Mjeku Dhimitër Xhaferi, kirurgu i mirënjohur nga Saranda që ka sfiduar edhe vdekjen

1482
Nga Bardhyl BEJKO
Për Dhimitër Xhaferin, doktor Miçon, siç e njohin në çdo skaj të rrethit të Sarandës, nuk është e lehtë, që në një numër të kufizuar faqesh të shpalosësh tërë jetën e tij. Të flasësh për doktorin do të duhet të renditësh mijëra emocione, opinione, thënie, fjalë, përgëzime, histori , të gdhendësh qindra episode e detaje jetësore të atyre, që kanë qenë pacientë të tij, por edhe të tërë atyre, që kanë pasur nevojë për një këshillë a për një fjalë. E ta arrish këtë është e pamundur. Se do të duhej të udhëtoje rrugicave të qytetit, të futeshe në shtëpitë e fshatarëve, nga Çorraj deri në Vërvë, të ecje shtigjeve të maleve dhe fushave të përbaltura, të shtyheshe më tej në Himarë, Vlorë, Gjirokastër, Tepelenë, Përmet.. . Kjo sepse gjeografia e veprimtarisë së kirurgut, Miço Xhaferi, është e gjithë Shqipëria. E jo vetëm kaq. Kontributi i doktor Miço Xhaferi njihet edhe në Kosovë, Maqedoni e Greqi, ku ka dhënë ndihmën e tij në rastet e fatkeqësive urgjente të turistëve të ardhur në qytetin tonë në Sarandë. Udhëtimi i doktorit është rrugëtimi i pelegrinit engjëllor në emër të jetës, në emër të njeriut. Kur je në një bisedë, apo në tavolinë për një kafe me doktorin nuk është e mundur të qëndrosh gjatë. Kjo sepse telefoni i tij bie pa pushim. Dhe ai le kafen dhe me një buzagaz, si një kërkim falje, ikën me nxitim me një makinë të rastit, apo autoambulacën, që është dërguar nga urgjenca drejt të sëmurit që kërkon ndihmën e tij. Asnjëri nuk mund ta dijë ku fillon dhe mbaron ditëpuna e doktor Miços. Ai nuk ka pasur e nuk ka asnjëherë gjatë jetës së tij një orar fiks. Tetë orëshi për të është ditënata, është pagjumësia dhe qëndrimi në kokë të të sëmurëve. Një gjysmë shekulli më parë, kur ende ishte një çunak, që sapo kishte mbyllur leksionin e fundit, edukuar mes korifejve të kirurgjisë shqiptare, i inkurajuar nga profesorët e tij, si Prof. Dr. Petro Cani, Prof. Dr. Besim Elezi, Prof. Dr. Luter Kreshpa, Prof. Dr. Panajot Boga e shumë të tjerë, do të zbriste në Sarandë. I ri. Tepër i ri. Fillimisht edhe bisturia ishte për të ende e rezervuar. Ku duhej vendosur, si duhej përdorur ? Sa thellë duhej prerë ? Si të shmangeshin zonat e rrezikshme ? Si të hapej sa më pak plagë e si mund të rikuprohej një muskul apo një ind. Përballë këtyre të panjohurave do të qëndronte ai që ditën e parë, kur mbi supet e tij të njoma do binte barra e një “mali” që të fuste frikën. Cilido do të mbetej i shtangur përballë tërë atyre rasteve që vinin në urgjencë e kishin nevojë për dorën e mendjen e doktorit të sapo diplomuar. Po ishte një mal, që duhet ta mbaje mbi shpinë. Ishte një punë, që duhet ta përballoje me kurajo e profesionalizëm. Duhej guxim. Shumë guxim. Të duhej të shfletoje e të konsultoheshe me librin por edhe me profesorët edhe pse në distancë. Po dalngadalë dora do stërvitej. Bisturia do të bëhej një zgjatim i gishtave të tij. Një laps, që mund ta përdorte me elegancë e tërë sqimë. Ishte futur në rrugën plotë labirinthe të kirurgjisë. Mes të fshehtave dhe të papriturave do të ecte si përmes një shtegu të ngushtë e shumë të gjatë. Ai tanimë kishte filluar të kryente operacione, që muaj më parë as mund t’i imagjinonte. Kishte fituar besimin se ishte kirurg. Për një gjysmë shekulli, duke zbritur e ngjitur shkallët e spitalit, apo hapur