Mister për dy djem nga Lini të zhdukur në liqenin e Pogradecit

730
Edhe pse janë mbushur 15 vjet nga zhdukja misterioze e djalit të tyre në liqen, Gaqo dhe Stashenka Qyshko dalin pothuajse çdo ditë në një lokal buzë liqenit dhe duke pirë kafen e mëngjesit nuk ia ndajnë sytë liqenit dhe iu duket sikur nga çasti në çast varka e djalit të tyre dhe shokut të tij do të shfaqet mbi sipërfaqen e ujit. Më pas Stashenka le të shoqin në tavolinë dhe shkon pranë një parmaku të urës së lokalit dhe atje mediton dhe qan në heshtje…
Jemi ulur sëbashku në kafen buzë liqenit dhe për herë të parë eskluzivisht për gazetën “Telegraf” familja Qyshko tregon detaje të pathëna më parë rreth zhdukjes misterioze të djalit të tyre, 16 – vjeçarit Klarent Qyshko, nxënës gjimnazi në Pogradec.
E përlotur nëna e 16 – vjeçarit Klarent Qyshko, Stashenka thotë se u bënë 10 vjet që ma kanë zhdukur djalin në mes të liqenit. Tani djali do të ishte 26 vjeç. Sa herë vjen datëlindja e djalit ne e festojmë 26 majin 1984 kur Klarenti ka lindur. Sa herë vjen Viti i Ri ne përgatitim pjatën me meze dhe vendosim gotën me verë pranë pjatës duke bërë gëzuar me gotën e djalit…Djali është brenda nesh dhe ne presim se ai do të vijë një ditë.
Cila datë ka qenë që djali juaj është zhdukur?
– Ka qenë data 27 shtator e vitit 2000. Djali i tyre pasi është kthyer nga gjimnazi “Gjergj Pekmezi” në Pogradec ku studionte, ka mbërritur në shtëpi dhe ka ngrënë drekë. Rreth orës 16 të mbasdites është thirrur nga një fqinji ynë 26 – vjeçari Erion Bice, i cili i thotë Klarentit që eja të dalim bashkë sonte në mbrëmje në gjueti për koran. Klarenti zakonisht delte në gjueti më të vëllain e tij më të madh, me Eltonim, por nuk ia prishi Erionit. Erioni ishte një djalë shumë i fuqishëm dhe peshkatar i zoti; ishte student me korrespondencë në Universitetin e Elbasanit. I gjithë fshati i thoshin “Ujku i Liqenit”. Këtë epitet e kishte marrë pasi në muajin prill të vitit 2000 e ka ndjekur një natë në liqen një skaf i policisë maqedonase për ta kapur. Por Erioni lidhi me një rrip levën e drejtimit të varkës me motor në drejtim të shtëpive të fshatit dhe u hodh në liqen. Skafi i policisë maqedonase jo vetëm e ndiqte, por hapte zjarr masiv me mitroloz se e dinin se aty ndodhej Erioni. Por Erioni nga një thellësi e madhe, edhe pse uji i liqenit në muajin prill është shumë i ftohtë, u lëshua në ujë dhe doli me not ndërkohë që varka e tij pa asnjeri brenda doli në breg të liqenit pranë shtëpive të fshatit Lin. Pas kësaj ngjarje i gjithë fshati Lin Erionit i thoshin “Ujku i Liqenit” Por le të kthehemi tek ajo natë, thotë Gaqo Qyshkua, babi i Klarentit. Kështu atë natë shtatori të vitit 2000, djali ynë Klarenti doli në gjueti me Erion Bicen. Pas pak i vetëm me varkën e tij dhe mjetet e peshkimit doli dhe djali ynë më i madh Eltoni.
A ka patur kontrabandë në liqen midis shqipatërve e maqedonasve?
– Po, po ka qenë një maqedonas që njihej si Ahmet Turçeliu. Vinte nga Maqedeonia dhe merrej me kontrabandë nëpërmjet liqenit. Zakonisht takohej me djem nga Lini dhe ata i çonin në mes të liqenit peshk koran. Ai dërgonte me një varkë me motor një djalë nga Ohri që quhej Mile, i cili në thellësi merrte ngarkesën me peshk në mes të liqenit dhe e çonte nëpër restorantet maqedonase. Peshku koran tek ne ishte dy herë më i lirë se sa shitej në Maqedoni, prandaj maqedonasit kishin leverdi që të kryenin këtë kontrabandë me këtë lloj peshku. madje trafikantët tanë ia u çonin peshkun edhe kur gjuetia e tij ishte e ndaluar në kohën e shumimit që në pjesën maqedonase as që mund të bëhej fjalë që të gjuhej korani kur shumohej. Edhe atë natë kishte ardhur një trafikant maqedonas me një varkë të madhe me motor. Pasi u takuan në mes të liqenit, trafikantët nga Lini i dhanë maqedonasit ngarkesën. Atë natë maqedonasi Mile që punonte për Ahmet Turçeliun u bë tamaqar dhe mori dyfishin e ngarkesës rreth 200 kg peshk koran. Dhe pasi iu jep lekët niset për në brigjet maqedonase.
