Moisi Dalipi:Sot ballafaqimi me “Hirushja” islandeze

741
Sigal

“Hirushja “ islandeze dhe ballafaqimet me Shqipërinë

Nga Moisi Dalipi

Pasi kemi lënë pas tre ditëve ndeshjen me Francën me atë rezultat 4-1 që na vendos aty ku ishim në vendin e katërt në klasifikimin në grup, sot në “Elbasan-Arena “ do kemi përballë Islandën, këtë “hirushe evropiane “që me fitoren e marrë në përballjen me Moldavinë me rezultatin 3-0 dhe me 12 pikët që ka pozicionohet në vendin e tretë grup duke qenë një nga kandidaturat e forta për të qenë pjesë finaleve të Euro -2020. Në kushte të tilla përballja me Shqipërinë do jetë një ndeshje ku më shumë se asnjëherë tjetër kërkohet që Shqipëria të bëjë autokritikën e duhur, jo vetëm sepse i duhen më shumë se asnjë herë tjetër tre pikët, por edhe për të rregulluar bilancin në gjashtë ndeshjet e zhvilluara deri tani me Islandën, ku kemi katër fitore i takojnë Islandës dhe dy Shqipërisë, me golavarazhin 8 me 5, ose e thënë ndryshe +3 gola më shumë për islandezët. Por është fakt se të gjashtë takimet, ku pesë janë ndeshje zyrtare kualifikuese në grup dhe vetëm një, ajo e 31 Marsit 2004 e zhvilluar në Tiranë dhe e fituar 2-1 nga kuqezinjtë dhe që është dhe fitorja e dytë për Shqipërinë, janë zhvilluar në kornizën e afro 30 viteve. Dhe gjithçka fillon në ditët e fundit të pranverës të vitit 1990 dhe pikërisht me atë ndeshje të parë të vlershme për Euro -1992 , të zhvilluar në Rejkavik më 30 Maj, ku islandezët e pa njohur për futbollin shqiptarë do fitonin pastër me rezultatin 2-0 me gola të shënuar nga Gudjason 43` dhe Edvalson 87`. Skuadra ishullore islandeze e kishte jubilaren e 200-të këtë ndeshje ndaj përpara dhe pas saj ka festuar shumë së bashku tifozët. Për Shqipërinë kjo ishte përballja e parë me Islandën që u shoqërua dhe me një klimë të pakëndshme që gjatë udhëtimit në aeroportin e Lodrës, ku një veprim aspak qytetarë i futbollistëve tanë ka bllokuar për disa orë të aeroportin anglez të gjithë skuadrën tonë. Në këto kushte trajneri gjermano – lindor Joakim Klinger që kishte pak kohë në krye të ekipit tonë përfaqësues nuk pranon të drejtojë skuadrën. Bejkush Birçe me një vendosmëri prej labi me shumë iniciativë ka arritur të nxjerrë skuadrën në fushën e lojës. Gjithsesi ishte një ndeshje pa cilësi, pa vlera dhe një kronikë tejet të varfër. Me kthimin e skuadrës në Tiranë ndëshkimet janë të fortë, trajneri Joakim Klingeri kthehet në atdheun e tij pa zhvilluar asnjë ndeshje premier në krye të skuadrës përfaqësuese shqiptare dhe trajneri Birçe për gjithë atë sakrificë që bëri për skuadrën zgjodhi si më mirën dorëheqjen nga drejtimi. Skuadra jonë në këtë ndeshje luajti me këtë formacion: F. Strakosha, Jera, Noga (Iljadhi 80`), Lekbello, Vata, Kove, Josa, Demollari, Millo, Abazi, Shehi (Arbëri 46`) Trajner B. Birçe .Dhe ndeshja e kthimit në Tiranë midis Shqipërisë dhe Islandës do ruajë një datë pas një viti po të atij muaji, më 26 Maj 1991. Dhe kemi fituar me rezultatin 1-0 me atë gol të shënuar nga Eduart Abazi në minutën e 66 ` të