Monumentet e Kulturës në mëshirë të fatit

638
Sigal

Prej dy vjetësh ministria  nuk ka akorduar fonde

Gjatë vitit 2012, Ministria e Kulturës ka lënë në mëshirë të fatit monumentet e Kulturës në Durrës. Disa prej tyre kanë nevojë për investime urgjente, për të mos u fshirë nga harta e pasurisë që trashëgon Durrësi, por që për këtë vit Ministria përgjegjëse nuk ka akorduar asnjë fond për mirëmbajtje apo restaurimin e tyre. Drejtori i Monumenteve të Kulturës së  Durrësit, Ermijon Arapi nënvizon se tepër problematike është situata në Amfiteatrin e Durrësit, ku mozaiku i rrallë, po shkon drejt degradimit, ndërsa lagështira i ka shkaktuar mjaft dëmtime. Kjo situatë alarmante ka dy vjet që i është bërë me dije ministrisë përgjegjëse, por nuk e ka vënë ujin në zjarr asnjë prej titullarëve. Monumentet e trashëgimisë kulturore të Durrësit, prej më se dy vitesh, nuk janë përfshirë në listën e MTKRS, si objekte të cilat kanë nevojë të restaurohen, e për rrjedhojë të përfitojnë një fond të posaçëm për këtë. Mungesa e fondeve për restaurim është edhe problematika më e madhe, kjo për vetë faktin se këto monumente që të bëhen të vizitueshme apo të jenë atraktive të për turistët kërkojnë mirëmbajtje dhe restaurime. Arapi nënvizon se, në të gjithë hartën e monumenteve, sa i përket Durrësit, nevojë për restaurim të menjëhershëm kanë Mozaiku, i cili gjendet në brendësi të ambienteve të Amfiteatrit dhe një monument në Karpen të Kavajës, pranë Depos së Kripës. Në të njëjtën kohë, sipas Arapit, nevojë për restaurim kanë edhe mozaiku te Bazilika e Arapajt, për vetë vjetërsinë që ka ky monument. Këto monumente, janë aktualisht në një situatë, ku ndërhyrja është e domosdoshme, por jo urgjente. Megjithatë, kjo nuk nënkupton faktin se monumentet e Durrësit duhen parë të fundit në listën ë fondeve për restaurim”, tha Arapi.