/ Nisen me vonesë tragetet nga Durrësi, probleme edhe në Vlorë. Dallgë deri në 9 ballë

114

Moti i keq ka shkaktuar probleme dhe vonesa në nisjen e trageteve.

Dy tragete që duhet të niseshin që mbrëmë nga Porti i Durrësit, janë nisur vetëm sot në mëngjes, pasi deti ka qenë i palundrueshëm.

Tragetet për në Bari u nisen me 7 orë vonesë dhe parashikohet të mbërrijnë në Bari rreth orës 14.00.

Ndërsa tragetet Bari-Durrës mbërritën në orar dhe nuk ka pasur probleme me pasagjeret.

Moti ka nisur të qetësohet dhe në orët në vazhdim pritet që forca e detit të bjerë, por se fundi në det të hapur forca arriti 9 ballë.

Probleme ka pasur edhe në Portin e Vlorës. Si pasojë e motit të përkeqësuar gjatë gjithë natës trageti i linjës Brindisi – Vlorë pritet të mbërrijë në portin rreth orës 11-12:00, pasi është nisur me vonesë nga Brindisi.

Sipas kapitanerisë moti është drejt përmirësimit, forca arrin 5 ballë në det të hapur dhe 3- 4 brenda gjirit.