ndeshjes. Një fitore që mungonte pas plotë 17 ndeshjeve të ekipit tonë kombëtar ose, e thënë më qartë, ajo e ardhur pas 7 viteve nga ajo fitore 2-0 në Tiranë ndaj Belgjikës, më 22 Dhjetor të 1984-s. Skuadra drejtohej përsëri nga Bejkush Birçe pas largimit të Agron Sulaj nga humbja e thellë 9-0 në Sevilje me Spanjën, më 19 Dhjetor 1990. Trajneri Birçe në këtë ndeshje të fituar me “peshkatarët e fokave” ka arritur ta mbushë ekipin më shumë vështirësi me lojtarë si Josa, Millo, Kushta dhe Lekbello, të cilët kishin shkuar në Greqi për t’u bërë pjesë e klubeve greke dhe Abazi që ishte pjesë e Hajdukut të Splitit. Islandezët që kanë në përbërje dhe futbollistë që aktivizohen në kampionatin anglez kanë kërkuar me çdo kusht barazimin në shumë minuta të pjesës dytë por mobilizimi kolektiv i kuqëzinjve e ka ruajtur deri në fund atë gol me vlerat e fitores të shënuar nga Abazi. Formacioni skuadrës tonë në këtë ndeshje ishte: Nallbani, Memushaj ( Josa 17`), Shpuza, Ocelli, Lekbello, Daja, Milori, Millo, Demollari, Kushta, Abazi. Trajner : B. Birçe. Dhe në radhën e saj si e treta do jetë ndeshja miqësore dhe e vetmja deri tani Shqipëri –Islandë e zhvilluar në Tiranë më 31 Mars 2004 ku vjen dhe fitorja e dytë në përballjet me islandezët që ka rezultatin 2-1 me gola të shënuar nga mbrojtësi Adrian Aliaj në 41` dhe Alban Bushi 71` , kurse Gudjoson për miqtë do shënonte golin e “flamurit” në 86`. Trajneri gjerman Hans- Peter- Brigel që ka marrë drejtimin e Shqipërisë në këtë ndeshje ka aktivizuar : F. Strakosha, (E.Lika 46`), Lila (Haxhi 67`) G. Çipi, Duro (A.Beqiri 81`), Skela, ( D.Muka 62`), Hasi, Murati, (H.Ndreka 94`), E. Beqiri, Myrtaj ( E.Kapllani 46`), I. Tare (Bushi 67`), A. Aliaj ( N. Dede 46`) Trajner: H. Peter –Brigel. Në vjeshtën e 2012 nisin ndeshjet në grupin tonë kualifikues për botërorin Brazil -2014 ku bëjnë pjesë dhe Islanda, Norvegjia, Qipro, Zvicra dhe Sllovenia. Dhe këto kualifikuese për skuadrën e drejtuar nga De Biasi nisin me fitoren 3-1 ndaj Qipros. më 7 Shtator 2012, pastaj vjen pas katër ditëve, më 11 Shtator 2012 humbja 2-0 me Zvicrën dhe përsëri po humbje, më 12 Tetor 2012 , por me shifrat 2-1 ndaj Islandës në stadiumin“Qemal Stafa” në ndeshjen e katër ballafaquese nuk kemi mundur të ruajmë serinë e dy fitoreve të mëparshme. Skuadra e Islandës kalon në avantazh në 19`, ku Gernason ka shënuar me kokë brenda zonës. Pas dhjetë minutave në 29` do vijë goli barazimit për skuadrën tonë me anë të Edgar Canit, që ka shfrytëzuar mirë atë shërbim të Mehës nga krahu djathtë . Në pjesën e dytë kur pritej dhe goli suksesit për skuadrën tonë, në minutën e 81` ka ardhur dhe ndëshkimi islandezëve me atë gol të shënuar nga Sigursion me gjuajtje standarde. Formacioni skuadrës tonë ka qenë ky: Ujkani, Lila, Dallku, Cana, Bulku, Mavraj, G. Lika, (Salihi 72`), Cani, Sadiku, Meha , (Roshi 59`), Kukeli. Trajner: De Biassi. Pas kësaj humbjeje do vijën fitorja 1-0 me Slloveninë në Tiranë, fitorja po 1-0 dhe barazimi 1-1 me Norvergjinë në Oslo dhe në Tiranë e më pas në