(Mos) Kthimi i pronave

1368
Sigal

Evidencë ekskluzive përgatitur për “Telegraf”, mbi situatën kaotike të (mos)kthimit të pronave

Batërdia me pronat, në 22 vjet 170 mijë mbivendosje parcelash

Një raport zyrtar, i dërguar ekskluzivisht dje për gazetën “Telegraf” nga “Komiteti Shtetëror për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave në Shqipëri”, bën prezent me shifra e argumente një problem të madh e pothuajse traumatik për kaosin e krijuar konfliktual e shkatërrimtar 22- vjeçar me pasoja të rënda pronësore, sociale, njerëzore, familjare, fisnore, ekonomike e psikologjike, ku janë “zhytur” me ligje shteti, vendime qeverie e miliona procese gjyqësore pronarët legjitimë, të cilët edhe pse janë pronarë, prej 70 vitesh vazhdojnë të quhen “ish-pronarë” si nga regjimi komunist që i shpronësoi me dhunë pas vitit 1944, ashtu edhe prej sistemit aktual “kapitalist alla-shqiptar” në këto 22 vite.

Shteti, ka futur 80% të shqiptarëve, në luftë me njeri-tjetrin për pronat

Ajo që ka ndodhur me procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave në Shqipëri, nuk ka ndodhur në asnjë vend tjetër ish-komunist. Shteti shqiptar e nisi katrahurën dhe masakrën njerëzore me pronat, duke miratuar e futur në veprim ligjin “vrastar” 7501, ligj që krijoji kaosin dhe konfliktin popullor mes shqiptarësh. Sa janë vrarë për pronat, nuk janë vrarë as në Luftën e Dytë Botërore! Sa hasmëri janë bërë prej konfliktit të pronave me ligjin 7501, nuk janë shkaktuar as prej luftës 45- vjeçare të klasave gjatë diktaturës. Në këtë kaos, sipas informacionit që na vjen prej komitetit Shtetëror të Pronave, janë përfshirë për shkak të pronës 1 milion e 398 mijë “pronarët e rinj” të fshatrave e fermave në qytete që u bënë pronarë me Ligjin Agrar të ndarjes popullore të tokës me Nr. 7501. Janë përfshirë edhe 273 mijë e 856 individë, që janë bërë “pronarë” në pronat e pronarëve legjitimë me letra false, me vendime gjyqi fiktive, me “tapi” të kohës së “Mesharit”, por të vulosura e firmosura me falsifikime pas vitit 1992. Në betejën ligjore e fizike për pronat, janë përfshirë edhe 67 mijë e 422 individë e familje që janë bërë “pronarë” tokash, trojesh e pyjesh me akte-noteriale trashëgimie e shitje-blerje të sajuara me firma të hedhura edhe prej personash që kanë vdekur qysh në kohën e Ali Pashës! Janë futur e nuk po dalin dot prej këtij kaosi “lufte për pronën” edhe 33 mijë e 657 individë e familje që janë bërë “pronarë” me vendime false e mbivendosjesh prej komisionesh lokale e qendrore të kthimit të pronave në komuna, bashki, prefektura e qarqe. Po kështu, në zallamahinë e “konfliktualitetit mbarë popullor” të pronave, janë që përfshirë edhe 245 mijë familje e individë, të cilët janë bërë “pronarë” me ligjin për legalizimet e objekteve të ndërtuara mbi prona të zaptuara me dhunë me bekimin dhe mbrojtjen e e shtetit. Në këtë kaos konfliktesh, gjyqesh e vrasjesh janë përfshirë edhe 1.3 milion qytetarë të tjerë, të cilët janë vendosur prej 70 vitesh me banesa e oborre mbi tokat, kullotat dhe trojet e pronarëve legjitimë. Të gjithë këta, prej 22 vitesh janë vendosur “ushtarakisht” përballë njeri-tjetrit me gjyqe deri në Strasburg, me denoncime në prokurori, me konflikte fizike e vrasje edhe brenda familjeve e fiseve. Edhe pse në këto 22 vite kanë dalë 138 ligje, dekrete, vendime, udhëzime, urdhra, formularë, amendime dhe shfuqizime ligjesh e vendimesh, problemi i kthimit të pronave u fut dhe vazhdon të mbetet në “llumin” e një paligjshmërie zyrtare e popullore dhe në “kurthin” e një kaosi problematik për shoqërinë shqiptare, kaos që e kanë krijuar vetë krerët e shtetit shqiptar në këto 22 vite, jo prej “paaftësisë”, por sepse ishin ata “pronarët e rinj të mëdhenj”, që zhvatën të parët me falsifikime pronat e pronarëve legjitimë të përpara vitit 1945.

