“Moçali” i emërimeve dhe pagave abuzive, që i caktojnë vetes kryetarët dhe anëtarët e Këshillave Mbikëqyrës të Ujësjellësve

538
Vjollca KUTA

“Moçali” i emërimeve dhe pagave abuzive, që i caktojnë vetes kryetarët dhe anëtarët e këshillave mbikëqyrës. Në krye të tyre janë 14 shtetarë dhe kryebashkiakë
Janë paga shtesë, mbi pagat që ata marrin si ministri, zv/ministra, drejtorë ministrie, këshilltarë kryeministri, ministrash, si prefekt, kryebashkiakë dhe nëpunës shteti dhe specialistë të fushave të tjera, shumica që nuk kanë asnjë lidhje me punët që bëhen në Ujësjellës, por thjeshtë caktohen prej titullarëve eprorë të tyre, në shumë raste edhe familjarë të njeri-tjetrit

Qeveria, e cila “ka hedhur gurin” në puset e familjarëve, duhet të hapë kapakun e “pusetës” së pagesave dhe shpërblimeve që i caktojnë vetes dhe njeri-tjetrit kryetarët dhe anëtarët e Këshillave Mbikëqyrës në ndërmarrjet e Ujësjellësve, për të ndalur zhvatjen e financave kombëtare, të cilat mund të bëhen investime në shkolla e spitale, siç edhe ka deklaruar kryeministri shqiptar
Dosja e abuzimeve financiare që është bërë me pagat, shpërblimet, dietat dhe pagesat e këshilltarëve të drejtuesve të Ujësjellësve, rezulton se është një “mal” me miliarda nga fondet publike dhe të ardhurat nga shitja e ujit, por së pari është një “moçal” abuzimesh të shumta e të rënda, që duhet pastruar urgjent, me bllokim të aktivitetit të tyre dhe funksionimit sipas ligjit aktual, por edhe duke ndryshuar disa prej tyre, që favorizojnë këtë batërdi financiare, prej së cilës mbushin xhepat zyrtarët e shtetit dhe familjarë e miq të tyre, që caktohen e zgjidhen në Këshillat Mbikëqyrës të këtyre ndërmarrjeve. Qeveria e cila “ka hedhur gurin” në puset e familjarëve, duhet të hapë kapakun e “pusetës” së pagesave dhe shpërblimeve që i caktojnë vetes dhe njeri-tjetrit kryetarët dhe anëtarët e Këshillave Mbikëqyrës në ndërmarrjet e Ujësjellësve. 
Drejtuesit e Këshillave Mbikëqyrës, paga mujore deri 1.3 milionë lekë
Ka një absurd dhe skandal që duhet ndalur: Kryetarët dhe anëtarët e Këshillave Mbikëqyrës të Ujësjellësve, i caktojnë vetë pagat e tyre mujore, të cilat janë paga shtesë, mbi pagat që ata marrin si ministri, zv/ministra, drejtorë ministrie, këshilltarë kryeministri, ministrash, si prefekt, kryebashkiakë dhe nëpunës shteti dhe specialistë të fushave të tjera, shumica që nuk kanë asnjë lidhje me punët që bëhen në Ujësjellës, por thjeshtë caktohen prej titullarëve eprorë të tyre, në shumë raste edhe familjarë të njeri-tjetrit! ndërkohë që flitet për konkurse në administratën publike, anëtarët dhe kryetarët e Këshillave Mbikëqyrës në Ujësjellës por edhe në institucione e shërbime ët tjera shtetërore, emërohen me preferenca personale të drejtuesve, për të marrë çdo muaj për 4 vite edhe… 1 pagë tjetër të lartë, në nivel page ministri, deputeti, drejtori në ministri e polici! Po flasim konkretisht: Në Ndërmarrjet e Ujësjellësve Fier, Elbasan-Qytet dhe Patos, pagesat e Këshillit Mbikëqyrës i kanë përllogaritur sipas kësaj skeme: Ujësjellës Fieri, i ka llogaritur pagat mbi bazën e pagës së Sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë Ekonomisë në vlerën 131 mijë e 500 lekë/muaj, ndërsa në Ujësjellësin Elbasan-Qytet, janë llogaritur mbi pagën e drejtorit të të Ujësjellësit 120,000 lekë/muaj. Paga të cilat për secilin anëtar dhe kryetar të Këshillit Mbikëqyrës variojnë nga 26,000-39,000 lekë, kurse mbi bazën e pagës së Sekretarit të Prefekturës, variojnë nga 18,000-27,000 lekë/muaj, duke përfituar më tepër, secili anëtar nga 8,000 lekë/muaj, ndërsa kryetari i Këshillit Mbikëqyrës përfton 12,000 lekë/muaj më tepër. Pagesa këto, që janë bërë dhe bëhen ende, në kundërshtim me VKM nr. 642, datë 11.10.2005 “Për Këshillat Mbikëqyrës të shoqërive anonime shtetërore” pika 6, ku përcaktohet se: Anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës përfitojnë shpërblim për pjesëmarrje në Këshillat Mbikëqyrës sipas këtij niveli: Në shoqëritë anonime shtetërore jo strategjike vendore, për Kryetarin e Këshillit Mbikëqyrës jepet 30% e pagës mujore të Sekretarit të Përgjithshëm të Prefekturës, ndërsa për anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës, jepet 20% e kësaj page, ligj që është shkelur. 
