Moti i keq dhe kriza bllokon punën në Portin e Peshkimit

589
Sigal

DURRËS/ Për këtë vit anijet s’kanë dalë në lundrim. Kreu i shoqatës, Kapiti: “Në treg ndihet mungesa e peshkut të freskët”

Në Portin e Peshkimit të Durrësit vihet re një shqetësim i peshkatarëve. Kjo pasi ka mbi 20 ditë kohë të vështirë që nuk i ka lejuar për të peshkuar dhe kjo ndodh,- thonë peshkatarët, në një kohë kur prurjet e dimrit kanë sjellë burime të kënaqshme peshku në det. Po kjo është një periudhe thuajse e pandërprerë, pasi duke marrë në konsideratë edhe ditët e këqija të fund vitit periudha dimërore e mos peshkimit arrin në rreth dy muaj. Jemi të lidhur në bankina, thonë ata. Mos dalja për gjueti ka bërë që jo vetëm të mos ketë peshk të freskët në tregun e qytetit dhe lokalet, por të rëndohet edhe gjendja ekonomike e peshkatarëve nga ndërprerja e burimeve ekonomike të familjarëve. Po ky është vështrimi i parë në Portin e Peshkimit, ndërsa problemet e vështirësive që kanë në punët e përditshme kur bisedon shtruar me to janë shumë më të thella. Ato thonë se edhe kur është kohë e mirë, nga bankinat e peshkimit nuk mund të shkëputen për të dalë në peshkim, një numër i madh prej anijeve, pasi shumë prej tyre janë me probleme të ndryshme teknike dhe realisht jashtë funksionit. Nga rreth 120 mjete lundruese në lundrim mund të dalin tashmë vetëm rreth 50 mjete. Për këtë ka ndikuar për keq edhe mungesa e kantierit detar të Durrësit, i cili tashme është jashtë funksionit. Kreu i Sindikatës së Pavarur të Peshkimit, Klodjan Kapiti, thotë se, për këto probleme gangrene e pashërueshme e tyre ka qenë shkatërrimi i pa përgjegjshëm i Kantierit Detar, që ka lejuar shteti pa pasur asnjë perspektive për të ringritur një kantier tjetër, mjaft i domosdoshëm për një vend me kaq shumë det dhe që pretendon për më shumë për peshkimin. Kapiti flet me rezerva edhe për portin e ri të peshkimit, në të cilin kanë filluar ndërtimi skolierave. Ai thekson se porti vërtetë ka filluar së ndërtuari, por se është skeptik nga ky zbatim projekti që ka filluar për shkak edhe të mungesës së transparencës. Nuk është bërë asnjë njoftim zyrtar mbi këtë, thotë ai, si dhe mungon qoftë edhe një tabelë elementare, mbi afishimin e ndërtimit sipas projektit real dhe firmës tenderuese që e ndërton atë. Tabelë që zakonisht vendoset edhe për një rikonstruksion rruge në një lagje çfarë do periferie, -thotë Kapiti.

VARFËRIMI I PESHKATARËVE

Nafta ka qenë një tjetër shkak që anijet dhe peshkatarët të gjunjëzohen përballë varfërisë dhe sfidave të ekonomisë së tregut. Problemet me naftën kanë mbetur të trashëguara prej vitesh. Skema e rimbursimit nuk ka funksionuar dhe tashmë peshkatarët që kanë mundësi janë të detyruar që të lundrojnë drejt shteteve fqinje për t’u furnizuar me naftë, ku edhe kostoja e saj është rreth 120 lekë të reja, sipas peshkatarëve. Ndërkohë që nafta në vend ka çmim mjaft të lartë. Një pronar anije thotë se një dalje në det ose vijaxho rreth 24 lundrimi, siç e thonë ata në gjuhen e detareve ka një kosto prej 4000 deri në 5000 litra nafte. Dhe në të shumtën e rasteve peshkatarët nuk arrijnë që të kapin sasi peshku që ta përballojnë koston e shumë shpenzimeve. Madje ka raste kur u mbeten në thellësi edhe rrjetat nga koha e keqe etj..

Zgjidhjet që nuk japin rezultat

Për të përballuar nevojat mjaft peshkatarë të thjeshte ose edhe pronarë anijesh kanë marrë kredi të ndryshme nëpër banka të ndryshme dhe sot përballen me vështirësi e konflikte me bankat për të bërë likuidimet e kësteve të marra. Në këto kushte shumë peshkatarë kanë humbur interesin për detin dhe kanë ndërruar destinacion dhe profesion. Për të përballuar nevojat për peshkatarë profesionistë tashti në anijet e peshkimit kanë filluar që të punësohen peshkatarë arabë. Në flotiljen e peshkimin në Durrësi janë të punësuar afërsisht 50 peshkatarë egjiptianë.