Morali i klasës sonë politike dhe Gërdeci në këto ditë zgjedhjesh

633
Ilirian Demiri 
Kjo fushatë elektorale po na sjell shumë çudira që kanë kapur majat. Po çudia më e madhe që askush nuk di t’i japë drejtim është kandidimi i kryetarit të PR-së në zonën e Gërdecit. Kjo klasë politike që kemi çfarë nuk u ka bërë shqiptarëve gjatë këtyre 27 viteve, aq sa i ka zhytur në një varfëri të tejskajshme. Po askujt nuk i ka shkuar ndërmend se do të arrinte deri këtu. Vetëm sa ka vërtetuar se, klasës sonë politike i mungon katërcipërisht morali. Për interesin e saj ajo bën gjithçka. Tashmë shqiptarët e kanë të qartë. Kjo farë klase politike po na mashtron kaq trashë sa po çudit gjithë dynjanë. Po edhe heshtja e jonë nuk është më pak e çuditshme. Për këtë mjafton kërkesa e Mediut që banorët e Gërdecit t’ia japin votën pikërisht6 atij. Është një paturpësi që nuk ka kandar që ta peshojë. Sepse sido të venë punët ndër vite e dekada, Gërdeci nuk do të harrohet nga shqiptarët. Është një tregues përmes të cilit klasa politike albaneze tregoi se është krejtësisht amorale dhe di vetëm të plaçkitë pasurinë e këtij vendi. Sot gjithë shqiptarët e dinë se kanë në drejtim të punëve një klasë politike krejtësisht të pamoralshme. Ndaj dhe varfëria vetëm na shtohet në vatrat tona, ndërsa problemet edhe pse janë në rritje, zgjidhja e tyre gjithnjë shtyhet për në kalendat greke. Gjithë shqiptarët kanë mbetur të çuditur kur mësuan se Fatmir Mediu kërkon mandatin e deputetit në zonën e Gërdecit. Shumëkush pyeste i çuditur: Përse, duhej e gjitha kjo? Ku kërkon të dalë kjo farë klase politike me të tilla idiotizma? 

Sepse sido të jetë, “nuk lahet m… me sh…”,- thotë populli. Populli e thotë, po Mediu është i sigurt se edhe këtë mund ta bëjë. Ndaj dhe kandidon në Gërdec. Gjithsesi veprimi i tij është një paturpësi ekstreme. Sot gjithë shqiptarët pyesin: Për ç’meritë Mediu kandidon në Gërdec? Apo thjesht me të vetmin qëllim: të tregojë se është i plotfuqishëm dhe mbi këdo. Të tregojë se, e gjithë klasa politike është tërësisht e ndotur aq sa nuk mund të pastrohet edhe pse po bën lloj lloj përpjekjesh të përditshme. Dhe synon që të vërtetat të mos i nxjerrë asnjëherë në shesh. Kësisoj edhe të mos ndëshkohet asnjëherë qoftë edhe për krimin më të rëndë shtetëror të regjistruar në tokën shqiptare Gërdeci është një plagë e rëndë shqiptare sa asnjëherë nuk do të humbë. Gërdeci nuk mund të mbulohet me gjethe fiku. Kanë kaluar gjithë ato vjet, po ai është i freskët në memorien e gjithë popullit, i cili vazhdon të kërkojë ndëshkimin e fajtorëve.

Gërdecin askush nuk mund ta justifikojë. Edhe nëse i është sosur i gjithë morali kësaj klase politike. Zaten për gjithë shqiptarët, klasa jonë politike ka kohë që ka humbur gjithë moralin e saj. Aq sa ajo as nuk do t’ia dijë për moral. Ajo njeh vetëm fitimin, pavarësisht me ç’pasoja vjen. Kjo klasë politike e di mirë se, demontimin e predhave luftarake as 100 metra larg shtëpive të banimit nuk do ta lejonin as fëmijët. Sepse edhe ata e dinin se demontimi as 100 metra larg shtëpive të banimit ishte thjesht një vetëvrasje prej budallai. Jo, më këtë të mos e dinte Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, apo ushtarakë të tjerë që në mënyrën më të paturpshme transportonin predhat me automjetet e shtetit në linjën e demontimit të vdekjes. Më të vjetrit e mbajnë mend kur nisnin arsimin e mesëm një lëndë e rëndësishme ishte stërvitja ushtarake. Ndodhte që me këtë lëndë të nisje edhe orën e parë të mësimit. Mësuesi ndërsa hynte në klasë me një kallashnikov mësimor të tregonte së pari një kuriozitet. Plumbi nga gryka e kallashnikovit shkon deri në 2000 metra largësi. Kështu këtë e dinin në atë kohë edhe fëmijët. Është kjo arsyeja që shqiptarët vazhdojnë të pyesin: Si ka mundësi u lejua demontimi i predhave luftarake as 100 metra larg shtëpive të banimit ? Duke shkaktuar edhe vrasjen e fëmijëve, ndërsa po luanin në oborrin e shtëpisë. Është bash kjo arsyeja, që me ndër me thënë, kësaj klase politike, duhet t’i mbushet mendja se ne shqiptarët e kemi të pamundur të harrojmë Gërdecin, krimin më të rëndë shtetëror që deri tani kemi parë, apo kemi menduar se mund të ndodhë. Poshtërsia është edhe më e rëndë, kur mendon se edhe sot pas afro 10 vjetësh, nuk kemi ndonjë të dënuar, ndërsa në mënyrën më të paturpshme kjo klasë politike e ka quajtur Gërdecin thjesht “aksident teknologjik”. Se për çfarë aksidenti teknologjik mund të bëhet fjalë, kur aty punonin edhe fëmijë, kur banesat ndodheshin jo më larg se 100 metra, apo 200 metra, apo të tjera, kur ende vazhdohet të heshtet, ndërsa vetë ish Ministri vazhdon të gradohet nga kjo farë klase politike që ende zvarritet në vendin e shqiponjave. Sot paturpësisht vazhdojmë ta gradojmë ish Ministrin e Mbrojtjes. Ia falim një vend në parlament me votën tonë. Ai e di sa i vlen lëkura. Ndaj deri tani, vetë asnjëherë nuk ka dalë në shesh ta provojë veten sa e duan shqiptarët. Ai votën vetëm e merr peshqesh, si një sahanlëpirës i flaktë që është duke qenë në listat e PD-së. Pse Mediu vazhdon të heshtë dhe nuk flet për të vërtetat e Gërdecit? Ai vazhdon të heshtë përderisa Ii falet edhe vendi në, me nder me thënë, në parlamentin albanez. Ai këtë e merr si një shpërblim që I takon t’ia japë PD. Ndërsa vetë shqiptarët nuk duhet të heshtin më. Nuk duhet të heshtin e të presin që Vetingun dhe reformën në Drejtësi do të mund ta duartrokasë e ta zbatojë Fatmir Mediu, një nga përgjegjësit kryesorë të masakrës së pandëshkuar të Gërdecit. Me Fatmir Mediun as mos prisni o shqiptarë, pastrimin e Drejtësisë nga plazhistët milionerë të Durrësit. E keqja që u ka mbërthyer do të vazhdojë edhe më tej t’u ngacmojë plagët e shumta ende të pathara që kjo klasë politike u ka hapur në gjithë trupin tuaj gjatë këtyre 27 viteve. Ndaj, mos heshtni më O shqiptarë ! Filloni shërimin e plagëve të shumta që keni mbi trupin tuaj. Së pari, Gërdecin asnjëherë mos e harroni !
Sigal