Fakte abuzimesh me pagesat mujore 
1. Nga 56 Ujësjellës në shkallë vendi, 9 Ujësjellës sh.a i kanë paguar më tepër, në kundërshtim me Udhëzimin e METE nr. 318, datë 08.04.2009 “Për emërimin, funksionimin dhe shpërblimin e Këshillit Mbikëqyrës në Shoqëritë Anonime Shtetërore”, pika 5 ku përcaktohet se: Me propozim të Ministrit të METE-s (të autorizuarit e tij), këshilli mbikëqyrës, në mbledhjen e tij të parë…, mund të caktojë gjithashtu edhe një sekretar, me një shpërblim mujor deri në 15 000 lekë për shoqëritë strategjike dhe deri 5 000 lekë për ato jo-strategjike. Sekretari i Këshillit Mbikëqyrës do të jetë përfaqësues i shoqërisë apo përfaqësues i METE-s.
2. Pagesa për anëtarët më tepër se udhëzimi i mësipërm janë kryer nga Ujësjellësit Mirditë në masën 46,000 lekë/muaj, Ura Vajgurore në masën 18,000 lekë/muaj, Ujësjellës Elbasan-Qytet në masën 15,000 lekë/muaj, Patos në masën 22.320 lekë/muaj, ndërsa Ujësjellësit Fshat-Korçë, Tepelenë, Pogradec dhe Sarandë, i kanë paguar nga 12,000 lekë/muaj! 
3. Nga 56 Ujësjellës në shkallë vendi 50 prej tyre pagesat e Këshillit Mbikëqyrës i kanë kryer bazuar në pagën e Sekretarit të Përgjithshëm të Prefekturës, në vlerën 90,000 lekë në muaj, ose nga 18,000-27,000 lekë /muaj, duke u pajisur me vërtetim nga Prefekturat përkatëse.
4. Pavarësisht shfuqizimit të Udhëzimit nr. 29, datë 13.01.2006, pagesa e anëtarëve të Këshillave Mbikëqyrës në 50 Ujësjellës, ka vazhduar mbi bazën e pagës së Sekretarit të Përgjithshëm të Prefekturës.
Skeda e pagave antiligjore, që i kanë caktuar vetes, kryetarët dhe anëtarët e Këshillave Mbikëqyrës 

Ujësjellësi Elbasan-Qytet
Një punonjës është ngarkuar njëherazi, me detyrë arkivist në Ujësjellës Elbasan-Qytet edhe me detyrën e Sekretares së Këshillit Mbikëqyrës, duke lidhur kontratë dhe i paguar 15,000 lekë në muaj, nga 5,000 lekë/muaj që duhej të paguhej sipas ligjit, duke përfituar padrejtësisht vlerën 92,500 lekë. Si pasojë e mos llogaritjes së pagave mbi përqindjen e pagës së Sekretarit të Përgjithshëm të Prefekturës në masën 88,680 lekë, por mbi pagën e Drejtorit të Shoqërisë prej 120,00 lekë, për periudhën nga data 01.09.2014 deri 30.07.2015, duke i shkaktuar Ujësjellës Elbasan-Qytet, një dëm ekonomik prej 649,395 lekë, nga e cila vlera prej 429,086 lekë është pagë e përfituar tepër, ndërsa vlera prej 220,309 lekë është tatim në burim, i pa llogaritur, i pa ndalur dhe i pa arkëtuar, në kundërshtim me nenin 33 të ligjit nr. 8438, datë 28.12.1998 “Për Tatimin mbi të Ardhurat”. Kryetari i Këshillit Mbikëqyrës ka përfituar tepër, vlerën 103,356 lekë, plus 52,200 lekë, si tatim në burim, i pa llogaritur, i pa ndalur dhe i pa arkëtuar. Sekretares së Këshillit Mbikëqyrës, i janë dhënë 92.500 lekë më tepër, ndërsa 5 anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës kanë përfituar vlerën 493.837 lekë më tepër.
