Moti i keq, alarm për përmbytje në Ballkan

525
Sigal

Ballkani po përballet me një mot të egër me shira të dendur dhe me temperatura disi të pazakonta për këtë muaj.

Vala intensive me reshje të dendura dhe erëra të forta ka goditur që nga mbrëmja e së dielës shumë rajone të Ballkanit Perëndimor, ku ka pasur edhe alarme për përmbytje.

Situata është veçanërisht kritike në veriperëndim të Bosnjë-Hercegovinës, ku disa lumenj po dalin nga shtrati, duke rrezikuar disa fshatra.

Një zonë e presionit të ulët që u formua në pjesën perëndimore të Europës gjatë fundjavës është zhvendosur drejt juglindjes dhe tani është vendosur mbi detin Adriatik.

Ky lloj qarkullimi pritet të zgjasë të paktën deri të enjten, që do të thotë se vendet e Ballkanit, si dhe Italia, do të përballen me disa ditë shiu dhe përmbytje të mundshme. Stuhia ka sjellë tashmë sasi të konsiderueshme shi në rajon.

Në Kroaci, qyteti i Ogulinut arriti 93.7 milimetra në vetëm 24 orë, një sasi sa mesatarja mujore e muajit maj. Në Bihac, në Bosnje u regjistruan 84.2 mm shi. Bashkë me shiun ka pasur erëra të dëmshme që kanë rrëzuar pemët dhe linjat e energjisë elektrike në kryeqytetin kroat të Zagrebit, shkruan panorama.

Gjatë natës së të dielës dhe të hënën, era lëvizte me mbi 80 kilometra në orë. Më në jug, në qytetin e Splitit, erërat arritën pak më shumë se 86 km/h. Shiu i madh në Kroaci ka shkaktuar gjithashtu ngritjen e nivelit në lumin Puhar, që ka përmbytur komunitetet fqinje të Prijedorit, duke dëmtuar shtëpitë dhe bizneset.

Shi më i rrëmbyer pritet në ditët e ardhshme dhe kjo do të thotë përmbytje përgjatë bregut lindor të Italisë dhe rrezik përmbytjesh ehe në Kroaci, Serbi dhe Bosnjë. Stuhitë e rënda gjithashtu do të sjellin një kërcënim tjetër për rajonin. Të enjten stuhia pritet të dobësohet.