Komiteti Pronave nuk ka funksionuar, ishte një bordero qeveritarësh

Bashkëngjitur informacionit me shifra, që na dha zyrtari i Komitetit të Kthimit e Kompensimit të Pronave është edhe një kujtesë lidhur me aktivitetin e këtij komiteti shtetëror. Çfarë thuhet? Komiteti Shtetëror i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave është ngritur si strukturë qeveritare për të orientuar dhe mbështetur me realizëm e drejtësi procesin e kthimit e dhe kompensimit të çdo prone deri tek pronari dhe “plisi” më i vogël që ka patur titull pronësie përpara vitit 1945. Por nuk e kreu këtë mision jo prej paaftësisë, apo neglizhencës, por prej tjetërsimit të komitetit si një institucion kukull, formal, që nuk duhej të vepronte, vetëm të ishte si “spot” publik për të mashtruar pronarët se gjoja… “shteti po punon për kthimin e pronave”. Faktikisht, ky komitet nuk funksionoi. Ai është krijuar, shpërndarë, rikrijuar e aktivizuar disa herë që prej vitit 1998 kur është krijuar në trajtë zyrtare, pranë këshillit të Ministrave, me status institucioni Kushtetues me fuqi vepruese të plota mbi institucio0net dhe agjencitë që merreshin me pronat. Komiteti u krijuar fillimisht në vitin 1994, me VKM Nr .402, datë 01. 08. 1994 “Për përbërjen e Komitetit Shtetëror të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ish-pronareve”. Ky komitet nuk morri asnjë vendim deri në vitin 1998, por ishte një “autoporlant” i qeverisë, i financuar prej qeverisë, sepse varej si strukturë zyrtare nga qeveria dhe bënte vetëm propagandë për gjoja kthimin e pronave. Në vitin 1998, sikur të mos ekzistonte fare komiteti, u krijua përsëri i njëjti komitet me VKM Nr. 328, datë 02. 06. 1998. Edhe ky u krijua e u la si institucion “kukull” deri në vitin 2004, pa asnjë veprim e vendim për kthimin dhe kompensimin e pronave. Edhe pse “kukull”, komiteti ishte një institucion që “gëlltiste” miliona lekë paga në muaj prej buxhetit të shtetit dhe kishte në përbërje si drejtues anëtarë dhe krerë të lartë të shtetit e qeverisë si kryetari, zv/kryetari, zv/ministri i Drejtësisë, zv/ministri i Pushtetit Lokal, Drejtori i Drejtorisë se Planifikimit të Territorit në Ministrinë e Punëve Publike dhe Transportit, Drejtori i Institutit të Urbanistikës, Drejtori i Drejtorisë së Buxhetit në Ministrinë e Financave, Drejtori i Drejtorisë së Transformimit dhe Privatizimit në Ministrinë e Ekonomisë Publike dhe Privatizimit, Kryeregjistruesi i Zyrës së Pasurive të Paluajtshme, zv/drejtori i Agjencisë Kombëtare të Privatizimit dhe zv/kryetari i Komitetit të Zhvillimit të Turizmit. Sipas informacionit, drejtuesit, nëpunësit, anëtarët, dietat, shpërblimet dhe fondet për gjoja “projekte e studime ekspetësh e OJF-ësh për metodikat dhe legjislacionet europiane të kthimit e kompensimit të pronave”, kanë gëlltitur çdo vit, aq financa, sa çdo vit, mund të ishin kompensuar afro 60 pronarë të mesëm.

