Monumentet kulturore në Shqipëri të mbuluara nga ‘pluhuri i harresës’

2401
Edhe pse Ministria e Kulturës ka deklaruar shpeshherë, se një vëmendje e veçantë do t’iu kushtohet monumenteve kulturore, ende asgjë nuk është bërë për rregullimin, restaurimin apo mirëmbajtjen e këtyre të fundit, duke i lënë të shkatërrohen pak e nga pak, sikur ato të mos kishin ekzistuar.
Shtëpia e vëllezërve Frashri e shkatërruar dhe e lënë plotësisht në harresë
Muzeu i vëllezërve Frashri që ndodhet në fshatin Frashër të Përmetit është ringritur mbi rrënojat e shtëpisë, e cila është prishur në vitin 1892. Kjo shtëpi është bërë muze në vitin 1974. Por aktualisht shtëpia muze e veprimtarëve të shquar të Rilindjes Kombëtare, Abdyl, Sami e Naim Frashëri, është lënë në harresë të plotë nga institucionet, duke bërë që të mos njihet si pjesë e trashëgimisë kombëtare, sepse degradimi i kësaj ndërtese sa vjen dhe shtohet. Nuk bëhet fjalë vetëm për harresën që i është bërë si ndërtesë, por edhe për materialet, (pasuria kombëtare), që ka brenda ky muze, të cilat nuk janë më në vëmendjen e askujt. Vetëm pak kohë më parë u njoftua, se librat e kësaj biblioteke ishin dëmtuar dhe shpërndarë në tokë, sikur të mos kishin asnjë vlerë, ndërkohë që dhoma të tjera të kësaj ndërtese janë përdorur, shfrytëzuar si magazina bimësh mjekësore apo për veprimtari të tjera. Por Ministria e Kulturës nuk kupton se kjo shtëpi muze kërkon një trajtim të veçantë dhe jo lënien në harresë. Kjo shtëpi muze duhet të trajtohej si e veçantë, sepse e tillë është, por asnjë investim nuk është bërë për rregullimin e saj, duke e lënë të shkatërrohet pak e nga pak. 
Asnjë plan konkret për shtëpinë muze të Kostandin Kristoforidhit
Edhe pse një ndër figurat më të rëndësishme të rilindjes kombëtare, Konstandin Kristoforidhi nuk ka një shtëpi muze ne qytetin e Elbasanit. Edhe pse është modifikuar një shtëpi, e cila është quajtur muze, ajo nuk është pranuar asnjëherë se është e tillë nga elbasanasit. Shtëpia e vërtete e rilindësit tonë, Kostandin Kristoforidhi është një banese tjetër në lagjen e quajtur “Kala”, e cila gjithashtu ka degraduar, sepse mbi këtë ndërtesë nuk është vënë dorë qoftë nga Ministria e Kulturës, qoftë nga pushteti lokal, duke e konsideruar si jo të rëndësishme rikonstruktimin e kësaj ndërtese dhe kthimi i saj në shtëpi muze. Nuk kanë qenë të pakta kërkesat e stërnipit të Kostandin Kristoforidhit, i cili u ka bërë apel të herëpashershëm institucioneve përkatëse për nxjerrjen nga harresa të kësaj vlere kulturore, të cilën vitet e kanë shkatërruar plotësisht. I njëjti fat dhe për këtë shtëpi muze, ashtu sikurse ndërtesa e vëllezërve Frashri, në Frashër të Përmetit. 