Ujësjellësi Elbasan-Fshat 
Dy sekretare të Këshillit Mbikëqyrës, janë paguar 6,000 lekë/muaj, kur duhej të paguheshin me 5,000 lekë/muaj, duke përfituar padrejtësisht vlerën 27,000 lekë,
Ujësjellësi Fier 
Si pasojë e mos llogaritjes së pagave mbi përqindjen e pagës së sekretarit të përgjithshëm të prefekturës në masën 88,400 lekë, por mbi pagën prej 131,500 lekë të sekretarit të përgjithshëm të organeve qendrore sipas shkresës nr. 1211/1 datë 23.05.2013 të Ministrisë Ekonomisë dhe Energjetikës. Për periudhën nga data 01.01.2013 deri 30.06.2015 i është shkaktuar Shoqërisë Ujësjellës sh.a Fier, një dëm ekonomik prej 1.440.278 lekë. Kryetari i Këshillit Mbikëqyrës i ajnë dhënë 345,228 lekë, ndërsa 5 anëtarëve të tjerë u janë dhënë 1.095.050 lekë.
Ujësjellësi Fushë-Krujë
Janë kryer pagesa për 3 anëtarët të Këshillit Mbikëqyrës, për periudhën nga 02.02.2015, deri më 16.06.2015, pa u pajisur me mandat emërimi, pasi mandatet e këtij Këshilli Mbikëqyrës sipas Vendimit nr. 4, datë 02.02.2012 të Kryetarit të Këshillit me objekt “Emërimin e anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës”, kishin përfunduar më datën 02.02.2015, ndërkohë padrejtësisht ka vazhduar pagesa e tyre çdo muaj. Referuar listë pagesave për periudhën nga 02.02.2015, deri më 16.06.2015 ,rezulton se 3 anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të këtij Ujësjellësi, janë paguar padrejtësisht në vlerën 246,713 lekë.
Ujësjellësi Patos
Është konstatuar, se paga e Nënkryetares të Këshillit Mbikëqyrës në Ujësjellësin Patos është llogaritur në masën 22,320 lekë/muaj ose në masën 30% të pagës së sekretarit të përgjithshëm të prefekturës, (74,400 x 30%), ndërkohë që duhej të llogaritej dhe paguhej në masën 20% (74,400x 20%) të kësaj page, ose 14,880 lekë/muaj, duke 7,440 lekë më tepër në muaj, ose 163,680 lekë më tepër në total. Juristi i Bashkisë Patos, njëherazi është emëruar Sekretar i Këshillit Mbikëqyrës (kur duhet të emërohej nga punonjësit e shoqërisë), i cili duhej të paguhej me pagën 5,000 lekë/muaj, por është paguar me pagën bruto 22,320 lekë/muaj, duke përfituar padrejtësisht për 22 muaj të periudhës 2013-2014 dhe nga data 01.01.2105-data 30.06.2015, baras me 323,018 lekë më tepër.
Ujësjellësi Korçë-Fshat 
Është konstatuar se Sekretari i Këshillit Mbikëqyrës, duhej të paguhej me 5,000 lekë/muaj,por është paguar me 10,000 lekë/muaj, duke përfituar padrejtësisht për 22 muaj që i përket periudhës nga viti 2013,2014 dhe nga data 01.01.2105, deri në datën 30.06.2015, vlerën 134,000 lekë më tepër.
Ujësjellësi Mirditë 
Është emëruar Sekretar i Këshillit Mbikëqyrës (kur duhet të emërohej nga punonjësit e shoqërisë) një person me profesion mësues i papunë, i cili duhej të paguhej me 5,000 lekë/muaj, ndërkohë që është paguar 46,000 lekë lekë/muaj, duke përfituar padrejtësisht për 22 muaj të periudhës 2013-2014 dhe nga data 01.01.2105 deri në datën 30.06.2015, vlerën 334,752 lekë më tepër. Për vitin 2013 dhe periudhën e 9 mujorit Janar-Shtator 2014, janë paguar 2 ish-anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës, pa zhvilluar asnjë mbledhje dhe duke mos informuar Ministrinë e Ekonomisë, pa asnjë dokumentacion të funksionimit të Këshillit Mbikëqyrës, në kundërshtim me VKM nr. 271, datë 09.05.1998, duke përfituar padrejtësisht vlerën 709,650 lekë, konkretisht: Ish-Kryetari i Këshillit Mbikëqyrës, ka përfituar vlerën 425,790 lekë. Ish-anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës, janë paguar në vlerën 283,860 lekë.