Në 22 vjet, janë regjistruar mbi 170 mijë mbivendosje pronash

Që prej 22 marsit 1992, kur u dekretua dhe u deklarua ligjërisht kthimi i pronave e deri sot pas 22 vjetësh, në Shqipëri janë futur në hasmëri afro 178 mijë familje, madje edhe brenda familjes. Kanë ndodhur mbi 3650 vrasje për konflikte pronësie. Janë plagosur mbi 33 mijë persona. Janë ngujuar afro 1800 familje për shkak të konflikteve pronësore.  Kanë mbetur afro 7200 fëmijë jetimë. Loja politike e ligjore me pronat, ka si tregues edhe problemin konfliktual të mbivendosjes së pronave, realitet ky që nuk e ndal konfliktualitetin pa u zgjidhur e drejta e pronësisë së mbivendosjeve. Prej 22 vjetësh po bëhen gjyqe, merren vendime nga 10 familje e persona për të njëjtën pronë, vriten njerëz, shkatërrohen fise e vëllazëri. Është absurd e me nxitje krimi, fakti që shteti, pushteti lokal dhe drejtësia, të njëjtën pronë, vendim kthimi, kompensimi e njohje prone ua jep me “letar” 2-3-4 e madje deri në 8 familjeve apo individëve, por që në fakt e posedon dhe e përdor jo ai që është i zoti, por ai që e ka zaptuar dhe që e mban të “pushtuar” me forcë si “më i zoti”! Këtë mbivendosje e kanë krijuar batakçinjtë dhe interesaxhinjtë e zyrave të shtetit, të cilët kanë marrë ryshfete e kanë përlarë prona që nuk u takojnë. Sipas “bilancit” total që ka evidentuar Komiteti Shtetëror i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave” dhe që 5 muaj më parë ia ka lënë në tavolinë kryeministrit Edi Rama (informacion i kërkuar), në shkallë vendi rezultojnë afro 170 mijë raste të mbivendosjes së parcelave pronësore të çdo kategorie toka buke, troje, kullota, pyje, troje nën objekte banimi e shërbimi deri te parcela të njohura në mjedise publike.

 Mbivendosjet sipas qarqeve në 22 vite

 Tiranë 31 mijë e 876 parcela

Vlorë               12 mijë e 321 parcela

Elbasan            17 mijë e 113 parcela

Shkodër           13 mijë e 567 parcela

Fier                  19 mijë e 468 parcela

Durrës             25 mijë e 104 parcela

Korçë              12  mijë e 233 parcela

Gjirokastër      11 mijë e 562 parcela

Berat               10 mijë e 122 parcela

Kukës                9 mijë e 213 parcela

Lezhë                8 mijë e 325 parcela

Dibër                9 mijë e 756 parcela

Gjyqet për mbivendosjet në 22 vite

 Tiranë 459 mijë e 354 padi

Vlorë               67 mijë e 456 padi

Elbasan            52 mijë e 321 padi

Shkodër           32 mijë e 633 padi

Fier                  49 mijë e 784 padi

Durrës             78 mijë e 106 padi

Korçë              38 mijë e 322 padi

Gjirokastër      27 mijë e 789 padi

Berat               34 mijë e 603 padi

Kukës              26 mijë e 325 padi

Lezhë              44 mijë e 563 padi

Dibër               26 mijë e 155 padi

ABSURDI/ Ligji Nr. 7698 i shfuqizuar në vitin 2004, aplikohet në zyrat e shtetit

 Ligji nr. 7698, datë 15.04.1993 “Për kthimin dhe kompensimin e pronave ish-pronarëve”,

me ndryshimet e mëvonshme, Ligji nr. 7699, datë 21.04.1993 “Për kompensimin në vlerë

të ish-pronarëve të tokave bujqësore, kullotave, livadheve, tokave pyjore dhe pyjeve”,

Dekreti nr. 1254, datë 19.10.1995 “Për kompensimin e ish-pronarëve të tokës bujqësore

dhe jobujqësore dhe të trojeve të zëna, me troje në zonat turistike dhe në qendrat e

banuara” dhe neni 10 i Ligjit nr. 8030, datë 15.11.1995 “Për kontributin e shtetit për

familjet e pastreha”, si dhe çdo dispozitë tjetër që është në kundërshtim me këtë ligj

është shfuqizuar, por… që në vitin 2004, por vazhdon përdoret.

Ja 10 ligje për të drejtën e pronës, që nuk zbatohen

 Ligji nr. 7501, datë 19.07.1991 “Për tokën”

  1. Ligji nr. 7512, datë 10.08.1991 “Për sanksionimin dhe mbrojtjen e pronës private dhe

nismës së lirë, të veprimtarive private të pavarura dhe privatizimit”

  1. Dekreti i Presidentit të Republikës nr. 378, datë 2.12.1992 “Për faljen e studiove të

punës piktorëve dhe skulptorëve”

  1. Ligji nr. 7652, datë 23.12.1992 “Për privatizimin e banesave shtetërore”

5. Ligji nr. 7665 datë 21.1.1993 “Për zhvillimin e zonave që kanë përparësi turizmin”

6. Ligji nr. 8405, datë 17.09.1998 “Për urbanistikën”

  1. Ligji nr. 8312, datë 26.03.1998 “Për tokat bujqësore të pandara”
  2. Ligji nr. 8053, datë 21.12.1995 “Për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës

bujqësore”

