Mospublikimi i emrave të abuzuesve fsheh lidhjet e politikës me biznesin

89

Forum/ Flasin av. Ndue Pjetra, av. Idajet Beqiri dhe Kreu i SHKSH-së dr.Islam Cani: E drejta e qytetarëve shqiptar për t’u njohur me emrat e shkelësve të ligjit

Skandali mbi grabitjen e karburanteve ndaj qytetarëve dhe mospublikimi i emrave të abuzuesve nga ana e Metrologjisë ka të bëjë me korrupsionin. Kështu shprehen në një prononcim për “Telegraf” Kryetari i Shoqatës së Avokatëve Antikorrupsion Shqiptar, Ndue Pjetra, Avokat Idajet Beqiri dhe kreu i Shoqatës së Konsumatorit Shqiptar dr. Islam Cani. Madje avokatët Pjetra e Beqiri shkojnë më tej duke u shprehur se vetëm lidhjet e fuqishme të politikës me bizneset bëjnë që të ndodhin këto abuzime në kurriz të qytetarëve shqiptarë. Gjithashtu ata gjykojnë si abuzivizte edhe raportet e kontrolleve të organeve shtetërore të policisë, prokurorisë etj., ku në asnjë prej tyre nuk publikohen emrat e plotë të personave që kanë shkelur ligji, por maksimumi i botojnë raportet me inicialet e tyre. Nga ana tjetër edhe Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave ka rrëzuar pretendimet e Drejtorisë së Metrologjisë, e cila edhe pse bëri publik faktin se shqiptarët grabiten nga disa kompani të tregtimit të hidrokarbureve, ajo nuk mund të tregonte emrat e tyre në respekt të ligjit “Për mbrojtjen e të dhënave personale”. Inspektorati Qendror Teknik ka të drejtë të publikojë emrat e subjekteve të kompanive që abuzojnë me cilësinë e karburanteve. Kështu është shprehur përmes një shkrese zyrtare Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Flora Çabej.

 Flora Çabej: Ligji nuk e ndalon publikimin e emrave të abuzuesve

 Komisioneri  për mbrojtjen e të dhënave personale Flora Çabej reagon zyrtarisht përmes një opinioni të shpërndarë për mediat ku bën me dije se Drejtoria e Metrologjisë duhet të bëjë publike emrat e kompanive të karburanteve që abuzojnë duke vjedhur konsumatorin. Pika 3 e nenit 31 të ligjit “Për inspektimin në republikën e Shqipërisë”, në të cilin parashikohet ruajtja e konfidencialitetit nga ana e inspektorëve gjatë procedimit administrativ në subjekte tregtare dhe mos nxjerrja e informacionit, komisioneri vëren se duhet bërë kujdes në evidentimin e interesit të publikut i cili në këtë rast prevalon. Ruajtja e sekretit profesional i shërben mos dëmtimit të aktivitetit tregtar nga konkurrenca e pandershme, ndërsa publikimi i emrit të subjektit tregtar i cili abuzon në dëm të konsumatorit nuk ka lidhje me ruajtjen e sekretit profesional. Publikimi i abuzuesve është një detyrim ligjor i  institucioneve publike, i cili parashikohet në ligjet e tyre organike, në rastin konkret ai i drejtorisë së përgjithshme të metrologjisë, që në nenin 2 të ligjit të ndryshuar në vitin 2010 thuhet se” ky ligj ka si qëllim të realizojë mbrojtjen e konsumatorëve dhe të shtetit nga rezultatet e pasakta të matjeve”.

  Ndue Pjetra: Mospublikimi i emrave të abuzuesve ka shkak lidhjet e biznesit me politikën

 Nuk ka dhe nuk mund të ketë ligje ku bëhet fjalë për të mbrojtur personat që u kanë shkaktuar dëm një pjese të madhe qytetarësh. Ky veprim është politik, por është precedent për shoqërinë shqiptare që prej 23 vitesh! Shkurtimisht, nuk ka ligje në fuqi për t’u mbrojtur abuzuesit, por meqenëse janë familjarë të politikanëve, fshihen pas fijes së kashtës. Dua të them se, sado të fshihen përpara asaj që kanë bërë zoti u ka dhënë dënimin. Duke bërë analizë nuk kemi asnjë të padënuar nga Zoti. Njeri ka prishur familjen, tjetri ka fëmijët me sëmundje, tjetri sakat, etj..

Në një vend ku çdo biznes kontrollohet nga politika, nuk mund të themi se veprimet e tyre janë konform ligjit. Pasi sa herë të kenë nevojë, ata i ndryshojnë kushtet për të bërë si të duan vetë. Për të mbrojtur paret e tyre ata ndryshojnë edhe Kodin Penal që mos t’u prishin rehatin.

 Av. Idajet Beqiri: Pas biznesit që abuzon me konsumatorin, fshihen njerëz me pushtet