Ujësjellësi Ura-Vajgurore
Një Punonjës Auditi në Drejtorinë Rajonale Tatimore të Beratit është emëruar anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Ujësjellës Ura-Vajgurore, por më pas ka dhënë dorëheqje nga ky pozicion, për shkak të konfliktit të interesit duke përfituar padrejtësisht për 3 muaj vlerën prej 45,900 lekë, në kundërshtim me VKM nr. 642, datë 11.10.2005 “Për funksionimin e Këshillave Mbikëqyrës”, ndryshuar me VKM nr. 677, datë 3.10.2007 dhe VKM nr. 215, datë 28.3.2012, pikën 5, ku përcaktohet se: Nuk mund të emërohen anëtarë të Këshillave Mbikëqyrës punonjës të organeve qendrore a vendore, që kryejnë funksione kontroll-revizioni. Në detyrën Sekretare e Këshillit Mbikëqyrëse, një persone e papunë, rezulton se është paguar me të njëjtën pagë, si të ishte anëtare e Këshillit Mbikëqyrës, ndërkohë që duhej të paguhej me 5,000 lekë/muaj, duke përfituar vlerën 205,200 lekë.
Ujësjellësi Tepelenë 
Është konstatuar, se Sekretari i Këshillit Mbikëqyrës (kur duhet të emërohej nga punonjësit e shoqërisë) dhe që duhej të paguhej me pagën 5,000 lekë/muaj, rezulton se është paguar me pagën bruto prej 12,000 lekë/muaj për 22 muaj në vitet 2013-2014 dhe nga data 01.01.2105, deri në datën 30.06.2015, duke përfituar 60,000 lekë më tepër.
Ujësjellësi Pogradec 
Është konstatua, se Sekretarja e Ujësjellës Kanalizime Pogradec është emëruar edhe sekretare e Këshillit Mbikëqyrës e cila duhej të paguhej me pagën 5,000 lekë/muaj, ndërkohë që është paguar me pagën bruto prej 10 000 lekë/muaj, duke përfituar për 30 muaj, gjatë viteve 2013-2014 dhe nga data 01.01.2105 deri në datën 30.06.2015, shumën prej 135 000 lekë më tepër.
Ujësjellësi Divjakë
Një anëtare e Këshillit Mbikëqyrës me detyrë specialiste e buxhetit në Drejtorinë e Financës në Ministrinë e Energjetikës, përveçse është paguar në masën 20% të pagës së Drejtorit të Administrimit të Pronës në Ministri, ose me 21,140 lekë/muaj. Por me vendim antiligjor të Këshillit Mbikëqyrës Nr. 1, datë 28.06.2013 është paguar edhe si Sekretare e Këshillit Mbikëqyrës me 5,000 lekë/muaj, duke përfituar padrejtësisht, shumën 43,500 lekë, pagesë e cila është bërë në kundërshtim me VKM nr. 678, datë 3.10.2007 “Për një shtesë në VKM nr. 271, datë 9.5.1998 të Këshillit të ministrave “Për miratimin e statutit tip të shoqërive anonime, shtetërore” neni 19,Kryetari dhe zëvendëskryetari i Këshillit Mbikëqyrës, pika 2, ku përcaktohet se “Këshilli Mbikëqyrës mund të emërojë një sekretar jashtë anëtarëve të tij dhe i cakton këtij dhe pagën”.
Skandali ligjor/ 14 kryetarë pushteti lokal, në Këshillat Mbikëqyrës të Ujësjellësve
Në Këshillat Mbikëqyrëse, të 8 Ujësjellësve rezulton të jenë edhe 14 ish-kryetarë Bashkie e Komunash, mbasi duke qenë në pozicionet e kryetarëve të bashkive apo Komunave, njëherazi kanë qenë edhe anëtar në Asambletë e Aksionarëve dhe këshillat Bashkiake, edhe pse ka pasur vetëm 1 aksionar! Këto vetë-emërime, u evidentuan si raste që janë në gjendjen e Konfliktit të Interesit, ndërmjet detyrës shtetërore dhe interesave private, të një zyrtari, referuar Ligjit nr. 9367, datë 7.4.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike” i ndryshuar, neni 29, që thotë: “Kufizimet për Kryetarin e Bashkisë, Komunës dhe Këshillit të Qarkut, shkronja :, në të cilën përcaktohet kështu: Kryetarët e Bashkive dhe Komunave nuk mund të jenë drejtues, ose anëtarë të organeve drejtuese të organizatave fitimprurëse, që ushtrojnë veprimtarinë brenda territorit të juridiksionit të tij”.
Shënim
Në vijim gazeta “Telegraf”, do të publikojë emrat e shtetarëve dhe zyrtarëve anëtarë dhe drejtues në Këshillat Mbikëqyrës të Ujësjellësve, emrat e shtetarëve që i kanë emëruar., lidhjet e tyre familjare e politike, funksionet zyrtare kur ta kanë punuar e punojnë dhe pagat mujore që kanë përfituar, mes tyre edhe deputetë të rinj të pozitës dhe opozitës, të cilët nuk kanë rikthyer në arkën e shtetit, milionat e përfituara me shkelje të ligjit! 
Sigal