“Mos u besoni deputetëve që kanë ndërruar zonat, mandatin e përdorin vetëm për pasurimin e tyre”

534
Vjollca KUTA

Shkëmbim mesazhesh mes votuesve nëpër zona
Fushata e këtyre zgjedhjeve parlamentare, përveç fjalimeve të krerëve të partive dhe kandidatëve për deputetët, ka edhe një element tjetër shumë domethënës. “Rilindës” dhe demokratë të (zh)gënjyer nga deputetë e zonave, kanë nisur t’i dërgojnë mesazhe kujtese njëri-tjetrit nëpër zona, duke u bërë thirrje të mos votojnë deputetët e PS e PD, të cilët në këto zgjedhje kanë ndryshuar zonat ku kanë qenë deputetë për 4 vitet 2013-2017. Kjo realisht nuk është histori e re, mbasi në këto 25 vite parlamentarizëm, deputetët qëndrojnë vetëm 1 mandat në 1 zone dhe në zgjedhjet e radhës, ia mbathin në zona të tjera, madje edhe duke u caktuar të parët në listat e partive, për të qenë të sigurt për marrjen e mandateve. Tre ditë më parë, disa anëtarë të PS të Gjirokastrës, i dërguan një letër socialistëve të Kavajës, me kujtesën për të mos besuar premtimet e deputetit Arben Ahmetaj, i cili braktisi Gjirokastrën që e votoi pasivisht në 23 qershor 2013 dhe tani kandidon në zonën e kavajës për 4 vitet në vazhdim! Një mesazh i tillë është bërë edhe për deputetin Ilir Beqja, i cili për këtë mandat kandidon në Dibër, mbasi nuk mund të mashtroj me tej socialistët dhe votuesit e Durrësit. E po kështu, socialistët e Lezhës, kanë rikujtuar socialistët e Kukësit, për të mos besuar më Mimi Kodhelin, deputeten që nuk u realizoi asnjë premtim dhe nuk u zgjidhi asnjë problem e që për 4 vitet e ardhshme, kandidon në Kukës! E njëjta gjë po ndodh edhe me deputetë e PD, të cilët kanë braktisur zonat ku kanë qenë në vitet 2013-2017 dhe po kandidojnë në zona tjera, sa më larg zonave të tyre për të humbur “gjurmët”, shumica duke mos guxuar të kandidojnë as në vendlindjet e tyre! Kanë ikur nga Korça në Elbasan, nga Fieri në Tiranë, nga Tirana në Gjirokastër, nga Kolonja në Patos, nga Gjirokastra në Vlorë! Janë shumë emra deputetësh të PD e PS, të cilët pasi u tallën me anëtarët e partive të tyre dhe me banorët që i votuan në Vlorë, Fier, Durrës, Korcë, Elbasan, Gjirokastër, Pogradec, Shkodër, Lezhë, Dibër, Lushnjë, Kavajë, Përmet, Kukës, Tepelenë e kudo, braktisën votuesit si shpërfillës premtimesh e tregtarë vendesh pune dhe ndërruan qytetet e zonat me njeri-tjetrin. Dhe nuk japin askund llogari për mor përmbushje të detyrimit si deputetë të zonave, detyrë për ët cilën janë paguar me paga e shpërblime mbi 3000 dollarë në muaj, duke krijuar luksin dhe super-pasuritë e tyre! Ndaj dhe anëtarët e këtyre partive, të gjendur përballë kësaj race deputetësh demagogë e shpërfillës që mandatin e përdorin vetëm për pasurimin e tyre, si metodë demaskimi kanë zgjedhur kujtesat që i bëjnë njeri-tejtrit nëpër zona për të mos rënë viktima të premtim-mashtrimeve që bëjnë në çdo zonë ku ‘shtegtojnë” pasi u del boja dhe kanë frikë se nuk votohen!
Sigal