Si u mbyt trafikanti maqedonas?
– Sapo ecën rreth 500 m më varkën me motor ai kërkon ndihmë pasi nga ngarkesa e madhe dhe dallga që filloj të shtohet i përmbys varkën. Ndërkohë që në momentin e parë kishte njoftuar me telefon celular policinë se jam në rrezik po mbytem dhe pronarin e tij Ahmet Turçeliun. Sipas disa të njohurve të mi në Ohër, thotë Gaqua, ky trafikanti Milja që merrte dhe transportonte koranin kontrabandë kishte qenë polic në policinë e Ohrit dhe kishte shumë njohje. Vjen me urgjencë një skaf i policisë së Ohrit, por kur vijnë ata Milja ishte mbytur. Në atë drejtim ku u mbyt maqedonasi ishte Erioni sëbashku me Klarentin në gjuetinë e koranit, ndërkohë që djali im tjetër më i madhi Eltoni ishte rreth 500 m më tutje, në vijë të drejtë me krahun e djathtë të tyre. Atë natë në liqen u dëgjuan edhe të shtëna. Në mëngjes u mor vesh gjithçka, pasi policia maqedonase nxorri nga liqeni trupin e Miles të mbytur duke e marrë me vete. Zakonisht peshkatarët në gjuetinë e koranit kthehen herët në mëngjes.
Si e mësuat lajmin për zhdukjen e djalit tuaj në liqen?
– Të gjithë peshkatarët u kthyen nga gjuetia e natës, kurse djali im Klarenti dhe Erioni nuk u kthyen. Na u krijua shqetësim me atë çka kishte ndodhur pasi atë natë u mbyt maqedonasi, fare pranë tyre, madje pati edhe të shtëna nga skafi i policisë maqedonase. Filluam kërkimet në liqen, por asnjë gjurmë. Bëmë njoftimin në policinë e Pogradecit dhe ata filluan kërkimet, por asnjë përgjigje. Vetëm pas disa ditësh inspektori i policisë së zonës na vjen në shtëpi me një legen plastik të gjetur në anën e liqenit duke na thënë se djali juaj sëbashku me Erion Bicen janë mbytur në liqen natën që është mbytur edhe trafikanti maqedonas që merrte peshk kontrabandë!
Pse nuk bindeni ju se djali juaj dhe shoku i tij janë mbytur në liqen?
Gaqo Qyshkua tregon se argumentat e policisë se djali im ishte mbytur nuk më bindnin. Dallga atë natë që zuri në liqen mund të mbyste edhe peshkatarë të tjerë që ishin në gjueti, gjë që nuk ndodhi me ata. Së dyti djali tjetër Eloni vëllai i madh i Klarentit ishte fare pranë rreth 500 m larg në vijë të drejtë veçse ishte në krahun tjetër ku gjuante peshk. Nëse do të kishte qenë dallgë aq e madhe do të ishte rrezikuar edhe Eltoni Ai iu tha prindërve se ishte një dallgë normale, siç kap në vjeshtë në liqen. Pastaj, thotë Gaqua, atë natë mund të mbyteshin të gjitha varkat në liqen dhe varka ku ishte im bir Klarenti me Erion Bicen nuk mbytej kurrë pasi ishte e vetmja varkë në tërë Pogradecin që ishte nga anash me jastëk mbrojtës me ajër dhe jastëkët nuk e lenë që të përmbyset kurrë një varkë.
A e keni kërkuar djalin në Maqedoni në anën tjetër të liqenit?
Nga dita e nesërme Gaqo Qyshku sëbashku me djalin e madh Eltonin shkuan në Maqedoni dhe kërkuan pëllëmbë për pëllëmbë të gjithë bregun e liqenit në shtetin fqinjë. Më pas ai ka shkuar në Policinë e Ohrit dhe ka takuar inspektorin e krimeve të policisë së Ohrit, Zoran Stanovski. Tepër i rezervuar ai pasi ka dëgjuar argumentat e babit të Klarent Qyshkos për të birin i ka thënë se ai nuk mund të zbardhte të vërtetën sepse nuk kishte krah pasi në pushtet nuk ishte partia e tij. Por ai me zë të shuar i ka thënë Gaqo Qyshkos që të vazhdojë kërkimet e mëtejshme të djalit të tij, megjithëse ai nuk e ndihmonte dot. 
Kjo ishte ngjaria që mban pezull dy familje në fshatin Lin që presin se një ditë djemtë e tyre do të kthehen….
Sigal