transfertën sllovene në Lubjanë na pret humbja 1-0, në 7 Shtator të 2013. Dhe seria e humbjeve vazhdon me Islandën 2-1, në 10 Shtator 2013 në stadiumin “Laugardalsvöllur” të Rejkjavikut dhe po me humbje është me të njëjtë me shifra 1-2 ndeshja e zhvilluar në Tiranë me Zvicrën duke i mbyllur ndeshjet në grupin tonë jo fort mirë dhe larg asaj që pritej nga kjo skuadër. Duke u kthyer tek ndeshja e Rejkjavikut me Islandën e humbur me shifrat 2-1 ku golat kanë për autor Bjorneson 14`dhe Sigurson 47` për vendasit, si dhe Valdet Rama për skuadrën tonë në 19` minutë. Ndeshja ka nisur e shpejt dhe e bukur për ekipit tonë që ka kaluar i pari në avantazh, por falë lojës shpejt islandezët jo vetëm që kanë barazuar por dhe kanë kaluar në avantazh që me fillimin e pjesës dytë. Me këtë fitore Islanda ndër të tjera rregulloi dhe bilancin me Shqipërinë ku në pesë ndeshje regjistronte tre fitore dhe dy humbje. Formacioni skuadrës sonë në këtë ndeshje ishte ky Berisha, Dallku (Gjasula 82`) Teli, Cana, Lika, Roshi, Basha, (Bulku 65`) Kaçe, V. Rama, Salihi, Cani (Januzi 65`) Trj . De Biassi. Kjo ishte ndeshja e gjashtë që humbiste ekipi ynë kombëtar në drejtimin e Xhani De Biassit nga 22 të tilla që ka pësuar gjithsej në 52 ndeshje të drejtuara nga ky trajner Italian ku si tregues pozitiv janë dhe 19 fitore e 11 barazime si dhe golavarazhi 58 gola të shënuar nga 23 futbollistë të ndryshëm me 54 gola të pësuar nga katër portierë të aktivizuar në periudhën 27.2.2012 deri më 11.6 2017 ose të quajtur ndryshe: “Vitet e bukura kur ishte trajner Xhani De Biassi”. Por nuk ndodhi kështu me trajnerit tjetër Italian Cristian Panuçi që mbylli aventurën e tij në drejtimin e Shqipërisë me një bilanc tepër negative, ku në 15 ndeshje regjistroi 4 fitore, 2 barazime dhe 9 humbje. Mjafton të përmendim faktin që në katër ndeshjet e fundit zyrtare Shqipëria e drejtuar nga Panuçi kishte pësuar 10 gola dhe nuk kishte shënuar asnjë. Të gjitha këto sollën që në drejtim, më 15 Prill 2019 të vijë trajneri tjetër italian Eduardo Reja që është dhe trajneri i 25-të ose trajneri 10-të i huaj, ose trajneri i katërt Italian që ka drejtuar Shqipërinë që nga viti 1946 kur nisin dhe ndeshjet e para zyrtare e ekipit tonë kombëtar. Dhe për koincidencë ndeshja premierë për këtë trajner 73 vjeçar në krye të drejtimit të Shqipërisë është ajo e 8 Qershorit 2019 në stadiumin “Laugardalsvöllur” të Rejkjavikut, ku zhvillon ndeshjet Islanda që ka fituar edhe në këtë ndeshje me Shqipërinë me rezultatin 1-0, me gol të shënuar në minutën e 22 ` Gudmundsson. E pra, Islanda me sipërfaqe tre herë më të madhe se Shqipëria dhe me numër banorësh aq sa ka sot qyteti i Durrësit me futbollin e saj në këtë dekadën e fundit po jep “leksione” futbolli dhe më te mirëve të futbollit botëror.

 

Ndeshjet me Islandën

30.05 1990

  • Islandë –Shqipëri 2-0

26.05.1991

  • Shqipëri-Islandë 1-0

31.03.2004

  • Shqipëri –Islandë 2-1

12.10.2012

  • Shqipëri-Islandë 1-2

10.09.2013

  • Islandë –Shqipëri 2-1

08.06 2019

  • Islandë –Shqipëri 1-0