Misto Cici, laureat i çmimit prestigjioz italian “Ferrari” për fotografinë artistike

782
Bardhyl BERBERI
Mjeshtri i fotografisë, Misto Cici që i la Pogradecit kronikë fotografike 63 vjeçare
Misto Cici u bë një shkollë për plot fotografë të tjerë të talentuar, jo vetëm për Pogradecin, por që i ka kaluar me kohë kufijtë e Shqipërisë.
Pogradeci ka mjeshtrin e fotografisë artistike Misto Cici, i cili i ka lënë një thesar të madh qytetit të tij të lindjes duke fiksuar gjithçka ka ndodhur në këtë qytet që nga viti 1915 deri në vitin 1978. Misto Cici na ka lënë pas një thesar të çmuar me këtë fotografi të rralla të realizuar mjeshtërisht. Misto Cici ishte, jo vetëm një poet i natyrës që me aparatin e tij na ka lënë perla, por ishte edhe një atdhetar i shquar duke na lënë të gjallë kronikën e 63 viteve me të gjitha ndodhitë e qytetit të tij të lindjes. 

Kush ishte Misto Cici?
Në lagjen e” Burimeve”pranë kishës së vjetër të qytetit ndodhet shtëpia e mjeshtrit të fotografisë Misto Cici. Është kjo lagje e vjetër pogradecare ku kanë jetuar edhe Lasgush Poradeci dhe Mitrush Kuteli të cilët i kanë dhënë këtij qyteti gjithçka që patën për qytetin e tyre të lindjes Pogradecin. Perëndimet e vagëlluara, mbrëmjet si pëlhurë, dergjjet e përgjumshme të liqenit, zallin e shkretuar, pritjen e varkave në bregun e liqenit, pyllin e gështenjave bukuritë natyrore të qytetit përmbi ujërat e liqenit të cilin e ka në gjirin e tij. Por këtë qytet dhe këtë liqen dikush tjetër ka ditur ta shohë ndryshe nëpërmjet aparatit të tij fotografik. Në shtëpinë e Misto Cicit nusja e nipit të tij, Silvana me shumë fanatizëm ruan një thesar të rrallë të fotove të të mjeshtrit. Ndjekim ekspozitën e hapur në qytetin e Pogradecit. Në njërën foto është fiksuar në vitin 1916, ku dëshmohet se në Pogradec është ngritur trupi gjimnastikor. në një foto tjetër është fiksuar trupa amatore e Teatrit duke luajtur pjesën “Besa “në vitin 1919. Në një foto tjetër është fiksuar Fan Noli gjatë vizitës në Pogradec në vitin 192, ceremoninë e varrimit të Riza Cerovës më 1936 (që fillimisht u varros në Pogradec). Shumë imazhe nga pushtimi i Pogradecit nga fashistët italianë në vitin 1939, por edhe 30 gushtin e vitit 1944 kur Pogradeci është çliruar. Por Misto Cici me aparatin e tij fiksoj edhe shumë festa familjare dhe ceremoni fetare në Shën Naum. Me objektivin e tij ai ka fiksuar gjithçka që ka ndodhur në këtë qytet nga viti 1915 deri në vitin 1978 kur ai u nda nga jeta, duke i bërë kështu autopsinë qytetit të tij të lindjes, që nga gëzimet familjare portrete qytetarësh çifte të lumtur, ekskursione me vapor nga Ohri në Pogradec, festën e karnavaleve duke punuar me shije të veçantë dritë hijen e fotografisë artistike. Janë qindra peizazhe me lagjet karakteristike të Pogradecit, kroin e fshatit me shtatë sylynjarë, pyllin e gështenjave, kalanë e qytetit, brigjet magjike të liqenit dhe qytetin e mbuluar me borë dhe stalaktide akulli, dallgët e liqenit me kreshta të bardha sipër. Mjeshtri Misto Cici depërton me objektivin e tij deri në skutat më imta të natyrës. Ndonëse fotot e Cicit janë bardhë e zi nuk e penguan autorin që me mjeshtërinë e tij të bëjë zbërthimin e dritës, duke na sjellë modalitete nga më emocionueset. Ai ka krijuar një fotografi mbresëlënëse të peizazhit me fragmente dhe struktura të ngrira ujërash, akujsh, kallamash dhe të gjithë natyrës përreth me hipostazën e fundit që përbën fotografia bardhë e zi. Misto Cici ka realizuar foto në të gjitha stinët dhe na ka sjellë forma provokuese, formula abstrakte bardhë e zi, stilizim formash jo konvencionale, duke na dhënë një filozofi të vetën, një morfologji dhe sintaksë ndryshe të fotografisë së tij artistike e duke na dhënë një ligjërim me forma të reja. Në të gjitha fotot e peizazhit të Misto Cicit bie në sy vokacioni për peizazhin, hapësira në natyrë, shtrirja në rrafshe të gjerë horizontale në linjën midis liqenit dhe Malit të Thatë, duke na afruar një natyrë dhe peizazh me vlera absolute. Variacionet e dritës në peizazh dhe kontrastet i dhanë fotografisë së tij artistike një vlerë të veçantë. Ky peizazh artistik dhe këndvështrim i gjerë bëri që të jetë objekt edhe për “Piktorin e Popullit” Vangjush Mio që siç tregojnë familjarët ai ishte një mik shumë i ngushtë i Misto Cicit. Pamjet e befta të liqenit pasqyra e qiellit, dielli, kalimet nga monokrom të qeta dhe të përgjumura me tension grafik e ndriçim skenik nga suprina e liqenit në çarjet e thella të dritës në thellësi të ujërave do të bëhen objekt vëzhgimi të hollësishme për Piktorin e Popullit Vangjush Mio, i cili një pjesë të konsiderueshme të pikturave të tij i ka realizuar në këtë mjedis duke marrë frymëzim nga miku i tij i ngushtë Misto Cici. Për këto vlera unikale në në vitin 1925 Misto Cici ftohet nga drejtoria e shtypit dhe e propagandës Art në Milano të Italisë pranë stabilimentit Nogre Armetti të stamponte 12 foto të Misto Cicit me peizazhe nga Pogradeci për të shërbyer si kartolinë në paraqitjen e Shqipërisë turistike nëpërmjet këtyre pamjeve të Misto Cicit. Pak muaj më vonë pas realizimit të këtyre fotove artistike do të vinte nga Italia një çmim i veçantë prestigjioz për fotografinë artistike që emërtohej “Ferrari”. Gjatë viteve 1940 Misto Cici do të bënte disa udhëtime jashtë shtetit dhe do të sillte disa aparate fotografike bashkëkohore të asaj kohe dhe realizon shumë foto të arrira.

Nga gjiri i kësaj familje kanë dalë një sërë fotografësh të zotë, të cilët kanë ndjekur rrugën e Misto Cicit si Pandi Cici, Sotiraq Cici dhe nipi i tij Kristaq Shuke. Misto Cici u bë një shkollë për plot fotografë të tjerë të talentuar, jo vetëm për Pogradecin, por që ka kaluar kufijtë e Shqipërisë. Misto Cici është shpallur nga Bashkia e Pogradecit “Qytetar Nderi”. 
Sigal