“Mosmarrja e statusit, fitore politike e së majtës”

38

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf”, deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi: “Opozita ka djegur çdo lloj pakti politik”

Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi në një intervistë për gazetën “Telegraf” komenton  mosmarrjen e statusit për herë të tretë. Sipas tij mosmarrja e statusit është një fitore politike në qëndrimin e së majtës. Ndër të tjera Boçi shprehet se Rama mendon se e ftoi betejën me shqiptarët duke ju mohuar atyre të drejtën e statusit, por të mos harroi se luftën ende nuk e ka fituar, me siguri që do ta humbasë më 23 qershor të vitit 2013, ku shqiptarët do t’ja japin si shpërblim. I pyetur për faktin që Shqipëria është renditur edhe më poshtë se 15 vendeve në klasifikimin e vendeve të korruptuara, Boçi përgjigjet se çdo renditje pozitive apo negative është një motiv më shumë për të intensifikuar dhe përshkallëzuar luftën ndaj korrupsionit.

-Zoti Boçi duket qartë që politikanët nuk ndihen shumë të shqetësuar për mos dhënien për herë të tretë të statusit kandidat. Cili është komenti juaj për këtë rast?

-Mungesën e shqetësimit, madje dhe më shumë se kaq, përjetimin e mosmarrjes së statusit si fitore politike unë e shoh qartësisht të shprehur në qëndrimin e së majtës dhe jo në tërë klasën politike. Tashmë nga fjalori i saj politik siç dhe e keni vënë re janë zhdukur termat Fier, Gjykatë e Lartë apo reformë parlamentare. Disinteresimi total i saj sidomos për atë që nga ata u konsiderua çështja e çështjeve me të cilën justifikuan dhe qëndresën bllokuese, për të cilën ishin gati “ta çonin gjakun deri në gju t’ kalit” për çështjen e Fierit, dëshmon jo thjesht mosekzistencën e një çështje të tillë, por mbi të gjitha dëshmon makiavelizmin politik të saj, makiavelizëm, i cili u konsiderua i përmbushur me përgjigjen negative të KE. Dhe pas kësaj për ta nuk ka rëndësi as Qarku i Fierit, as Qarku Elbasan dhe as gjë tjetër, përpos ato çështje që mund të dëmtojnë përpjekjen e tyre për të ringjallur të kaluarën e ëndërruar dhe të shkarravitur në atë që po e quajnë program elektoral. Sot Ramën e sheh pas kuintave të deklaratave dhe takimeve duke fërkuar duart me buzëqeshjen e tij të zorshme, si Uriah Hipi i Koperfildit, me bindjen që na e hodhi të gjithëve duke harruar që ndëshkimin e ka pas dere. Suita e tij shpesh dhe na është ngashëryer, duke na mallëngjyer, në foltoren e parlamentit, për humbjen e statusit, duke harruar që shqiptarët kanë memorie të pastër për të gjitha pengesat, bllokimet, kushtet e panumërta, me të cilat Rama ndërtonte çdo ditë malin e Golgotës së statusit. Rama pretendoi që fitoi një betejë me shqiptarët duke i mohuar atyre të drejtën e statusit, por mos të harrojë që luftën nuk e ka fituar. Atë me siguri të plotë do ta humbasë më 23 qershor 2013 si shpërblimi për këtë “dhuratë” që i bëri shqiptarëve në festën e tyre të 100-vjetorit.

-Fakti që Shqipëria u zhyt edhe më poshtë se 15 vende në klasifikimin e vendeve të korruptuara, sipas mendimit tuaj a ka përgjegjësi maxhoranca?

-Çdo renditje pozitive apo negative, çdo deklaratë me baza apo baza, pavarësisht nga cili institucion vjen apo bëhet është një motiv më shumë për ta intensifikuar dhe përshkallëzuar luftën ndaj tij.

– Maxhoranca akuzon opozitën se po pengon marrjen e statusit kurse opozita deklaroi të kundërtën. Ju si mendoni?

-Tashmë ne nuk e akuzojmë, por thjesht po tregojmë atë që opozita ka kërkuar të realizojë dhe që momentalisht e ka realizuar, i ka mohuar për herë të tretë statusin shqiptarëve. Është shumë pak ta integrosh një fakt të tillë në termin e akuzës pasi për këtë akt të shëmtuar që opozita ka kryer nuk duhet më akuzuar por duhet dënuar.

-Apo mungesa e bashkëpunimit politik midis pozitës e opozitës ka arsye objektive apo është vënë interesi partiak mbi interesat e integrimit?

-Bashkëpunimi politik ka qenë një mënyrë e funksionimit të kësaj maxhorance dhe ai nuk ka munguar aspak. Përkundrazi është demonstruar në vazhdimësi në të gjitha nivelet e komunikimit politik. Dhe qartazi ne kemi dëshmuar që interesi kombëtar është interesi i të gjitha interesave. Përkundrejt këtij qëndrimi tonin, arkaizmi i aksionit politik të opozitës, prapa, të cilit janë fshehur gjithmonë interesa meskine personale politike, i ka shtyre urat e komunikimit drejt konflikteve pa sens dhe pa rezultat. E udhëhequr nga dëshira e verbër për pushtet, opozita është munduar të djegë çdo lloj pakti politik, duke rrëzuar me dashje kështu, vite të tëra pune e përpjekje për të hyrë në familjen natyrale europiane.

-Zoti Boci mendoni se Shqipërisë do t’i jepet më shansi për të marrë statusin kandidat?

-Procesi i integrimit të Shqipërisë, pavarësisht këtij momenti ndalues për meritë të Ramës, është i pandalshëm dhe aspiratë e pashuar e shqiptarëve.