Moti i keq në vend, Çela: Brenda 24 orëve rikthyem normalitetin në 90% të vendit

524
Kushtet e vështira atmosferike, me erë të fortë dhe reshje të dentura shiu gjatë dy ditëve të fundit shkaktuan avari të shumta duke dëmtuar disa nga linjat dhe nënstacionet e OSHEE-së.
Megjithatë, OSHEE kishte ngritur më herët Shtabin e Emergjencës, duke vendosur në gjendje gatishmërie mbi 1600 punonjës, të organizuar në 26 grupe, në zonat më kritike. Orët e para të ditës së diel shënuan numrin më të lartë të defekte, me rreth 192 fidra të stakuar.
Problem kanë qenë disa zona të vendit, kryesisht rurale, por edhe qytetet si Tirana ku administratori i OSHEE-së, z.Adrian Çela inspektoi sot nga afër punimet për rregullimin e defektit të shkaktuar nga era e fortë dhe rrëzimi i pemëve, të cilët sollën dëmtimin e 7 shtyllave, pranë zonës të Kompleksit “Dinamo”.
Kreu i OSHEE paraqiti për mediat e pranishme, situatën në tërësi në lidhje me gjendjen e furnizimit me energji elektrike në të gjithë vendin.
“Aktualisht që flasim, 90% e situatës është krejtësisht normale dhe furnizim të plotë me energji elektrike. Më herët, në një pjesë të madhe të territorit kemi patur defekte dhe avari te fidrat e tensionit të mesëm (TM) apo të lartë (TL). Vazhdojmë të kemi ende probleme me defektet në zonat shumë periferike, kryesisht, në Dibër dhe Kukës, pasi kemi pasur rrëshqitje dheu dhe kjo ka shkaktuar dëmtime në shtylla. Kjo situate, për pak orë merr zgjidhje. Problem kemi edhe në zonat periferike të Tiranës, si Zallbastar, etj. Kemi nënstacionin e Komanit me defekt dhe po punojmë për riparimin”, tha Cela.
Ai pohoi se që ditën e shtunë, duke i paraprirë situatës, OSHEE ngriti grupin e gatishmërisë në qendër dhe në 10 drejtoritë rajonale. “Kështu, të dielën në mëngjes kishim 192 fidera të dëmtuar, ndërsa sot që flasim numri është rreth 30 fidera të dëmtuar. Mund të themi se masat që mori OSHEE me remontet gjatë muajve të thatë shtator-tetor i paraprinë situatës qe dëmet të ishin sa më minimale dhe në një kohë rekord riparuam fiderat e dëmtuar. Hidrovorët kanë qenë gjithë kohës në punë, po ashtu edhe spitalet janë furnizuar normalisht me drita”, u shpreh administratori i OSHEE-së.
Çela tha se me gjithë masat e marra, për shkak të motit të keq, me reshje por edhe stuhi, defektet ishin të paevitueshme.
“Ne u përballëm me kushte të vështira atmosferike, me erë të fortë, reshje të dendura, deri në atë pikë sa as tragetet nuk ankoronin dot në porte. Ju më pyesni a është normale që kemi gjithë këto defekte apo kufizime?! Mund t’ju them që OSHEE s’mund të parashikojë se kur fryn erë fortë cila pemë do bie në cilën shtyllë, se cilën nënstacion do të prekë rrufeja, apo dhe kur bie shi, përmbyten kabinat dhe nënstacionet, duke na detyruar të stakojmë dritat për efekt sigurie!! Pra, këto janë defekte të paevitueshme”, tha Cela.
Më tej ai deklaroi se “Ne kemi në dorë të marrim masat, të parandalojmë me remonte dhe investime, të organizojmë shtabet e emergjencës për ta rikthyer energjinë elektrike brenda një kohe të shkurtër. Sikurse jemi të ndërgjegjshëm dhe e kemi stërthenë që rrjeti aktual, 80% i tij është gati 40-vjeçar”.
Informacion i orës 14:30 nga Shtabi i Emergjencës, pranë OSHEE
Aktualisht janë me defekt vetëm 16 fidera që furnizojnë me energji kryesisht zonat rurale. Në zonat e Tiranës dhe Durrësit janë riparuar të gjitha defektet dhe nuk ka mungesë energjie.
Zonat me probleme
Berat: Potom dhe Tomorricë
Fier: Levan, Dermenas, Selenicë, Amonicë, Babicë dhe Lagja “11 Janari” në Fier
Burrel: Gurrë e Madhe , Gurrë e Vogël dhe Cërrunjë
Shkodër: Koman, Kacinar, Kallmë dhe Midë.
Sigal