Shtëpia e Gjergj Fishtës e shkatërruar nga vitet dhe mungesa e investimeve
Në një nga kodrinat e fshatit Fishtë të komunës së Lezhës ndodhet shtëpia ku ka lindur poeti, atdhetari e prifti françeskan, Gjergj Fishta. Edhe pse kjo shtëpi prej vitesh është shpallur monument kulture, përsëri nuk marrë vëmendjen e duhur për ta mbajtur atë në gjendje të mirë. E vetmja gjë që e dallon atë nga ndërtesat e tjera rreth e rrotull, është një pllakë ku shkruhet, se këtu ka lindur Gjergj Fishta. Por brenda ndërtesës gjendja është tejet e mjerueshme, kjo për shkak të harresës së saj dhe mungesës së vëmendjes nga organet kompetente për mirëmbajtjen e kësaj shtëpie muze. Për pak ditë, në datën 23 tetor, datë e cila korrespondon dhe me mbushjen plot 144 vjet nga lindja e tij, të ofrohet panorama e hidhur, se si dhomat e shtëpisë së fëmijërisë së poetit janë kthyer në magazinë për kallamishtet e misrit. Kjo vetëm për shkak të mungesës së vëmendjes së Ministrisë së Kulturës, e cila nuk ka bërë asgjë për mirëmbajtjen e këtyre monumenteve kulturore. 
Elbasan/ Muzeu etnografik po shkon drejt shkatërrimit nga lagështira
Kjo shtëpi i përket shekullit XVIII. Nga elbasanasit njihet si “Shtëpia e Sejdinëve”. Por edhe këtu nuk është vënë dorë për vite të tëra, duke e lënë atë të shkatërrohet pak e nga pak. Kati i parë përdorej si magazinë e produkteve bujqësore. Kati i dytë, ka qenë përdorur si vend banimi banesë është restauruar nga Instituti i Monumenteve të Kulturës në vitet 1983-1985 dhe në vitin 1986 mjediset e saj u përshtatën në muze etnografik. Në fondet e këtij muzeu ruhen rreth 900 objekte origjinale të kulturës popullore dhe etnografisë. Është ndër të paktat objekte që ruhet në gjendje të mire, por dhe kësaj po i vjen fundi për shkak të lagështisë, e cila po i rrëzon muret e jashtë të këtij muze. Si këto shtëpi muze, janë plot të tjera të lëna në harresë. Të shpresojmë që të mos ketë të njëjtin fat dhe shtëpia muze e lindjes se shkrimtarit të shquar Ismail Kadare në Gjirokastër, e cila më 26 shtator të këtij viti është kthyer në shtëpi muze me miratimin e Këshillit Bashkiak të këtij qyteti 
Mungon raporti i institucioneve për numrin e monumenteve kulturore të shkatërruara
Megjithëse, zyrtarë të Ministrisë së Kulturës deklarojnë se i kanë të evidentuara dëmet dhe ndërhyrjet në fushën e trashëgimisë, ende nuk dihet numri i objekteve dhe monumenteve të shkatërruara, të cilat janë zhdukur pjesërisht apo plotësisht dhe kjo si pasojë e mungesës së financimeve për mirëmbajtjen e tyre. Edhe pse thuhet se është bërë një monitorim i përgjithshëm i të gjitha këtyre objekteve të shkatërruara, përsëri situata mbetet në vend numëro, pasi aktualisht janë shumë objekte dhe monumente të cilat po shkatërrohen dita ditës dhe mbi të cilat nuk po vihet dorë. Institucioni më i lartë i kulturës në vend nuk e di saktë se sa objekte e lokalitete të trashëgimisë kulturore janë rrënuar e shkatërruar në vitet e fundit. As institutet për mbrojtje të monumenteve, të cilat janë nën varësinë e Ministrisë së Kulturës, nuk kanë përgjigje për numrin e dëmeve që janë bërë këto vitet e fundit. Njohës të trashëgimisë kulturore kanë apeluar gjatë gjithë kohës për shkatërrimin që po i bëhet trashëgimisë kulturore brenda një periudhe kaq të shkurtër kohore, duke e cilësuar si masakër. Shkatërrimet dhe rrënimet janë ekskluzivisht të lidhura me mos përfshirjen e trashëgimisë kulturore në planin hapësinor të qeverisë shqiptare. E cila nuk duhet të bënte asgjë më shumë sesa vënien në zbatim të Ligjit “për trashëgiminë kulturore”.
Sigal