Mjalti i maresë, magjistari i shëndetit të mirë

150
Mjalti i maresë është konsideruar prej shekujsh si “magjistari i shëndetit të mirë”. Ky lloj mjalti është unik dhe gjendet me shumë vështirësi në të gjithë botën. Ky mjaltë me veti të veçanta mjekësore vjen nga vetëm katër vende të botës siç janë jugu i Portugalisë, Sardenja, Shqipëria dhe Greqia.

Shija e tij është një përzierje e pazakontë e të hidhurës dhe të ëmblës. Ky tipar e bën këtë mjaltë jo të përshtatshëm për të gjithë. Ata që e preferojnë mjaltin e maresë mund të konsiderohen si tipa të shijeve të veçanta, sepse shija i përngjan karamelit të hidhur.

Në Shqipëri, përgatitja e këtij mjalti është traditë shumëvjeçare e Përmetit dhe e zonës përreth, por jo ekskluzivitet i tij. Mareja rritet në shumë zona të vendit, kryesisht në Shqipërinë e mesme dhe të jugut. Mareja është një pemë mesdhetare që çel fruta dhe lule të vogla. Frutat ngjajnë me luleshtrydhet. Mjalti i maresë mund të dallohet lehtësisht nga produktet e tjera së pari nga shija e hidhur dhe ngjyra bezhë.

Mjalti i maresë vlerësohet për përfitimet mjekësore që ofron. Ai është mjaft i pasur me antioksidantë dhe shija është e mrekullueshme për njerëzit që kanë guxim. Antioksidantët dhe substancat anti-bakteriale të këtij mjalti e bëjnë atë të jashtëzakonshëm dhe më të fuqishmin kundër baktereve në botë. Ai është më i pasur me antioksidantë se çdo mjaltë tjetër. Ky mjaltë nuk rrit nivelin e sheqerit në gjak dhe përdoret edhe nga pacientët që vuajnë nga diabeti.