Mosha e kapërcimeve të mëdha…!

4710
Evdal NURI 

Mosha e adoleshencës, mosha e kapërcimeve të mëdha, ndryshe quhet mosha “rebele”. Përfshin të gjithë rritjen, ndryshimin që ndodh në trupin e një personi dhe faktorët gjenetik, ushqimor e shëndetësor, që ndikojnë në këtë ndryshim të shpejtë. Fillon me moshën e pubertetit, e cila shpie në një trup me madhësinë e një të rrituri dhe në pjekuri seksuale që i jep fund fëmijërisë. Mendimi bëhet abstrakt dhe idealist. Adoleshenca funksionon në përcaktimin e vlerave, qëllimeve personale dhe në krijimin e autonomisë nga familja. Adoleshenca nuk është thjesht një periudhë ndryshimi midis fëmijërisë dhe pjekurisë, por përbën një fazë të veçantë zhvillimi me veçori të veçanta, e cila fillon me ndryshimet biologjike (hormonale) dhe përfundon me kompletimin psikologjik të individit. Gjatë periudhës së adoleshencës, mbizotëron një nervozizëm dhe liri, që shpesh herë konsiderohen si të pajustifikueshme nga prindërit dhe te afërmit . Periudha e adoleshencës, përbën pjesën më të rëndësishme në jetën e një individi, ajo gërshetohet nga ndjenja dhe sjellje te ndryshme. Adoleshencën e jetojmë veç një herë, akoma dhe disa sjellje “negative”, na bëhen mësim për jetën e mëvonshme. Zhvillimi fizik dhe seksual. Përfshin moshën nga 11-18 vjeç. Tek femrat mosha e pubertetit fillon 8-10 vjeç ,dhe arrin kulmin në 13 vjeç. Tek meshkujt fillon në moshën 10-12 vjeç, ka raste, që shkon deri në 18 vjeç . Ky variacion ndikohet nga gjenet, pasha trupore dhe stresi. Gjatë kësaj moshe femrat krahas fillimit të menstruacioneve, kanë dhe zhvillimin e karakteristikave dytësore të seksit, si rritja e gjinjve, dalja e qimeve, zgjerimi i eshtrave të legenit. Kjo moshë te meshkujt shoqërohet me rritjen e organeve të riprodhimit, daljen e mjekrës, trashjen e zërit, zgjerimin e shpatullave etj. Për arsye superiore e atletike, meshkujt priren të kenë respekt më të madh për veten, duke u treguar burrërorë e tendenciozë. Është interesant se vajzat adoleshente të pjekura më herët shihen prej moshatareve të braktisura dhe madje të bezdisura. Më vonë në shkollën e mesme këto janë mjaft popullore, por të prirura për të përdorur drogën, duhanin e alkoolin. Gjatë kësaj kohe të dy sekset shtojnë 5-6 kg në peshë . Meqenëse puberteti është pjesërisht gjenetik, mund të ndodhë që djemtë, por sidomos vajzat, që kanë arritur pubertetin herët ka mundësi që të bëhen prindër në moshë të re, më pak të arsimuar, më të depresuar, më të zëmëruar dhe më tepër të divorcuar. Sot, adoleshenca tenton të fillojë më herët biologjikisht dhe të përfundojë më vonë nga ana shoqërore se sa ndodhte më përpara. 

