Mjekët e korruptuar, lumë denoncimesh ministri Ilir Beqja bën plazh në Dhërmi

476
Sigal

Arrestimi i dy mjekëve dhe i dy infermierëve në Tiranë, të akuzuar dhe denoncuar për “Mitmarrje e abuzim me detyrën”, duket se ka nxitur dhe u ka hequr frikën edhe qindra qytetarëve dhe pacientëve për të denoncuar mjekë të spitaleve, por edhe infermierët, si bashkëpunëtorë të tyre. Duke u ndalur më konkretisht në Durrës, konstatojmë se bluzat e bardha kanë qenë dhe mbeten objekt i denoncimeve nga pacientët dhe familjarët e tyre për mitmarrje dhe më të prekurit nga kjo “epidemi” mbeten Materniteti, Kirurgjia e Pediatria. Por nuk mbeten pas tyre edhe Urgjenca dhe mjekët e Ambulancës Qendrore. Në dhjetëra e dhjetëra raste pacienti sillet vërdallë për t’i zhvatur para, edhe pse shpesh sjellja e mjekut mbetet jashtë logjikës dhe humanizmit njerëzor. Rastet nuk mungojnë, madje ato hasen shpesh në Kirurgji, Pediatri, Gjinekologji etj.. Denoncimet e shumta kanë mbërritur tek drejtoresha e Spitalit Rajonal, por edhe tek agjentët e Krimit Ekonomik në Drejtorinë e Policisë Durrës. Sipas burimeve zyrtare, vetëm gjatë kësaj jave kanë ardhur mbi 97 denoncime për mjekë dhe infermierë, duke nisur nga marrja e 5 mijë lekëshit për një serum dhe deri tek marrja (shpesh edhe me dhunë psikologjike) e 1 milion lekëshit për një operacion. Një shtetas duke folur për “Telegraf”, deklaroi se, “jo vetëm Kirurgjia dhe Materniteti, por edhe Pediatria mbetet e mbushur me mjekë që marrin para dhe konkretisht rasti me vajzën time para tre netësh, kur mjekja nuk i bënte serumin vajzës me temperaturë, pa i dhënë para”, kurse një tjetër u shpreh se “në Urgjencë sillen si të ishim shtazë e jo njerëz” apo denoncimet për Maternitetin. Një grua u shpreh se, “pa dhënë lekë, nuk lind shtatzëna, dy muaj më parë një mjeke më mori 450 euro, sepse më thoshte se do të operohesh patjetër, sepse ke probleme”. Të gjitha këto dhe qindra e qindra raste të tjera, ndodhin në gjithë institucionet e sistemit shëndetësor në Durrës dhe jo vetëm. Korrupsioni në bluzat e bardha shpesh i ka bërë pacientët dhe të afërmit e tyre të humbin durimin, të ofendojnë mjekun, infermieren e deri sanitaren, të cilët nuk kryejnë asnjë shërbim human, pa futur dorën në xhepa dhe pa nxjerrë prej andej para. Po përse gjithë kjo babëzi ka mbërthyer shëndetësinë? Në një farë mënyre, përgjigja mund të jepet edhe me dy fjalë të vetme, sepse drejtuesit kanë vite që vegjetojnë zyrave, nuk dalin në terren, nuk marrin në konsideratë denoncimet që vijnë gojarisht dhe me letra nga qytetarë të shumtë, por shpesh janë bërë palë me kolegët e tyre të korruptuar. Një pjesë emirë e mjekëve, infermiereve sot mbeten të “infektuar” nga mitmarrja. Nuk ka ditë që hallexhinjtë që zbrazin xhepat në spitale të mos bëjnë denoncime në Drejtorinë e Shëndetit Parësor dhe në Drejtorinë e Spitalit dhe, së fundi, edhe në media, duke dashur të gjejnë shpëtim. Tekstet e denoncimeve janë me akuza të tilla si “I dhashë mjekut kirurg 150 mijë për apendisit, mjekut gjenekolog 200 mijë”, ndërkohë që shpesh drejtuesit e tyre shprehen për gazetarët se, “duhen fakte konkrete”. E ndërsa situata mbetet alarmante, ministri i Shëndetësisë, Beqja vazhdon plazhin i qetë në Dhërmi. Deri sot, nga asnjë drejtues i institucioneve të shëndetësisë në Durrës, nuk është marrë asnjë masë ligjore, për të verifikuar dhe kontrolluar denoncimet e shumta ndaj mjekeve, asnjë nismë për të verifikuar pasuritë e shumta të mjekeve që variojnë nga vilat, apartamentet e makinat luksoze, asnjë nismë për të penalizuar të akuzuarit, por vetëm heshtje. Nisma e kreut të ri të MSH-së, Beqja “për të denoncuar çdo rast korrupsioni” mbetet demagogji dhe nuk ka ngjallur shpresën tek durrsakët, duke i bërë ata pesimistë, por edhe për të mos e mbajtur gojën kyçur, por duke demaskuar me fakte atë çka ngjet çdo ditë në spitale e ambulanca.

Artur AJAZI