dyert e sallës së operacionit, doktori do të gdhendëte personalitetin e një njeriu, që do shquhej për humanizmin e profesionalizmin e rrallë. Kolegët, në çdo rast të vështirë, do ta ndjenin veten në prani të doktorit të lehtësuar. Plot besim. Pas çdo lëvizjeje të tyre do të ishte vështrimi i doctor Miços. Kujdesi i Tij. Fjala e Tij. Ndihmesa e Tij. E pas një ndërhyrjeje të vështirë, ballëdjersitur ata do të zhvishnin bluzat e operacionit dhe pas një jete të shpëtuar, do mblidheshin në dhomën e mjekëve, ku do të analizonin gjithçka kishin bërë. Cila ishte e veçanta e kësaj ndërhyrjeje?. Si eci operacioni? Ku ishte probemi më i mprehtë? A ishte arritur objektivi? Ç’mund të bënin më mirë? Analiza në detaje. Konkluzione të argumentuara. Po edhe shumë gëzim. Kishin arritur të bënin atë, që edhe në spitalet më të specializuara do ishte një sukses. Vështirësitë e një ndërhyrje, janë për çdo çast të pranishme në punën e një kirurgu. Sa raste të rënda ka pritur doktor Miçua? Sa herë jeta e pacientit varej në tehun e bisturisë në dorën e doktorit mes jetës e vdekjes. Vetëm pak hezitim dhe jeta ndërpritjej. Vetëm guximi e profesionalizmi mund ta kthente në jetë pacientin, që kishte një plagë të rëndë nga mjete të mprehta, apo nga një goditje në kokë, në gjoks apo organe të tjera jetësore. Të merrje një vendim në pak minuta, të vendosje si do të veproje, menjëherë të bëje gati sallën e operacionit, është një nga garancitë për të shpëtuar një jetë nga kthetrat e vdekjes. Pikërisht tek ky guxim, që rrjedh nga kompetenca profesionale e shkallës së lartë, ka qënë çelësi i suksesit në këto pesëdhjetë vjetë punë për kirurgun e njohur Miço Xhaferi. Pasi njeh jetën e doktorit natyrshëm pyet: Vallë ku i ka rrënjët një personalitet e profesionalizëm i spikatur tek doktor Miçua? Ku buron ajo energji e pashtershme, që ta mbajë të stimuluar adrenalinën e tij për t`iu dhënë zgjidhje mijëra rasteve kur vdekja ka qenë e sigurtë? Për të plotësuar këtë dhe për të hyrë thellë në sekretet e një jete kaq dinamike e një pune titanike nuk mjafton ta shikosh Miçon vetëm pas mbarimit të Unveristetit të Mjekësisë. As vetëm gjatë viteve të kirurgut. Duhet të gjurmosh në vitet e tij të fëmijrisë. Atje në Livadhja, ku ai u mëkua me dashurinë për njerëzit. Ku u mbrujt karakteri i tij, ku mori mësimet e para, ku provoi gjithë privacionet që mund të kishte një fëmijë në ato vite të vështira, ku sa herë buka mungonte dhe të duhej të rezistoje. Ku dimrit një bluzë e leshtë të mbulonte supet dhe një palë këpucë ishin një luks. I rritur përmes privacioneve, por me një edukatë njerëzore nga prindërit e tij që iu përcollën fëmjëve dashurinë për jetën tek ata mësuesit e viteve të para që i mësuan historinë e të parëve të tij tek miqtë e shokët me të cilët provoi qindra sakrifica, duhet kërkuar edhe suksesi i viteve të punës së tij të pandërprerë. Ai iku prej shtëpizës së vogël me një valixhe druri me fare pak rroba, drejt të panjohurës. Drejt vështirësive. Para e priste një rrugëtim i gjatë. Një shteg që kërkonte vullnet, pagjumësi, shumë punë. I mbrujtur me guximin për të ecur pandalshëm për të mësuar me etje gjithë përvojën e ndritur të kirurgjisë shqiptare dhe asaj botërore ia arriti që të shënonte një emër në gjerdanin e mjekëve të shquar. Të vendoste emrin e tij në panteonin e krurgjisë shqiptare.Të ishte njeri prej tyre. Nuk ka kirurg në Shqipëri, por jo