Personaliteti i adoleshentit
Adoleshentët i dallon vetëm një gjë e “vogël” nga të rriturit. Përvoja jetësore. Ata në këtë drejtim janë fëmijë, kurse në të tjerat aspak. Adoleshenti nuk njeh realitetin social. Ata në këtë moshë u duket se gjithçka është e tyre dhe veprimet e tyre nuk janë të matura sa duhet. Madje te rastet kur ata janë të zemëruar me shokë, shoqe, prindër apo këdo tjetër janë të ndjeshëm dhe vështirë përmbahen nga zemërimi. Ai nuk mund ta shoh kurrë pa syze që ia bëjnë më” të kaltër”, apo më “të zi,” këtë realitet. Por një gjë është e sigurt: Ai nuk mban syze kur shikon brenda vetes. Ai është një “psikolog” i vetës tij. Adoleshenti fillon ta zbulojë atë shumë shpejt se sa bota që e rrethon. Kalon orë të tëra duke vështruar, jo vetëm para pasqyrës, por dhe brenda shpirtit të tij. Kjo është arsyeja që kërcen kur ia fyen atë pjesë që e njeh dhe e di vetëm ai. Në ketë botë subjektive që ai ndërton, prindi duhet të hyjë duke “trokitur” me shumë takt dhe në momentin e duhur. Kjo është e domosdoshme, sepse duhet ta përgatitë fëmijën, për ta ballafaquar këtë realitet të brendshëm me atë të jashtëm (social). Personaliteti i adoleshentit shoqërohet me disa probleme që kanë të bëjnë me seksin, vetëdijen, kontrollet prindërore, qëndrime ndaj normave morale dhe sociale. Adoleshent i suksesshëm është ai që i përgjigjet pyetjes: “Kush jam unë?” Edhe pse është moshë kalimtare midis fëmijërisë dhe moshës së rritur, adoleshenti është në gjendje të mendojë deri diku mirë, megjithëse familja dhe shoqëria shpesh nuk e lënë të marrë vendime të rëndësishme që lidhen me familjen apo profesionin e ardhshëm. Gjatë adoleshencës mendimet e individëve janë vetëm fluturime të fantazisë për mundësitë e së ardhmes. Ai shpesh bëhet i pa durueshëm, abstrakt e idealist për kohën. Duhet theksuar se adoleshenti në këtë fazë mendon jo si i rrituri, por as si fëmija. Preferon të rrijë të shoqërohet me mosha më të rritura. Kjo periudhë quhet: ”mosha e kapërcimeve të mëdha “, ose “mosha” rebele”. Është detyra e mësuesve për t’u bindur të demonstrojnë se ata nuk mërziten për padurimin e adoleshentit, për të ndërtuar një program në përputhje me karakteristikat individuale të tij. Është e kuptueshme që kjo kërkon shumë punë nga mësuesi, i cili në shumë raste ia lë spontanitetit. 
Adoleshenti e familja 
Kur adoleshenti krijon ndjenjën e identitetit përpiqet që të kërkojë më tepër pavarësi dhe në familje. Reagimi i prindërve ndaj kësaj pavarësie përcakton shpesh klimën brenda familjes. Duke mos lëshuar pe asnjëra palë “terren” shpesh përfundon në konflikte me pasoja familjare që jo rallë kanë çuar dhe në vrasje. Në këto kushte si prindërit dhe adoleshentët, duhet të mësohen të përballojnë shqetësimit, lidhur me komunikimin, kontrollin, pavarësinë, përgjegjësinë, autoritetin edhe pse hasen konflikte serioze në mos pajtimin e të resë me të vjetrën. Këto janë të paevitueshme e që më në fund të fundit do të përfundojnë me fitimin e së resë. Marrëdhëniet prind-adoleshent janë shumë të mprehta. Midis fëmijës që bënë luftë për pavarësi e që përplaset me kontrollin e zakonshëm prindëror. Adoleshenca shpesh shihet si një periudhë e dobësimit të ndikimit te të rriturve. Ata e divorcojnë veten e tyre nga vlera e sjelljet e të moshuarve. Fillimisht dëgjojnë shprehjet: “Rri, o babë, ku di ti si është kjo punë!” Konflikti prind – adoleshent arrin kulmin në adoleshencën e hershme, sidomos midis nënës e vajzës, për problemet e përditshme si; Pastërtia, punët, veshjen, dashurisë, oraret e vona të kthimit në shtëpi. Shpesh prindërit i bëjnë pyetje fëmijës: Më kë dole? Ku ishe? Pse u vonove? Këto, adoleshentin e bezdisin shumë, reagon duke mos dhënë asnjë përgjigje ose duke gënjyer. Afërsia prind-fëmijë mund të ketë një dimension më të madh nga që shpesh ka karakter specifik. Këtu hyn komunikimi, kur flasin hapur njëri me tjetrin. Mbështetja te njëri-tjetri. Lidhja shpirtërore e kontrolli. Prindërit duhen ta kenë të qartë, se adoleshenti ka nevojë për liri, që të ndihet kompetent dhe i dashuruar. 
Po shoqëria e adoleshentit?
Individët që kanë interesa dhe personalitete të përbashkëta, ka të ngjarë të bëhen shokë. Më kalimin e kohës sasia e të qëndruarit bashkë rritet. Tek meshkujt kemi një shoqëri që lidhet me aktivitetet e përbashkëta, kurse te femrat kemi një komunikim verbal. Si në shoqëri dhe në familje adoleshentët,kanë probleme serioze. Disa vuajnë nga një stres ekstrem. Burimet janë nga më të ndryshme si: “Dashuria e dështuar, xhelozia, ose realizimi i një qëllimi arsimor, ose shoqëror, përdorimi i alkoolit apo i drogës”. Këto çojnë në krime, vrasje, vjedhje që shpesh janë të pariparueshme duke u shoqëruar me vonë dhe me çrregullime nervore. Rastet tek ne janë të shumta. Fjala vjen, nipi vret gjyshin, djali babën, shoku godet me thikë shokun e shumë raste të tjera. Pavarësisht ç’ka trajtuam, shumica e adoleshentëve, janë në gjendje të përballojnë problemet e moshës dhe të hedhin themelet e një moshe që quhet: “Mosha e rritur e hershme”.
Sigal