9. Ligji nr. 7980, datë 27.07.1995 “Për shit-blerjen e tokave”

10. Ligji nr. 7698, datë 15.04.1993 “Për kthimin dhe kompensimin e pronave ish-pronarëve”

Ja 14 ligje për të drejtën e pronës, që bien në kundërshtim me kushtetutën

 Janë 14 ligje, të cilët  janë pjesë e legjislacionit në fuqi, por që bie në kundërshtim të plotë me liritë dhe të drejtat e njeriut për pronën, bien ndesh me Nenin Nr. 1 të Protokollit Nr. 1 të Konventës së të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut, me Rezolutën e Parlamentit Europian “B-4 1393/95”, të datës 14 dhjetor 1995, me Nenet Nr.  4, 15, 17, 41/2, 122/2 dhe 181 të Kushtetutës Shqiptare. Ja cilët janë 14 ligjet anti-kushtetuese, që bien ndesh me të drejtën e pronës.

  1. Ligji “Për Tokën” nr. 7501 dt. 19.7.91 (nenet 5, 8, 24, 25).
  2.  Ligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 7501 dt. 19.07.1991 “Për tokën” nr.

7715 dt. 2.06.1993.

  1. Ligji “Për kthimin dhe kompensimin e pronave ish-pronarëve” Nr. 7698 datë. 15. 04. 1993 (nenet 5,12/2,19,26).
  2. Ligji “Për kompensimin në vlerë ose me troje të ish-pronarëve të tokave bujqësore,

kullotave, livadheve, tokave pyjore dhe pyjeve” Nr.7699, datë 21.4.93.

  1. Ligji “Për Zhvillimin e Zonave që kanë Përparësi Turizmin” nr.7665 datë 21.1.93

(neni 7 pika ç dhe neni 13).

  1. Ligji “Për shitblerjen e trojeve” Nr.7980 dt. 27. 07. 1995 (neni 3 pika b, neni 4 dhe neni 5).
  2. Ligji “Për miratimin me disa shtesa e ndryshime në Dekretin Nr.1359, datë 05. 02. 1996 ”Për disa ndryshime në dekretin nr.1254, datë 19.10.1995” nr.8084, datë

07. 03. 1996, (nenet lidhur me kufizimin e masës së kthimit deri 10000 metër katrorë, neni 4 pika 3/2, pika 4 dhe pika 5, lidhur me kufizimin e kohës).

  1. Dekret i Presidentit Nr. 1431 datë 27. 03. 1996 ‘Për një ndryshim në Ligjin Nr. 8053 datë 21.02.1995.

9. VKM “Për ristrukturimin e ndërmarrjeve Bujqësore” Nr. 452 datë 17.10.92.

  1. VKM Nr.161 datë 08. 04. 1993 “për disa shtesa e ndryshime në vendimin e lartpërmendur të KM, Nr. 452 datë 17. 10. 1992 si dhe Udhëzimin Nr. 5 datë 25. 05. 1993, të Agjencisë Qendrore të Ristrukturimit dhe Privatizimit të ish-NB-ve, në zbatim të VKM me nr. 161.
  2. Udhëzimi Nr. 106 datë 23. 02. 1996 i Drejtorisë së Toka Ujëra të Ministrisë së Bujqësisë dhe Ushqimit.
  3. VKM  me Nr. 562 datë 09. 10. 1995 dhe VKM me Nr 883 datë 23. 12. 1996 (shtesë e VKM me Nr. 562).
  4. Pikën 5 dhe 7, të Udhëzimit Nr 1 datë 23. 02.1999 “Për kriteret e Zbatimit të VKM ne Nr. 666 datë 26. 10. 1998 “Për disa masa lidhur me procesin e likuidimit të ndërmarrjeve të varësisë të ish-Agjencisë Qendrore të Ristrukturimit dhe Privatizimit të ndërmarrjeve bujqësore”.
  5. Dekret i Presidentit Nr. 1359, datë 02. 05. 1996 “Për disa ndryshime në Dekretin Nr. 1254, datë 19. 10. 1995 “Për kompensimin e ish-pronarëve të trojeve të zëna, të tokës bujqësore, me troje në zonat turistike dhe në qendrat e banuara”, ndryshuar me Ligjin Nr. 8024, datë 02. 11. 1995.