Monopoli i markimit krijon abuzime në treg

566
Sigal

MF nuk ka një qëndrim final për koncesionin e markimit të karburanteve

 Ministria e Financave nuk ka një qëndrim final për koncensionin e markimit të karburantve. “Kjo është një kërkesë e Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, por deri tani ministria e Financave nuk ka një qëndrim final në lidhje me këtë kontratë të shërbimi të markimit”, thanë burime nga Ministria e Financave.  Kërkesa e Komisionit të Ekonomisë

Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave i ka kërkuar ministrit të Financave Shkëlqim Cani të anulojë koncensionin e markimit të karburanteve, pasi sipas tyre fitimi që duhet të shkonte në buxhetin e shtetit përfundon në xhepin e sipërmarrësit, për shkak të klientelizmit. Kryetari i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, Erion Braçe kërkoi rishikimin e koncensionit të markimit të karburanteve, pasi sipas tij, fitimi që duhet të shkonte në buxhetin e shtetit përfundon në xhepin e sipërmarrësit, për shkak të klientelizmi. Kërkesa e tij u bë gjatë debatit që përfshiu maxhorancën dhe opozitën për rritjen e akcizës së karburanteve me 7 lekë/litër duke e çuar nivelin në 17 lekë/litër në muajin dhjetor.

Kërkesa e deputetit të PS-së, Ervin Koçi

Edhe deputeti i Partisë Socialiste Ervin Koçi parashtroi këtë kërkesë para ministrisë së Financave gjatë muajit dhjetor. “Kërkoj publikisht të shikohen tre koncensione, atë të pullave të akcizës, me dëm 15 milionë euro në vit, koncensioni i skanimit të automjeteve në dogana me dëm ekonomik 15 milionë euro dhe ngjyrosja e karburantit me dëm ekonomik 15 milionë euro. Janë tre koncensione që dëmtojnë rëndë interesin publik dhe nëse kërkohet të ngrihet komision hetimor që të gjithë ata që kanë marrë pjesë në këto koncensione duhet të jenë pjesë e përgjegjësisë administrative dhe penale”, tha Koçi.

Qeveria miratoi në 13 mars të vitit 2013, kontratën e koncesionit për shërbimin e markimit dhe monitorimit të karburanteve, të lidhur ndërmjet Ministrisë së Financave të Republikës së Shqipërisë dhe bashkimit të përkohshëm të shoqërive “Global Fluids International” S.A. dhe “Petroleum Consulting Partners” A.G.

Shoqata e Hidrokarbureve

Nga ana tjetër në muajin tetor Shoqata e Hidrokarbureve i kërkoi Gjykatës Kushtetuese shfuqizimin e vendimeve të qeverisë, që u dhanë të drejtën dy kompanive austriake të markojnë dhe kontrollojnë karburantet. Shoqata kërkon shfuqizimin e dy vendimeve të qeverisë “Berisha”, pasi pretendon se me miratimin e kontratës së koncesionit për shërbimin e markimit dhe monitorimit të karburanteve, të lidhur ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Bashkimit të Përkohshëm të shoqërive “Global Fluids International” S.A. dhe “Petroleum Consulting Partners A.G”, nuk është gjë tjetër, veçse vendosja  në mënyrë të tërthortë e një takse kombëtare, e cila nuk mund të vendoset ndryshe, veçse me ligj. Ndër të tjera, shoqata pretendon se vendimet e qeverisë kufizojnë lirinë ekonomike, konkurrencën e lirë në treg dhe monopoli i vendosur me këto VKM lehtësisht do të krijonte një abuzim në treg, duke lënë të hapur madje edhe mundësinë e rritjes së çmimit.

Ekspertët: Një sistem fiskal i fortë nuk ka nevojë për markimin e karburanteve

 Kur tregu i karburanteve ka nisur të reflektojë në çmim rritjen e taksës së qarkullimit, ekspertë të fushës së hidrokarbureve po i rikthehen problemit të koncensionit për markimin e karburanteve, ose ngjyrosjes së tyre, që ndikon direkt si taksë shtesë, të cilin po e paguajnë xhepat e konsumatorëve. Ekspertët shprehen se qeveria duhet të rifusë në shqyrtim rishikimin e koncensionit të markimit të karburanteve. “Kjo lloj takse përmes dhënies me koncension të një shërbimi, sikurse është markimi i karburanteve lidhet direkt me një sistem kontrolli të dobët nga sistemi fiskal dhe ndodh kur tregu nuk arrin të kontrollohet sipas ligjit dhe akteve nënligjore. Për pasojë, shkelen standardet e nevojshme në këtë treg, që në gjithë botën është rreptësishtë i kontrolluar për të mos lejuar asnjë lloj abuzimi, shprehen ekspertët”. Sipas tyre tregu sot në Shqipëri është lehtësisht i kontrollueshëm, nëse çdo organ shtetëror zbaton me rreptësi detyrat që i ngarkon ligji.

“Në Shqipëri, ligjërisht sot vetëm tre kompani grosiste importojnë  sasi të mëdha karburante dhe kontrolli për to është i thjeshtë, pasi bëhet direkt në Doganë në momentin e shkarkimit. Po ashtu ka vetëm një kompani që përpunon naftën për prodhimin e Diezelit dhe të benzinës, ndërsa njihen kompanitë që nxjerrin naftë. Këto tre elementë janë lehtësisht të kontrollueshme nga sistemi fiskal dhe kontrolli për cilësinë e tyre, pa pasur nevojë për një shërbim të shtuar përmes dhënies me koncension”, thonë specialistët.