vetëm, që të mos njohe doktor Miçon. Eshtë e pamundur që të mos ketë dëgjuar për arritjet, për energjitë, për kompetencën e padiskutueshme të këtij mjeku, që edhe pse vet thote se është “Kirurgu i Periferisë”, realisht është kirurgu i qytetarisë dhe i mbarë Shqipërisë. Eshtë fat për qytetin e Sarandës dhe gjithë fshatrat përreth që në roje të jetës së njerëzve të thjeshtë të kenë pasur dhe të kenë një doktor si kirurg Miçua. Po ai nuk është vetëm mjeku elegant dhe erudit. Nuk është thjesht një mjeshtër i bisturisë e i mjekimit. Është shumë më shumë se kaq. Eshtë një enciklopedi lëvizëse. Një intelektual në tërë dimensionet e kësaj fjale. Krurg. Krijues. Përgjithësues përvojash mjekimi. Autor i dhjetëra librave për shëndetin dhe metodikave të mjekimit të kirurgjisë. Prej kohësh është një zë i fuqishëm dhe i dëgjueshëm për të gjithë.Vite më parë në mes dhjetëvjeçarit, tetëdhjetë – nënëtëdhjetë të shekullit të kaluar u ndodhëm në hotel “Peza” në Tiranë. Ishim një grup shokësh, që vinim për të dhënë provime. Ngjitur nesh në një dhomë drita qëndronte ndezur tej e tej natës. Kureshtar, trokitëm për t’u njohur me atë që nuk vinte kufi mes ditës dhe natës. Atje i përkulur mbi libra me dhjetëra të tilla shpërndarë ngado me qindra fletë të shkruara ishte doktor Miço Xhaferi. Ishte në kulmin e përgatitjes për të mbrojtur titullin “Doktor i Shkencave Mjekësore”. Një punë pa fund. Një rrugëtim përmes labirinthesh të panjohura. Do paraqitej përballë një komisioni shkencëtarësh eruditë. Ishin profesorët e tij. Ata që i mësuan mjekësinë. Po ata nuk të falnin. Do kaloje përmes një provimi shumë rigoroz e nën mbikqyrjen e profesorëve të ditur. Ishin ata që ai i respektonte si perëndi. Pikërisht për këtë edhe puna ishte shumë më e vështirë. Dhe Miçua ia arriti të surprizonte tërë komisionin. Në përfundim vlerësuar: Ekselencë. U surprizova, – thoshte një nga mjekët më të shquar të panelit. Serioz, si gjithnjë, studenti ynë. Dhe ia arriti të fitonte gradën “Doktor i Shkencave”. Gradën, që shumë më parë e kishte fituar nëpër pavionet e spitaleve, nëpër shtëpitë e të sëmurëve në qytet e kudo. Të gjithë e thërrisnin “Profesor”. Dhe vërtet i tillë është ai, kirurgu i Sarandës, Miço Xhaferi.Po nuk është vetëm mjek. Është një qytetar e intelektual me zë në qytet. I kundondodhur, larg qëndrimeve të shtirura, ai nuk matet me lavdinë e fituar në emër të shpëtimit të tjetës. Krenar është për këtë. Dhe krenaria është e ligjshme. Po ai është edhe një veprimtar i shoqërisë civile. Eshtë qytetar në kuptimin e gjerë të fjlalës. I gjendur përballë problematikave të shoqërisë, thotë fjalën e vet pa ndrojtje, pa komplekse. Qëndrimet e tij në shumë vite kanë qënë të matura dhe me influencë në shumë vendimarrje. Ai është kirurgu me duar të arta, por edhe njeriu, që fjalën e peshon dhe kur thotë gjykimin e tij e kupton se sa thellë futet ai në problematikat e kohës që jetojmë. Shpirt demokratik, elokuent në të folur, i ëmbël në komunikim, i padallueshëm për ata me të cilët shoqërohet i pandikuar nga lavdia, që e ka prej popullit, të pamatë, ai mbetet njeriu i thjeshtë, njeriu i dashur. Eshtë një nga ne. Ulur në një tavolinë të thjeshtë në klubin e lagjes, pi një kafe me peshkatërët apo dokerët e portit. Në këto raste shkrihet njësh me ta. Dhe ashtu ulur mes të barabartësh nuk është e mundur të kalojë dikush para tij e të mos i thotë:
– Doktor faleminderit!
