(kushtuar gruas së tij kur ishte në burg)
Kaq afër jemi, por kaq larg,
Të lutem mos më prit
Na ndajnë tere rreth e qark
Dhe yll për mua s’ndrit.
Përse ta lidhësh fatin tënd
Me një pafat si unë,
Kur di se emri im u shemb
Me dhunë e përdhunë?
Pra hidhe hapin guximtar
Ndaj jetës së gëzuar
Dhe më harro këtu, në varr,
Të vdekur pa mbuluar.
******
Jam shkëputur
Jam shkëputur e kam ikur shumë herë
Nga vendi im për në vende të largët,
Për një mot, për shumë vjet, përgjithnjë…
Dhe jam kthyer rishtas e rishtas
Në çerdhen time,
Nën qiellin tonë të lehtë,
Në ajrin e tejdukshëm.
Se malli i madh më digjte
Më hiqte në plëngun tim
Te varret e gjyshërgjyshërve.
Por kësaj here – më falni,
Do ik e s’do kthehem më:
– Ku? ku?
Në vendin e heshtjes së përhershme-jetshme,
Ku s’ka dhimbje e ankthe,
Por gjumë harrese
dhe qetësi të katërciptë…
Fëmijë,
Mos bëni gjëmë,
Po ngazëllohi, se prehem
Pas netësh pa gjumë.
Tani pushuan të gjitha dhembjet
Dhe ankthet.
Jam mirë
Dhe qetë
I parafjetur
Përngaherë.
…U nginja nga të lehtët e qiellit,
Nga ajri i tejdukshëm
Dhe dua
Peshën e rëndë të dheut.
Dhe mugëtirën e heshtjes.
Qofshi shëndoshë,
Të lumtur!
Hëna e humbur
Hëna mbeti mbrëmë jashtë
Lakuriqe nëpër re-
Sot u ngrita qëmenatë,
E kërkoj, po nuk e gjej.
Kush e di, e joshi ndofta,
Një poet a këngëtar,
A e lidhi qafëmalit,
Në pusi, ndonjë kusar.
Do t’i qahem kryeplakut,
Të dërgojë kallauz.
…O, s’më duhet, se e gjeta
Kredhur brenda në havuz
Rri e mpitë, rri e mardhur-
Po s’ka gjë: un do ta nxjerr
Dhe ta hedh si top dëbore,
Që të endet nëpër qiell.
Filluar Vlorë, Tetor 1963.
Mbaruar Tiranë, Prill 1967
Shtambari
Punon shtambari në shtambëri
Një enë balte përpara tij
Vjen rrotull rrota, ay këndon
Dhe dorëshkathët laton, laton…
Pa shtamba rritet: një bukuri –
Nga brumi i baltës, nga dora e ti.
Përpjetë jetën me hov e merr
Dhe mrekullitë në duk m’i nxjerr:
Ka poshtë thembër dhe lart qenar
Nje shtat të hedhur, një vrull krenar
Çuditem shumë, si vizitor,
Kur shoh një kurm kaq vajzëror
“- Ah qysh trillove, i them, o zot
një send të tillë kaq hire plot?”
Seç qesh shtambari ndaj më kundron
Dhe dor’ e tija punon, lëmon.
Hutohem shumë: “E mora vesh!
Ke një të fshehtë, s’e nxjerr në shesh
Ti ke një brumë që s’ka njeri
dhe ja, ky brumë bën mrekulli”
Ndaj vegjet shtambës ja ngjit ngadal
Shtambari thotë: – “Ti s’di, më fal…
Në botë baltë ka anë e kënd
po mjeshtëria do shpirt e mënd:
Ta mbrujtësh baltën me dashuri
nga dheu që skuq porsi flori
Pa do dhe punë, do dhe durim
dhe doemos: kuptim, qëllim
Se shtambën une s’e bëj më kot –
Me ujë nesër do mbushet plot
T’ja shuajë etjen kujt mbjell a korr
Atij që arën lëron me plor
Dhe kur ta ngrerë lart, për dolli –
Të më bekojë me mënt’ e tij”
…Punon shtambari në shtambëri-
Dhe arti i tija ësht’ poezi
Gusht 1964, Pogradec