Modelet e kopjuara në arsim nuk vlejnë

726
Modeli që Shqipëria ndjek për arsimin është një kaos gati i organizuar me kopjime copa-copa dhe kurrikula që nuk mund të zbatohen dhe as nuk i vlejnë kushteve të zhvillimit të Shqipërisë. Eksperti Mehmeti thotë se aktualisht, modeli më i mirë i sistemit arsimor që përputhet me nevojat e tregut të punës është Gjermania. Por Shqipëria nuk e zbaton dot këtë model, për shkak të mungesës së infrastrukturës njerëzore dhe materiale. Një sistem i tilla kushton dhe Shqipëria nuk mundet ta zbatojë. Mehmeti thotë se ka disa sektorë në Shqipëri, të cilët nuk kërkojnë kualifikim, por që në fakt vuajnë mungesën e thellë të njohurive. I tillë është turizmi. Formimi dhe edukimi profesional nuk garantojnë cilësi, teksa baret dhe restorantet janë një punëdhënës i madh në vendin tonë. Ai merr si shembull Shkollën e Hotelerisë dhe Turizmit “Antonio Athanas” në Sarandë. Një qytet që ka me qindra bare dhe restorante, por shumica e atyre që punojnë kamerierë dhe banakierë nuk e kanë mbaruar shkollën për këtë punë. Një kamerier në këtë zonë duhet të zotërojë dy-tre gjuhë të huaja, teksa cilësia e dobët në shërbim largon edhe shqiptarët për pushime drejt Greqisë. Më shumë se ushqimi dhe çmimet e larta, njerëzit janë të pakënaqur me cilësinë e shërbimit thotë Mehmeti. Këtu ka një hendek të qartë që duhet përmbushur dhe mundësitë janë. Sektori publik në Tiranë ka një hendek në edukimin e hershëm prej 2000 vetash kryesisht në personel në kopsht dhe çerdhe. Ky personel përgatitet për tre vite dhe është emergjencë për kryeqytetin. Kërkesat për shërbime të certifikuara në servise makinash janë shtuar. Gjithashtu, shërbimet e kujdestarisë për fëmijët e vegjël dhe moshat e treta. Personeli për këtë profesion përgatitet shpejt, teksa tregu po shfaq kërkesë në rritje për punë të tilla. E vërteta është se sot, në Shqipëri nuk gjen servis për makinën të certifikuar, hidraulik të besueshëm. Po nuk plotësuam kërkesën që ka aktualisht tregu për profesionet e thjeshta e kemi shumë të vështirë të zhvillohemi në sektorët me njohuri të avancuara, – tha Mehmeti.
Sigal