 Qëndrimi që mbajnë këto institucione kontrolluese shtetërore janë abuziviste. Shpërdorohet dhe keqinterpretohet me qëllim ligji i privatësisë. Kjo bëhet për një numër shkaqesh, të cilat të gjitha së bashku kanë për qëllim të mbulojnë korrupsionin dhe abuzimin në dëm të konsumatorëve shqiptarë, të justifikojnë paaftësitë dhe mungesën e përgjegjshmërisë të personave dhe vetë institucioneve që e kanë për detyrë të ushtrojnë kontrolle, të zbulojnë dhe të çojnë për ndjekje penale abuzuesit dhe vjedhësit si dhe mbi të gjitha, të mbrojnë konsumatorët nga abuzimet dhe abuzivistët. Nëse kontrollet zhvillohen në përputhje me dispozitat ligjore, me aktet nënligjore, me rregullat, rregulloret dhe urdhrat e organeve ligjvënëse dhe ekzekutive, çfarë tjetër ka më tej në se i nxjerr me emër dhe mbiemër, me adresë të saktë, me emër biznesi etj të gjitha shkeljet e rënda që kanë bërë ata? Çfarë “privatësie” shkelet këtu?! Personi fizik apo juridik që shkel ligjet dhe rregullat, që vjedh, që abuzon me cilësinë, sasinë, çmimin e mallrave apo shërbimeve, në dëm të konsumatorëve, mbartin mbi vete të gjithë barrën e përgjegjësinë për zhvleftësimin, e deri falimentimin e biznesit të tyre. Këto raste shkeljesh domosdo kallëzohen penalisht. Kallëzimet nuk bëhen pa emra e mbiemra, nuk bëhen me pseudonime e iniciale, përkundrazi bëhen me identitetin e plotë të shkelësit të ligjit dhe me adresën e saktë të tij. Kështu duhet t’u jepen edhe mediave. Bëjnë përjashtim nga ky rregull i përgjithshëm, vetëm ato raste kur shkelësit e ligjit dhe abuzuesit janë të mitur (nuk kanë mbushur moshën 18 vjeç). Pasqyrimi me vërtetësi i identitetit të plotë të abuzuesve ndikon dukshëm në parandalimin e këtyre fenomeneve të kundërligjshme. Nëse shkelësi i ligjit nuk do evidentohet me identitetin e tij të plotë, ai as do skuqet e as do verdhet, e as do e ketë problem opinionin publik që gjithsesi të mbyt kur je në rrugën e mbrapshtisë, dhe ai e të tjerë si ai, nuk do e kishin për gjë të bëheshin recidivist.

Po përse veprohet ndryshe, sikurse veprojnë deri më tani këto dy institucione të rëndësishme të shtetit? Në radhë të parë, sepse me fshehje të tilla të identitetit të shkelësit të ligjit, bëhet më lehtë korrupsioni prej këtyre dy institucioneve. Kur nuk dihet emri dhe mbiemri i abuzuesit, shuhet shpejt edhe vetë ngjarja kriminale. Nga ana tjetër, pas çdo abuzuesi fshihet një “Kapoband” me pushtet që fshihet pas atij biznesi që bën abuzimin kundër konsumatorit. Dhe bëhen hesape reciproke, “sot jam unë në këtë institucion kontrolli, nesër është ky “Kapobanda” që ka bërë shkeljen sot”! Mbi të gjitha, kjo lidhet edhe me paaftësinë e këtyre institucioneve. Duke qenë të paaftë, kontrollet që bëjnë dhe konkluzionet që nxjerrin nuk janë korrekte, nuk janë në përputhje me ligjin. Për këtë arsye, më mirë i paraqesin abuzuesit me iniciale, nga frika se kontrollet dalin “shterpë” dhe të kontrolluarit dhe të akuzuarit pa të drejtë, i denoncojnë për shpifje e fyerje kallëzuesit e tyre, duke kërkuar prej tyre shpërblimin e dëmit moral dhe material.

 Islam Cani: Organet e kontrollit të korruptuara

 Mesa duket ju e lidhni këtë pyetje me kontrollin e ushtruar nga Metrologjia te karburantet. Dëshiroj që të theksoj se deri më tani kjo drejtori nuk ka qenë e gjallë. Në mbrojtje të konsumatorit ka qenë inaktive ose e kamufluar. Ju e keni fjalën për karburantin, unë do të them se kështu ka vepruar edhe për bukën, edhe për peshëmatjen, edhe në fushën e transportit ajror, ku plasi edhe skandali i Belle Air. Metrologjia asnjëherë s’ka deklaruar sa CO2 nxjerrin skrapamentot e makinave. Thënia se ato nuk kanë të drejtë të denoncojnë atë për të cilin konstaton produkte/shërbime të cunguara nga firma është jo e vërtetë. Askush nuk e beson këtë thënie. Do të ishte e besueshme vetëm nëse thuhet ligji, neni, kodi, dekreti. Sigurisht që askush, qoftë përfaqësues biznesi, individ apo konsumator nuk i kërkon të flitet jashtë asaj që konstaton, por të fiksojmë dhe lokalizojmë këtë problem. Pra, të flitet për pikën e karburantit, për atë distributor, për atë person që po tregton dhe çfarë kërkohet në thellësi veprojnë organet kompetente. Konsumatori kërkon adresim, masa parandaluese apo ndëshkuese. Por mos të harrojë Metrologjia që detyra e saj nuk është vetëm mbrojtja e biznesit se aq të drejta e detyrime që ka për biznesin, po aq ka dhe për konsumatorin. Kur bëhen dallime bie erë korruptive, se askush nuk ka të drejtë të falë jashtë organeve gjyqësore. Çdo mënjanim apo falje nga ligji dhe etika janë të dëmshme.

Raportet e organeve të kontrollit

Me keqardhje për organet shtetërore të kontrollit që kanë një fushë veprimi në kontrollin e tyre, shpeshherë, apo në vazhdimësi ndjehet një mënjanim i zbatimit të ligjit, ku e drejta e informimit të konsumatorit është e sanksionuar me ligj, në Ligjin e Mbrojtjes së Konsumatorit, Neni 4, pika dh. Konsumatori nuk e koncepton dhe kupton pse duhet deformuar informimi me iniciale, të cilat s’kanë pse të përdoren, kur kontrolli ka përfunduar, kur është marrë masa administrative. Ka sektor kontrolli që veprojnë me transparencë kur marrin masat, p.sh Autoriteti i Konkurrencës ka denoncuar hapur masat ndaj konkurrencës së pandershme.