Mjekët sillen si “gardianë burgu”

507
Pavarësisht se Ministria e Shëndetësisë po deklaron se “po zbaton reforma radikale për të rritur performancën e stafeve në detyrë”, duke larguar dhjetëra e dhjetëra nga puna, duket se më të pabindurit, më të pandreqshmit dhe më të korruptuarit ndjehen të paprekshëm sa herë vjen “furtuna”. Vetëm nga Elbasani dhe Cërriku, Ministrisë Shëndetësisë dhe personalisht kreut të saj zotit Beqja i kanë vajtur në dy muajt e fundit mbi 1112 ankesa me shkrim, mesazhe, si dhe tek portali i dikasterit, ku qytetarë, pensionistë dhe banorët e zonave rurale të sëmurë dhe të indinjuar denoncojnë, sjelljet e padenja të stafeve mjekësore, vonesat në shërbimin mjekësor, talljen dhe zhvatjen e parave nga ata që jo vetëm kanë shkelur betimin e Hipokratit, por tashmë sillen sikur të ishin gardianë burgu. Ministria e Shëndetësisë ka marrë pothuajse çdo ditë mbi 45 denoncime nga qyteti Elbasanit dhe Cërrikut, ku kërkohet ndëshkimi nga drejtuesit e këtij dikasteri, të mjekëve dhe kodoshëve të tyre të korruptuar. Denoncimet kanë ardhur nga qytetarët e dy qyteteve por edhe banorët e fshatrave, pasi këta të fundit po trajtohen si kafshë nga mjekët fodullë, që nuk zbatojnë oraret e shtetit, por e drejtojnë turmën e hallexhinjve drejt klinikave të tyre private. 

Pothuajse çdo ditë hallexhinj nga fshatrat e Elbasanit nisen qysh herët në mëngjes duke paguar taksi ose mjete të tjera transporti, për të çuar për vizita mjekësore të afërmit e tyre, por përballen me dyert e mbyllur të dhomave të ambulancave dhe vonesat e gjata nëpër kafene të mjekëve. Sipas Skënder Beqirit një banor i fshatit Kuqan në Elbasan “ka ardhur koha të kemi frikën edhe kur të sëmuremi, kam 12 ditë sot që paguaj taksi dhe dërgoj çdo mëngjes gruan time për vizitë tek mjekët specialistë në Ambulancën e Elbasanit, prej andej më dërgojnë tek mjeku specialist në spital, ai më dërgon në ora 12.00 tek zyra e tij e vizitave në Ambulancë sërish dhe kur prej 4 orësh vij vërdallë, derisa të vijë orari, mjeku më thotë “hajde pas orës 15.30 tek klinika ime, në lagjen 5 Maj, sepse atje kam aparaturën moderne, gruaja ka probleme serioze, atje do t’i konstatojmë diagnozën dhe do të blejmë edhe ilaçet tek farmacia ime”. Kjo sorollatje me Skënder Beqirin banorin e Njësisë Administrative të Kuqanit ka vazhduar për mbi 12 ditë, aq sa gruaja e tij, 56 vjeçarja Ikbale Beqiri sot gjendet në rrethana serioze për jetën, nga sorollatja e mjekëve. Skënderi u shpreh se “për 12 ditë kam paguar afro 1 milion lekë, shpenzime, të cilat janë harxhuar duke nisur nga pagesat e taksisë, sepse më merr ngaora 08.00 dhe më kthen në shtëpi nga ora 16.00, për ECO-n, ECC, Skanerin, vizita të tjera, analiza, pasi çdo 3-4 ditë mjeku i pashpirt më thotë duhet të bëjmë edhe këtë analizë, edhe këtë analizë dhe unë zbraz xhepat, kurse gruaja nuk gjen përmirësim. 

Kurse dje, më tha se “duhet ta nisim njëherë për Tiranë, do ta çosh tek mjeku F.M. është miku im është tek QSUT, kërkon të më rrjepë edhe atje përmes kolegut të tij, ndaj i kërkoj ministrit Beqja të zbresë në Elbasan dhe të njihet me hallet e popullatës, që kërkon shërbime mjekësore dhe merr vetëm zhvatje mizore”. Qyteti i Cërrikut, nga marrin ndihmën mjekësore banorët e Kuqanit, Shirgjanit Muriqanit dhe Njësive Administrative të periferisë, ka prej 4 vitesh pa mjek, pa spitalin e vogël me 25 shtretër dhe pa laborator analizash, duke detyruar mbi 12 mijë banorët e tij, ti drejtohen Elbasanit dhe Tiranës për shërbime dhe vizita të specializuara. Por kjo nevojë i ka shtyrë ata të presin dhe të dergjen me orë dhe me javë tek klinikat e mjekëve, që përgjatë 8-orarëshit zyrtar vizitat i kryejnë vetëm duke dhënë adresat e tyre dhe orarin e pasdites. Kjo situatë skandaloze në të cilën është katandisur shërbimi mjekësor në qarkun e Elbasanit, bie ndesh me propagandën e Ministrisë Shëndetësisë dhe kreut të saj Ilir Beqja, bie ndesh me deklarimet bajate për “shëndetësi falas, check-ap falas dhe rritjen e investimeve në ambulanca dhe spitale”, bie ndesh me premtimet e bëra, duke e bindur çdo ditë popullin, se janë vetëm mashtrime që po rëndojnë mbi fatin e jetës tyre.   Alma Joinuzi
Sigal