Mjedisi, ja qytetet më të ndotura në vend

733
Agjencia Kombëtare prezanton “Raportin e Gjendjes së Mjedisit në Shqipëri 2016”
Agjencia Kombëtare e Mjedisit prezantoi dje “Raportin e Gjendjes së Mjedisit në Shqipëri 2016”. Nëpërmjet këtij raporti Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM) sjell informacionin dhe vlerësimin mjedisor mbi gjendjen e mjedisit si dhe vlerësimin e shkallës së zbatueshmërisë dhe efektivitetit të politikave mjedisore kombëtare dhe përafrimit të tyre me ato evropiane. Në fjalën e tij, kreu i AKM-së, Julian Beqiri, theksoi se raporti vjen me një monitorim më të plotë se në vitet e kaluara ndonëse buxheti për përgatitjen e këtij raporti ka shënuar rënie. “Buxheti i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit nga viti 2014 në vitin 2017 ka ardhur në rënie të ndjeshme me gati përgjysmimin e tij. Pavarësisht buxhetit, monitorimi nga 2014 në 2017 sipas treguesve është një performancë në rritje të ndjeshme në çdo komponent”, deklaroi ai.

Duke u ndalur në monitorimin e cilësisë së ajrit urban, kreu i AKM-së nënvizoi se Fieri, Lushnja dhe Lezha janë 3 qytete në rang vendi potencialisht të ndotura, ndërsa problematike është prania e grimcave të pluhurit. “Tirana vazhdon të jetë qyteti më i ndotur në rang vendi. Shfaqet problematike edhe Korça, vetëm në periudhën e dimrit për shkak të ngrohjes me dru zjarri”, tha Beqiri.

Pas cilësisë së ajrit, zhurmat janë niveli i dytë i riskut për shëndetin publik. Edhe këtu Tirana është ndër qytetet më problematike kur gjatë ditës është 17.23% më lart se norma e lejuar dhe gjatë natës 24.91% më lart se norma e lejuar nga OBSH. Në monitorimin e ujërave sipërfaqësorë për vitin 2016 ka një përmirësim të ndjeshëm të ujërave larës bregdetarë edhe pse 5 pika ende mbeten problematike. Në analizimin e kësaj situate, Beqiri shtoi se, “vazhdon mungesa e informimit dhe e infrastrukturës nga pushteti vendor në këtë pikë”. Në raport nuk kanë ndryshim në krahasim me vitin 2016 cilësia e ujërave sipërfaqësorë në lumenj dhe liqene, si edhe cilësia e ujërave nëntokësorë. “Pavarësisht ndarjes së re territoriale, bashkitë po bëjnë ende një punë të dobët, në drejtim të ndotjes e menaxhimit të mbetjeve”, u shpreh kreu i AKM-së, duke iu referuar rezultateve të monitorimit të menaxhimit të mbetjeve për vitin 2016.

Pasi sjell situatën e trashëguar në monitorimin e mbulesës së tokës, Raporti konstaton rezultate pozitive të vitit të parë të moratoriumit 10-vjeçar të pyjeve. “Moratoriumi do të sjellë padyshim një ripërtëritje të mbulesës së tokës. Ndërkohë që janë konstatuar 15 specie drunore në rrezik zhdukje“, tha drejtori i përgjithshëm i AKM-së. 

Në fund të prezantimit, Beqiri theksoi se në Raportin për Gjendjen në Mjedis 2016 Agjencia Kombëtare e Mjedisit ka dhënë rekomandime te plota në çdo sektor të monitoruar për përmirësimin e gjendjes në mjedis. Raporti ofron një bazë të mirë për orientimin e zhvillimeve, planifikimeve dhe investimeve strategjike në sektorët të cilët kanë ndikim në mjedis siç janë: industria, energjetika, transporti, bujqësia etj, por edhe për marrjen e masave të duhura dhe hartimin e projekteve për përmirësimin e gjendjes së mjedisit dhe përbërësve të tij.
Sigal