– Më shpëtove jetën. Dhe më të moshuarit e përqafojnë atë, që ditë më parë i vizitoi në shtëpi apo në pavionin e kirurgjisë. Rrethuar nga respekti i mijëra qytetarëve ai kurrë nuk e mendon veten të përsosur. Megjithëse në mendimin e njerëzve mbetet një i tillë. Një mrekulli, që ka jetuar mes tyre dhe sot është në roje të jetës së të gjithëve. Eshtë një jetë plotë arritje. Shumë sakrifca e më shumë vështirësi. Po ai asnjëherë nuk i tha dikujt se jam i zënë. Se është mesanatë . Se është vetë i sëmurë. Përkundrazi. Eshtë ngritur në mesnatë dhe ka mbërritur në spital sa herë dikush ka pasur nevojë. Për të gjitha këto, “Profesor” Miço është prej kohësh “Nderi i qytetit”. Ky “Mjeshtër i Madh” i kirurgjisë, edhe pse vitet kanë hedhur tisin e bardhë të thinjave mbi flokë, mendimin e ka të freskët, duart plotë shkathtësi e elegancë. Zemrën të re. I freskët në profesion si në vitet e para. Titujt që ka fituar për të janë vetëm një simbolikë. Titujt më domethënës për të janë ato të dhëna nga qytetarët: “Mjeku ynë”, “ Kuirurgu i dashur për të gjithë”. Askush, që ka pasur rastin ta takojë apo të kërkojë një shërbim mjekësor, nuk e harron doktor Miçon. Dhe pasi ka marrë shërbimin mjekësor dhe i bashkohet këtij gjykimi mbarë qytetar. Mjeku, Dhimitër Xhaferi nuk ka nevojë për asnjë lëvdatë. Asnjë shkrim nuk mund të jetë i plotë për të të. Edhe pse mund të kesh dëshirë nuk ke mundësinë të vizatosh një portret të tij përfundimtar. Portretit të tij sado t’i afrohesh përhetë do t’i mungojë diçka. Do t’i mungojë : Një ngjyrim. Një detaj. Një episod. Dhe kjo se secilit, që i jepet rasti ka ç’të thotë më shumë e më bukur për mjekun Miço Xhaferi. Një fjalë e thënë për atë është një vlerësim për veten. Se ti ke thënë një të vërtetë që do të mbetet edhe e shkruar edhe pse prej vitesh ajo është memorizuar në zemrat e mendjet e mijëra njerëzve, që e kanë fituar jetën nga duartë e arta të doktor Dhimitër Xhaferit.Qytetarit sarandit, që i ka dhënë viteve emrin e tij dhe Sarandës shpirtin dhe dhembshurinë e një mjeku, që ka luftuar si një engjëll në roje dhe emër të jetës, doktor Miçua mbetet një ikonë. Ikonë në roje të jetës tonë
Sigal