“Mjekësia e rilindur”, 1 milionë banorë në fshatrat e 29 rretheve janë pa shërbim mjekësor

732
Sigal

 

Edhe dje, kryeministri i “rilindjes” gjatë një fjalimi përurues në një
spital privat të ndërtuar me investime serioze e mjedise moderne, “recitoi”
disa citate të përsëritura qindra herë për gjoja “mjekësinë falas e moderne” që
u premtoi shqiptarëve 3 vite më parë, por që pas 3 vitesh rezulton se e ka
katandisur edhe më keq se ç’ishte, duke e tjetërsuar në gërmadhë totale me
mangësi e korrupsion deri edhe tek fshesat! Kryeministri foli për projektet e mëdha
“rilindëse” në shëndetësi! Po cilat janë këto projekte, të cilat nuk duken
gjëkundi në shërbimin ndaj qytetarit?! Nuk foli për shërbimin mjekësor
shtetëror, që në këto 3 vite e ka katandisur në biznes koncesionesh për klientë
të përzgjedhur pjesë ortakërore e familjare të ministrit Ilir Beqja dhe të
shtetarëve të tjerë të “rilindjes”, brenda e jashtë vendit. Nuk foli se përse
shqiptarëve u shiten ilaçe të skaduara dhe me çmime 3-7 herë më të larta se në
vendet e BE! Nuk foli, se përse në spitale të lënë të vdesësh nëse nuk paguan
ryshfet. Nuk foli, se përse në spitale mungojnë edhe shtretërit, se përse në
urgjenca njerëzit shtrihen korridoreve, se përse auto-ambulancat shkojnë me
vonesë tek qytetarët. Nuk foli për disa raste skandalesh të ministrit Beqja, i
cili u dërgon qytetarëve mesazhe me urime “për shërim të shpejtë”, 1 muaj pasi
ata kanë… vdekur prej shpërfilljes së kërkesës së tyre prej ministrit dhe
drejtuesve të shërbimit mjekësor në qarqe e rajone! Nuk foli, se përse shqiptarëve
u janë hequr ilaçet me rimbursim, se përse nuk ka mjek e shërbim mjekësor në
fshatra, ku banon afro gjysma e popullsisë! Ata që banojnë në fshatra kanë nga
1 mjek e nga 1 infermier në komuna, sa për vizita formale e për inxheksione dhe
asgjë tjetër, mesatarisht 1 mjek dhe 1 infermier për 13 mijë banorë. Fshati shqiptar është
pothuajse krejt pa shërbim mjekësor, vetëm në 6% të zonave të banuara ekziston
ky shërbim jetik. Mjeku i zonës (në ato zona ku ka), për shkak të largësisë
gjeografike nga një fshat e lagje në tjetrën, mund të shkojë pranë tyre vetëm 1
herë në 3 muaj. Pa llogaritur faktin, që mjekët e fshatrave e të zonave banojnë
në qytet dhe 30% të ditëve të muajit, siç rezulton nga investigimi, rezulton
(sipas tyre) se e kalojnë “nëpër mbledhje” në drejtoritë rajonale dhe në
qendrat shëndetësore të rretheve, prej nga janë në varësi. Kujtojmë, që mjekët
e zonave të fshatit, sipas borderove, figurojnë se 22 ditë në muaj në punë në
fshatra, ndërkohë që 8 ditë janë pushim zyrtar dhe nuk ka shërbim mjekësor.
Mjafton
ky fakt, që tregon plotësisht se deklaratat për mbulim të territorit me shërbim
mjekësor, janë vetëm demagogji. Nuk e kemi fjalën për cilësinë dhe kompletimin
spitaleve e të shërbimit shëndetësor, por për mosekzistencën e këtij shërbimi
në gjithë zonat. Shqipëria është i vetmi vend në rajon e në Evropë, që mbulohet
vetëm në masën 45% me shërbim shëndetësor. Përveç 30 qyteteve e qendrave zonale
të banuara që janë pa spitale, janë edhe krejt zonat rurale në fshatra e
ish-komuna të 29 rretheve skajore, të cilat nuk kanë jo vetëm shërbim spitalor
e ambulator, por as një lloj shërbimi mjekësor. Këtë shërbim, banorët detyrohen
ta kryejnë në qendrat e rretheve, ose të prefekturave. Është fakt, që
aktualisht
të gjithë qytetet e madje edhe rrethet e vendit mungojnë mjekët e
specialiteteve, ndërkohë që qytetarët sëmuren edhe më keq se sa janë të sëmurë,
duke udhëtuar qindra kilometra drejt spitaleve në qendrat e prefekturave.