Mjeku Odhise Dhuci, shkencëtari që zbuloi sindromet e rrallë

750
Izet S. ÇULLI
Në këtë shkrim do paraqes sadopak jetën dhe veprimtarinë e palodhur e gjithë pasion për pesë dekada të dr. Odhise Dhucit në misionin e madh të mjekut. Ai e nisi punën në vitin e largët 1959 në Memaliaj, ku çeli për herë të parë në Shqipëri Qendrën gjerontologjike, e cila funksionoi për 7 vjet rresht (1962-69) me rreth 170 të kartelizuar. Kjo ishte një veprimtari shtesë, pa shpërblim të veçantë, jashtë orarit, me minatorët e qytetarët. Edhe kur u emërua shef i Seksionit të Shëndetësisë në Tepelenë,ai përherë i mbante me vete stetoskopin dhe bllokun e recetave. Doktor Odhisesë, të sëmurët apo familjarët i afroheshin për ndihmë gjithmonë pa druajtje. Më pas u transferua në një rreth e spital më të madh, në atë të Fierit, ku punoi për shumë vjet të tjerë, në maternitetin e qytetit, si neonatolog. Kur doli në pension, shkoi në Athinë, ku ndodhej përherë i rrethuar nga të sëmurët prej Labërisë, minoritetit, Myzeqesë, e më gjerë dhe njerëzit thoshin se “Kemi doktor Odhisenë këtu që na gjendet pranë”. I ndihmonte vetë apo duke i shoqëruar në konsultime me mjekë të njohur të kryeqytetit grek…Ai as atje, nuk i harroi kurrë pedagogët shqiptarë, që ndikuan në formimin e tij. Gjithashtu i njihte mjekët e huaj me disa nga sukseset e mjekësisë sonë. Le të jap këtu poshtë disa veçanti dalluese të Dr. Odhise Dhucit nga të tjerët: Gatishmëria për t’ju gjendur pranë kudo njerëzve, komunikimi i ngrohtë dhe gjithaq njerëzor me pacientët nuk i mungonte kurrë atij. Niveli i lartë shkencor në disa degë si në pediatri, neonatologji, dermatologji, gerontologji, paharruar nënën – mjekësinë e përgjithshme. Fëmijëve,ose siç shprehej ai”pranverës së të ardhshmes”,i kushtoi gjithë jetën. Dr. Odhisea, ishte si të thuash, i dashuruar dhe i pasionuar mbas mjekësisë. Kishte marrë çmimin e parë qyshkur ishte student. Ishte bashkëpunëtor i vjetër shkencor dhe anëtar i Shoqatës së pediatërve grekë. Ai ka botuar disa broshura popullore si ajo e farmacisë së duhur në çdo shtëpi, për enurezën nokturne, reaksionet e lëkurës mbas vaksinimit të fruthit etj. Ai përkthente vazhdimisht libra dhe artikuj shkencorë duke ua dërguar edhe kolegëve të tij në Shqipëri.Në çdo sesion shkencor, dr.Odhisea ishte ndër referuesit kryesorë, ku përveç temave shqetësuese nga përditshmëria praktike, paraqiste edhe shumë sindrome të tilla si ai i Hurlerit, Hubrisit, Fibrodisplazisë osifikante progresive(edhe kjo shumë e rrallë në botë që e botoi në 2005-ën në një revistë prestigjioze greke)etj. Po si i zbulonte këto sindrome vetëm ai? Sepse i njihte nga literatura që studionte dhe nga syri i veçantë klinik i mjekut vëzhgues.Në librin tim”Të jesh mjek”(2012), atë e kam quajtur sindromolog! Studimet e tij kanë parë dritën e botimit në shtypin vendës e të huaj. Theksoj gjithashtu pa hiperbolizuar,se ai në botime edhe në jetë, përdorte një gjuhë të pastër e të kuptueshme shqipe. Mjek nga fshati minoritar i Bularatit të Gjirokastrës, pra me gjuhë amtare greqishten,sillte gjithnjë fjalë të reja e të rralla nga treva e Labërisë dhe e Myzeqesë (duke vënë në vështirësi edhe shqipfolësit).Po ashtu njihte mirë traditat e këtyre trevave dhe i respektonte ato. Më duhet të shënoj se dr. Odhisea bënte edhe mjaft analiza të holla e realiste politike, një pasion i hershëm i tij,për të cilat ka lënë në dorëshkrim një libër. Është një punim tjetër i titulluar “Synime, objektiva dhe arritje”-punim tjetër gjithashtu me vlerë; po ashtu një libër tjetër me kujtime e përsiatje nga puna dhe veprimtaria e tij e gjatë si mjek i gjithë-suksesshëm përherë në provincë, zë një vend në veprat e tij. Shqetësim ai kishte përfundimin e një libri për obezitetin e fëmijëve dhe të moshave të tjera, problem, të cilin ai e konsideronte “pandemi e rrezikshme” e shekullit. Të gjitha veprat e tij më të fundit të lëna në dorëshkrim presin të botohen me interesimin e familjes e të kolegëve të tij, për shkak të vlerave që ato mbartin për sot e për nesër. Le të jenë këto punime dhe ky shkrim i përmbledhur një homazh për dr. Odhisea Dhucin,i cili u nda nga jeta pak ditë më parë. Për këtë jetë dhe veprimtari të pasur profesionale e më gjerë, është arsyeja që për të janë shkruar reportazhe, intervista, shkrime të tjera vlerësuese, poezi e poema. Doktor Odhisea jetoi modestisht duke i dhënë shumë shoqërisë. Ai punoi pa mëtime kudo ku u ndodh me devizën:”Jetën time e kam konsideruar si pjesë të pandarë nga jeta e njerëzve”, për të cilën ai “përpiqej me të gjitha mënyrat dhe fuqitë e veta.” Po të shprehemi me fjalët e Senekës ai jepte “dhembshurinë e dashurisë njerëzore.”
Sigal